• e hënë, 03 mars 2025
MIA FLESH

09:00 / 3 mars / 2025

Shkup - Shoqata "Hema-onko", kushtuar pacientëve me kancer dhe kujdestarëve të tyre, me rastin e 8 Marsit - Ditës ndërkombëtare të gruas, fillon fushatë për ngritjen e vetëdijes për kancerin në gji - "Diagnoza, trajtimi, estetika". Fushata fillon sot në Prilep, ndërsa është parashikuar të vazhdojë në Shkup, Tetovë, Gjevgjeli dhe Kavadar.

Shkup - Një delegacion qeveritar i kryesuar nga kryeministri Hristijan Mickoski do të marrë pjesë në samitin qeveritar Hungari - Maqedoni që do të mbahet sot dhe nesër në Republikën e Hungarisë. Siç kumtoi shërbimi për shtyp i qeverisë, sipas agjendës, është paraparë takim tet-a-tet midis kryeministrit Mickoski dhe kryeministrit të Hungarisë, Viktor Orban. Në kuadër të samitit qeveritar, është paraparë të mbahen edhe takime dypalëshe midis ministrave përkatës të të dy qeverive, pas së cilave do të pasojë edhe mbledhje e përbashkët qeveritare midis dy qeverive.

Shkup - Presidentja Gordana Siljanovska-Davkova sot do të mbajë fjalim në konferencën nacionale "Së bashku jemi më të fortë", të organizuar nga Shoqata e personave me paralizë cerebrale dhe aftësi të tjera të kufizuara - Veles, e cila do të mbahet në hotelin "Glorius" në Veles. Qëllimi i konferencës, kumtuan nga Kabineti i Siljanovska-Davkovës, është që të përkrahen gratë dhe vajzat me aftësi të kufizuara dhe gratë nga zonat rurale. 

Shkup – Pas 12 vjetëve pauzë, Shkupi u lidh në rrugë ajrore me Amsterdamin, pasi kompania ajrore holandeze me buxhet të ulët Transavia e realizoi fluturimin e parë mbrëmë në orën 21 në Aeroportin Ndërkombëtar të Shkupit. Kompania ajrore holandeze do të fluturojë në relacionin Amsterdam – Shkup-Amsterdam dy herë në javë, të enjten dhe të dielën. Të enjten, aeroplanët e kompanisë ajrore holandeze do të mbërrijnë në aeroportin e Shkupit në orën 9:35, ndërsa do të fluturojnë drejt aeroportit Shipholl në orën 10:25. Të dielën, Transavia do të zbresë në kryeqytetin e Maqedonisë në orën 20:45, ndërsa do të fluturojë drejt kryeqytetit të Holandës në orën 21:35.

Shkup - Të punësuarit në Filarmoninë e Maqedonisë sot do të mbajnë protestë të re para Ministrisë së Kulturës dhe Turizmit, për shkak të, siç thonë, ekzistimit të dyshimeve se konkursi për zgjedhje të drejtorit të këtij institucioni po bëhet në mënyrë joligjore. Protestë kanë mbajtur edhe para një jave, me ç'rast kanë marrë premtim nga ministri i Kulturës dhe Turizmit, Zoran Lutkov se konkursi do të zbatohet në mënyrë ligjore dhe se do të zgjedhet kandidati më i mirë, i cili do t'i plotësojë kushtet.

Shkup - Në Kuvend për sot është caktuar seanca e 21-të e Komisionit për sistem politik dhe marrëdhënie midis bashkësive. E vetmja pikë në rend të ditës është Propozimi i ligjit për ndryshimin e Ligjit për infrastrukturën kombëtare të të dhënave hapësinore, në lexim të dytë. 

Shkup – Çështja e rritjes së pagës minimale mbetet e hapur. Paga minimale duhet të harmonizohet këtë muaj dhe sipas llogaritjeve, rritja do të ishte rreth 1.800 denarë. Sindikatat kërkojnë që paga minimale të jetë 500 euro, ndërsa kontributet e dallimit të lartësisë së pagës minimale deri 30.000 denarë t’i subvencionojë shteti. Nga Qeveria lënë që të merren vesh sindikatat dhe punëdhënësit, duke shtuar se nuk kanë asgjë kundër nëse punëdhënësit mund të paguajnë pagë minimale më të lartë se ajo ligjore, por se subvencionimi i kontributeve nuk është në agjendën e Qeverisë. 

Shkup – Nga Drejtoria për Punë Hidrometeorologjike informojnë se sot në mëngjes nëpër lugina do të ketë kushte për mjegull dhe vranësira të ulëta, ndërsa gjatë ditës pritet që moti të jetë me diell me vranësira të vogla deri mesatare, paradite më e madhe në pjesët jugore. Do të fryjë erë e lehtë deri mesatare, në disa vende përgjatë Vardarit erë e fuqishme afatshkurtër nga drejtimi verior. Sipas paralajmërimeve, temperatura minimale do të jetë në interval prej -3 deri 5, ndërsa ajo maksimale do të lëvizë prej 7 deri 14 gradë.

Paris - Franca dhe Britania e Madhe propozojnë armëpushim njëmujor në Ukrainë "në ajër, në det dhe në infrastrukturën energjetike", deklaroi mbrëmë presidenti francez, Emanuel Makron. "Përparësia për një armëpushim të tillë është se ne dimë si ta masim, edhe pse vija e frontit është e madhe, e barabartë me distancën nga Parisi në Budapest", theksoi Makron.

Teheran – Pasi Parlamenti iranian dje e ndërroi ministrin e Ekonomisë, Abdolnaser Hemati nga funksioni, nënpresidenti iranian me ndikim Mohamad Xhavad Zarif gjithashtu ofroi dorëheqje. Zarif i parashtroi dorëheqjen e tij presidentit iranian Masud Pezeshkian, që është edhe një mossukses për liderin e matur konservator vetëm shtatë muaj nga mandati i tij, informon DPA.

Kiev - Presidenti i Ukrainës, Vollodimir Zelenski këtë mëngjes deklaroi se Kievi është mirënjohës ndaj SHBA-së për mbështetjen e tyre dhe premtoi përpjekje më të mëdha diplomatike për t'u harmonizuar me qëndrimet e Uashingtonit. "Do të ketë diplomaci në emër të paqes. Dhe në emër të kësaj, le të jemi të gjithë bashkë – Ukraina, e gjithë Evropa dhe definitivisht, definitivisht Amerika", deklaroi Zelenski pas Samitit të djeshëm në Londër.

Uashington - I dërguari i posaçëm i presidentit amerikan, Donald Tramp për politikë të  jashtme, Riçard Grenell, ka mohuar shkrimet në gazetën gjermane "Bild" se ai dyshohet se ka bërë disa vizita jozyrtare në Zvicër për negociata për vazhdimin e dërgesës së gazit rus në Evropë përmes "Rrjedhës veriore". "Lajme krejtësisht të rreme. Bild as nuk thirri askënd për të kontrolluar faktet para se ta publikonte këtë, sepse ata nuk donin të kuptonin të vërtetën. Dikush duhet të pushohet nga për këtë", shkroi Grenel në profilin e tij "X".

Uashington - Presidenti amerikan, Donald Tramp, ka nënshkruar 79 dekrete presidenciale për 40 ditë, që është një rekord, njoftuan mediat franceze, sipas të dhënave nga Arkivi Federal i SHBA-së. Aq dekrete nënshkroi paraardhësi i Trampit, Xho Bajden gjatë katër viteve të tij në detyrë. Njëzet e shtatë nga dekretet kanë të bëjnë me doganat, mbështetjen për lëndët djegëse fosile, krijimin e një fondi sovran të pasur dhe shpalljen e një gjendje të jashtëzakonshme energjetike për të stimuluar prodhimin amerikan të hidrokarbureve.

Los Angjelos - Akademia amerikane për arte filmike dhe shkenca në mëngjes i ndau "Oskaret" në solemnitetin që u mbajt në "Dolbi teatrin" në Los Anxhelos. Filmi "Anora" fitoi me pesë dekorime, nga gjithsej gjashtë nominime. Ngjarjen e ka moderuar Konan O'Brajen. Më ndarjen e sivjeme, të 97-të të "Oskareve", filmi i pavarur "Anora" i ka fituar çmimet për film më të mirë, rol kryesor të femrave (Majki Medison), montazhë, si dhe çmimet për regji më të mirë dhe skenar origjinal, të cilat i takuan Shon Bejkerit.

QËNDRONI TË LIDHUR