• e martë, 04 mars 2025
MIA FLESH

09:00 / 4 mars / 2025

Shkup - Në Kuvend sot do të mbajnë mbledhje dy komisione - Komisioni për transport, transformim digjital, mjedis dhe planifikim hapësinor dhe Komisioni juridiko-ligjvënës. Para anëtarëve të Komisionit për transport, transformim digjital, mjedis dhe planifikim hapësinor është Propozimi i ligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për komunikime elektronike, në lexim të dytë. Siç thuhet në sqarimin e publikuar në ueb-faqen e Kuvendit, qëllimi i propozim-ligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për komunikimet elektronike është krijimi i një mekanizmi ligjor efikas për kufizimin e qasjes në platformat e paligjshme të internetit për organizimin e lojërave të fatit.

Shkup - Me moton "Ndryshojmë sistemet për një jetë më të shëndetshme" sot në Klinikën e Endokrinologjisë, Diabetit dhe Çrregullimet Metabolike do të shënohet Dita Botërore e Obezitetit. Në ngjarje është paralajmëruar pjesëmarrja e përfaqësuesit të Ministrisë së Shëndetësisë, Fondit të Sigurimeve Shëndetësore, kryetarit të Shoqatës Shkencore Obstetrike - OBEM dhe drejtorit të Klinikës për Endokrinologji.

Paris – Kryeministri francez Fransua Baru ka uruar presidentin ukrainas Volodimir Zelenski për vendosmërinë e tij në debatin me presidentin amerikan, Donald Tramp. Baru deklaroi se takimi midis dy liderëve në Shtëpinë e Bardhë ishte "një skenë mahnitëse, e shënuar me brutalitet dhe dëshirë për poshtërim". "Për nder të përgjegjësisë demokratike, për nderin e Ukrainës dhe, do të thosha, për nderin e Evropës, Presidenti i Ukrainës nuk u dorëzua. Unë mendoj se ne mund të shprehim mirënjohjen tonë për këtë," tha kryeministri francez në një fjalim në parlament.

Budapest – Kryeministri Hristian Mickoski sot në Budapest në kuadër të samitit qeveritar Hungari – Maqedoni e Veriut do të realizojë takim me nikoqirin e tij hungarez kryeministrin Viktor Orban. Sipas agjendës, është paraparë takim tet-a-tet mes Mickoskit dhe kryeministrit hungarez Orban. Do të mbahen edhe takime dypalëshe mes ministrave, pas çka do të vijojë edhe mbledhje e përbashkët e të dyja qeverive. Pas përfundimit të mbledhjes ndërqeveritare konferencë të përbashkët për media do të mbajnë dy kryeministrat. 

Bruksel - Kryetari i Këshillit evropian, Antonio Koshta sot qëndron në Kajro, ku do të marrë pjesë në samitin e jashtëzakonshëm të Ligës së shteteve arabe, kushtuar zhvillimit më të ri të ngjarjeve në Rripin e Gazës. Siç njoftoi Këshilli Evropian, pjesëmarrësit në Samit do të përqëndrohen në planet për kthimin e sigurt të civilëve palestinezë në shtëpitë e tyre në Rripin e Gazës dhe rimëkëmbjen e tij dhe menaxhimin e ardhshëm, pas marrëveshjes së arritur për armëpushim mes Izraelit dhe Hamasit.

Kajro - Liderët arabë sot do të takohen për të biseduar për planet për rikonstruimin e ardhshëm të Rripit të Gazës, njoftoi DPA. Me këtë samit në Kajro, Qeveria egjiptiane ka për qëllim t'i kundërshtohet planeve kontroverse të presidentit amerikan Donald Tramp për "shpërngulje" të përhershme të palestinezëve në vendet e tjera arabe, njofton agjencia. Krahas përfaqësuesve të lartë të Egjiptit, Jordanisë, Arabisë Saudite dhe Katarit, pritet të marrë pjesë edhe përfaqësuesi i Këshillit Evropian, Antonio Koshta.

Kiev - Parlamenti i Ukrainës kumtoi se siguria e vendit është e garantuar me mbështetjen e SHBA-së dhe i përshkroi përpjekjet paqesore të presidentit Doland Tramp si "kyçe" për t'i dhënë fund luftës trivjeçare me Rusinë. Në kumtesën e mbrëmshme, të publikuar në anglisht tre ditë pas grindjes publike në Shtëpinë e Bardhë midis Trampit dhe presidentit ukrainas, Vollodimir Zelenski, theksohet se mbështetja e Uashingtonit është "më e rëndësishme se kurrë për popullin ukrainas".

Otava - Kanadaja nga sot do të vendosë tarifa të përshtatshme për produktet amerikane si përgjigje ndaj tarifave të shpallura nga presidenti amerikan Donald Tramp, deklaroi kryeministri kanadez Xhastin Trudo, cituar nga televizioni Si-Bi-Si. "Nëse tarifat e Shteteve të Bashkuara hyjnë në fuqi, Kanadaja do të përgjigjet nga mesnata duke vendosur tarifa 25 për qind për mallrat amerikane me vlerë prej 155 miliardë dollarë”, thuhet në deklaratën e kryeministrit kanadez. Kanadaja nuk do ta lërë këtë vendim të pajustifikuar pa përgjigje," tha Trudo.

Uashington - Presidenti amerikan Donald Tramp përkohësisht ka pezulluar ndihmën ushtarake për Ukrainën pas përplasjes së tij me presidentin ukrainas, Vollodimir Zelenskin, njoftuan mediat amerikane, duke cituar një përfaqësues të Shtëpisë së Bardhë. "Presidenti ka bërë të qartë se është i përqëndruar në paqe. Është e domosdoshme që edhe partnerët tanë të jenë të përkushtuar ndaj këtij qëllimi. Po pezullojmë dhe rishikojmë ndihmën tonë për t'u siguruar se ajo do të kontribuojë në gjetjen e zgjidhjes", tha burimi. E njëjta deklaratë u citua nga të gjitha mediat e tjera, të cilat transmetuan informacionin, duke përfshirë agjencinë ukrainase Ukrinform, e cila i referohet Blumbergut.

Uashington - Senati i SHBA-së ka konfirmuar nominimin e Linda Mekmeon, ish drejtoreshë e Federatës botërore për keç (WWE), për sekretare të re për arsim. Afaristja 76-vjeçare mori mbështetjen e 51 senatorëve, ndërsa 45 votuan kundër. Të gjithë senatorët demokratë të pranishëm votuan kundër. Tramp në fushatën e tij presidenciale të zgjedhjeve të vitit 2024 premtoi se do të heq Ministrinë e Arsimit, duke i transferuar kompetencat e saj tek shtetet individuale federale amerikane.

Uashington – Nënpresidenti i SHBA-së, Xhej Di Uens, deklaroi se garancia më e mirë për sigurinë e Ukrainës është që t’i jepen SHBA-së mundësi ekonomike, transmetoi televizioni “Foks njuz”. “Nëse dëshironi garanci të vërteta të sigurisë, nëse me të vërtetë dëshironi të garantoni se Vladimir Putini nuk do ta sulmojë përsëri Ukrainën, garancia më e mirë për siguri është tu jepni amerikanëve mundësi ekonomike në të ardhmen e Ukrainës”, deklaroi Uens. Ai shtoi se kjo është “garanci shumë më e mirë për siguri”, se sa, siç tha, “dërgimi i 20.000 ushtarëve nga ndonjë shtet i rastit i cili nuk ka përvojë ushtarake gjatë 30 ose 40 vjetëve të fundit”. 

QËNDRONI TË LIDHUR