MIA Flesh
- - Kryetari i Qeverisë, Hristijan Mickoski dhe drejtori i Drejtorisë së ZZHTI-së Goce Dimovski, sot do të marrin pjesë në vendosjen e gurthemelit për ndërtimin e fabrikës për bateri elektronike për automjetet e kompanisë belge "Avesta Battery and Energy Engineering" në ZZHTI Kërçovë. Marrëveshja e investimit kapë vlerën totale prej 40 milionë euro dhe hapjen e 600 vendeve të reja të punës. Në fazën e parë investimi arrin 10 milionë euro me punësimin e rreth 200 personave.
- Post By Fitore Curri
- 08:51, 13 dhjetor, 2024
9:00/ 13 dhjetor/ 2024
Shkup - Kryetari i Qeverisë, Hristijan Mickoski dhe drejtori i Drejtorisë së ZZHTI-së Goce Dimovski, sot do të marrin pjesë në vendosjen e gurthemelit për ndërtimin e fabrikës për bateri elektronike për automjetet e kompanisë belge "Avesta Battery and Energy Engineering" në ZZHTI Kërçovë. Marrëveshja e investimit kapë vlerën totale prej 40 milionë euro dhe hapjen e 600 vendeve të reja të punës. Në fazën e parë investimi arrin 10 milionë euro me punësimin e rreth 200 personave.
Shkup - Ministri i Çështjeve Evropiane, Orhan Murtazani, sot do të qëndrojë për vizitë pune në Kishiniev, ku do të takohet me zëvendës kryetaren e Qeverisë së Moldavisë, përgjegjëse për integrime evropiane, Kristina Gerasimov. Pas takimit është paraparë që negociatorët kryesorë për anëtarësimin në BE të Maqedonisë së Veriut dhe Moldavisë, Murtazani dhe Gerasimov, të nënshkruajnë Memorandum bashkëpunimi (MoC) për procesin e integrimit evropian mes Qeverive të të dyja vendeve, kumtoi Ministria e Çështjeve Evropiane.
Shkup - Në Kuvend sot seanca do të mbajnë komisionet për transport, transformim digjital, mjedis jetësor dhe planifikim hapësinor, për çështje ekonomike, punë dhe çështje energjetike dhe Komisioni ligjdhënës-juridik. Në rend të ditës së Komisionit për transport, transformim digjital, mjedis jetësor dhe planifikim hapësinor janë ndryshimet dhe plotësimet e Ligjit për menaxhim elektronik dhe shërbime elektronike, të Ligjit për dokumente elektronike, identifikim elektronik dhe shërbime konfidenciale, ndryshimet e Ligjit për organizmat e modifikuar gjenetikisht, të Ligjit për cilësinë e ajrit të ambientit, të Ligjit për menaxhimin e baterive dhe akumulatorëve dhe mbeturinave të baterive dhe akumulatorëve, të Ligjit për mbrojtje nga zhurmat në mjedisin jetësor, ndryshime dhe plotësime të Ligjit për mbrojtje të mjedisit jetësor, ndryshime të Ligjit për ujëra, ndryshime të Ligjit për menaxhim me paketim dhe mbeturina nga paketimi dhe të Ligjit për mbrojtjen e natyrës, të gjitha në lexim të parë.
Tetovë - Shefi i Delegacionit të Bashkimit Evropian në Maqedoninë e Veriut, Mihalis Rokas, sot do ta vizitojë Tetovën, si pjesë të serisë së vizitave në komuna, përmes të cilave qytetarët dhe institucionet kanë mundësi të njihen me përfitimet nga procesi i qasjes në Bashkimin Evropian. Përmes vizitave të tilla, thuhet në kumtesën e Delegacionit të BE-së në RMV, ceket rëndësia e integrimit dhe kontributi i tij në zhvilimin e vetëqeverisjeve lokale. U paralajmërua se ambasadori Rokas gjatë vizitës do të takohet me kryetarin e komunës së Tetovës, Bilall Kasami, pas çka shefi i Delegacionit të BE-së do të bisedojë me anëtarët e Këshillit të komunës.
Shkup - Komunikacioni në rrugët shtetërore po zhvillohet pa pengesa në kushte të dimrit, në disa vende nëpër rrugë të lagështa. Dukshmëri të zvogëluar për shkak të mjegullës ka deri 30 kilometra në aksin rrugor f. Gajre - Kodra e Diellit dhe qafat malore Gjavato dhe Pletvar 50 metra, njoftoi LAMM. Intensiteti i komunikacionit në akset rrugore jashtë mjediseve urbane është i matur. Në vendkalimet kufitare nga ana e Maqedonisë së Veriut nuk ka ndalesa më të gjata për hyrje dhe dalje nga shteti.
Shkup - Moti sot paradite do të jetë i vranët me paraqitje të mjegullës në disa lugina. Gjatë ditës do të mbajë mot me diell me vranësira të vogla deri në mesatare. Përgjatë Vardarit do të fryjë erë e dobët deri mesatare nga drejtimi verior. Temperatura minimale do të jetë në interval prej -5 deri në 3, ndërsa ajo maksimale do të arrijë prej 6 deri në 14 gradë Celsius. Në Shkup paradite do të ketë kushte për paraqitje të mjegullës, ndërsa gjatë ditës do të mbajë mot me diell me vranësira të vogla dhe kryesisht i qetë. Temperatura minimale do të ulet deri në -3, ndërsa ajo maksimale do të arrijë deri në 9 gradë Celsius.
Bruksel - Mbajtja e një rajoni të sigurt dhe të qëndrueshëm në Ballkanin Perëndimor është prioritet i NATO-s dhe SHBA-së, bëri të ditur misioni amerikan në Aleancë. “Këtë javë, kemi qenë nikoqir i gjashtë ekspertëve nga Ballkani Perëndimor – nga Shqipëria, Bosnje e Hercegovina, Serbia, Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi – në selinë e NATO-s, duke theksuar dialogun tonë politik dhe bashkëpunimin praktik me Ballkanin Perëndimor", theksohet në postimin e Misionit të SHBA-së dhe NATO-s në platformën Iks. Siç thuhet, gjatë vizitës është potencuar angazhimi i të rinjve mbi paqen dhe sigurinë rajonale si dhe kundërshtimin e ndikimeve malinje, duke përfshirë dezinformimin, kërcënimet hibride dhe kibernetike.
Paris – Presidenti francez Emanuel Makron sot do të emërojë kryeministër të ri, pas vetëm tetë ditëve pasi deputetët votuan mocionin e mosbesimit kryeministrit Mishell Barnie. Makroni dje e ndërpreu vizitën në Poloni dhe pritej që ta bëjë të ditur zgjedhjen e tij për kryeministër të ri pas kthimit në përpjekje që t’i japë fund trazirave politike disamujore, por pasi aeroplani i tij u ul në afërsi të Parisit, megjithatë ishte publikuar se do të presë që ta bëjë të ditur atë vendim. “Deklarata për emërimin e kryeministrit do të jetë nesër (të premten) në mëngjes” tha mbrëmë vonë këshilltari i presidentit, duke kërkuar që të mbetet anonim. “Ai i përfundon konsultimet e tij”, shtoi këshilltari, pa treguar hollësi shtesë.
Kiev - Shefi i kabinetit të presidentit ukrainas, Volodimir Zelenski, Andrij Jermak në një intervistë të transmetuar mbrëmë vonë tha se Kievi nuk është ende i gatshëm të fillojë negociatat me Rusinë, sepse i mungojnë armë, garancitë e sigurisë dhe statusi ndërkombëtar që e kërkon. Jermak këtë deklaratë e bëri për televizionin publik “Suspilne” në kohën kur Zelenski po shqyrton publikisht mundësinë e një zgjidhje negociuese të luftës me Rusinë, të shkaktuar nga pushtimi i Moskës në vendin fqinj në shkurt 2022. "Nuk kemi armë, nuk e kemi statusin për të cilin flasim. Dhe kjo do të thotë ftesë në NATO dhe garanci të qarta ... në mënyrë që të jemi të sigurt se Putini nuk do të kthehet pas dy ose tre vjetësh", ka thënë Jermak i cili u përgjigj negativisht kur u pyet nëse Ukraina është gati për momentin për të filluar negociatat.
Bruksel - Prej sot hyjnë në fuqi rregullat e reja për siguri për të gjitha produktet joushqimore që janë shitur, oflajn ose onlajn në tregun e BE-së. Rregullat janë pjesë e Rregullores së re të përgjithshme të BE-së për sigurinë e produkteve me të cilën zëvendëson direktivat aktuale për sigurinë e përgjithshme të produkteve dhe atyre të cilat paraqesin zëvendësim të ushqimit. Me rregullat qartësojnë detyrimet e bizneseve në lidhje me sigurinë e mallrave që ofrojnë dhe pritet që ata të sigurojnë kushte më të barabarta në treg, që duhet të sjellë benefite të konsiderueshme për konsumatorët dhe autoritetet.
Toronto - Ontario, provinca më e populluar e Kanadasë, mund të ndalojë importet e alkoolit të prodhuar në SHBA dhe të kufizojë eksportet e energjisë elektrike dhe lëndëve të para kritike për bateritë elektrike në shtetet e Miçiganit, Nju Jorkut dhe Minesotës, nëse presidenti i sapozgjedhur Donald Tramp vendos taksa për të gjitha produktet kanadeze, tha mbrëmë një zyrtar i lartë i Ontarios. Përfaqësuesi në detyrë në qeverinë e kryeministrit të Ontarios, Dag Ford tha se po shqyrtohet një ndalesë e Bordit të kontrollit të pijeve në Ontario nga importi i alkoolit amerikan.
Uashington - Administrata e presidentit amerikan, Xho Bajden miratoi edhe një paketë të ndihmës me armë për Ukrainën, me vlerë 500 milionë dollarë, thuhet në kumtesën e sekretarit shtetëror, Entoni Blinken. Zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, Xhon Kirbi paraprakisht deklaroi se SHBA-ja do të vazhdoj të sigurojë paketa shtesë të ndihmës për Ukrainën, "deri në fundin e kësaj administrate". Uashingtoni para 10 ditëve kumtoi se Ukrainës do t'i dërgojë raketa, municion, mina kundërkëmbësorike dhe armë tjetër me vlerë prej 725 milionë dollarë.
Palo Alto - Ilon Mask është personi i parë i cili ka arritur pasuri prej mbi 400 miliardë dollarë, sipas Forbs dhe Blumberg, njofton DPA. Pasuria e tij kryesisht përbëhet nga aksione në prodhimin e makinave elektrike Tesla dhe kompaninë SpaceX. Magazina amerikane Forbs ka vlerësuar pasurinë e Maskut në 431.2 miliardë dollarë, ndërsa Blumberg kumtoi se ajo arrin afër 447 miliardë dollarë.
Seul – Propozimi i dytë për revokim kundër presidentit koreanojugor Jun Suk-jeol për shkak të shpalljes së gjendjes së luftës më 3 dhjetor ishte parashtruar sot në Parlament, informuan mediat koreanojugore. Partia Demokratike kryesore opozitare planifikon ta vendosë propozimin në votim në mbledhjen e ardhshme plenare të shtunën. Kërkesa e parë për revokimin e Jun ishte refuzuar të shtunën e kaluar sepse shumica e deputetëve të partisë në pushtet e bojkotuan votimin.