• e premte, 13 dhjetor 2024
MIA Flesh

12:00/13 dhjetor/2024

Uashington - Maqedonia e Veriut në vitin 2023 ka bërë përparim në luftën kundër terrorizmit duke harmonizuar dokumentet strategjike me legjislacionin e BE-së dhe standardet ndërkombëtare, forcimin i kapaciteteve për hetimin dhe ndjekjen penale të krimeve që lidhen me terrorizmin, si dhe shkëmbimin e informacionit për të parandaluar radikalizimin e dhunës dhe përparimin në riintegrimin e të kthyerve nga zonat e luftës, thuhet në raportin e fundit të Departamentit të shtetit për terrorizmin në botë. "Qeveria në maj miratoi strategji kombëtare kundër terrorizmit dhe kundër ekstremizmit të dhunshëm me plane veprimi që fokusohen në parandalimin e radikalizimit në internet ndaj dhunës, "ekstremizmit të djathtë", riintegrimit, nevojës për trajnime të specializuara për policinë dhe punonjësit socialë dhe prioritetet e përditësuara strategjike duke përfshirë krijimin e një baze të dhënash të të kthyerve. Maqedonia e Veriut ka bashkëpunuar me përpjekjet e SHBA-së kundër terrorizmit, duke përfshirë zbulimin e hershëm", thuhet në raport.

Shkup - Zëvendëskryeministri dhe ministri i Transportit, Aleksandar Nikolloski në emisionin "Vetëm intervistë" (Samo intervju) në Kanal 5 mbrëmë paralajmëroi të paktën edhe gjashtë linja të reja ajrore nga aeroporti i Shkupit dhe Ohrit. "Tashmë kemi sjellë katër nga Shkupi dhe dy nga Ohri, ndërsa këto gjashtë të reja do të vihen në funksion deri në fund të vitit. Do të kemi destinacione të reja. Deri në fund të vitit do të shpallim gjashtë linja të reja që do të operojnë nga aeroporti i Shkupit dhe i Ohrit. Kur erdha në postin e ministrit pashë që numri i udhëtarëve po zvogëlohet, ndërsa aeroportet e rajonit po shtonin konkurrencën. Duhet të them që nga karakteri kam një shpirt konkurrues dhe ky ishte një motiv i madh për të ndryshuar gjërat dhe tani gjërat po ndryshojnë. Do të kemi destinacione të reja dhe le të urdhërojnë kolegët nga Bullgaria, Shqipëria, Serbia që të garojmë, mendoj se unë do të sjell më shumë linja ajrore", theksoi Nikolloski.

Shkup - Kryetari i Alternativës, Zeqirija Ibrahimi ka komentuar futjen e ish zëvendëskryeministrit të parë të BDI-së në listën e zezë amerikane. Sipas tij, me këtë akt, BDI-ja si parti politike është e vulosur si parti antiamerikane e zhytur në korrupsion të thellë. “Futja e ish zëvendëskryeministrit të parë të BDI-së në listën e zezë amerikane i cili thoshte se asgjë nuk bën pa lejen e Ali Ahmetit, nënkupton se në këtë agjendë ka qenë dhe është edhe Ali Ahmeti vetë. Kështu edhe BDI-ja është vulosur si parti antiamerikane e zhytur në korrupsion të thellë dhe e përfshirë në ndikim ndaj sistemit të drejtësisë”, shkruan Ibrahimi.

Shkup – Gjithnjë e më shumë pacientë kanë nevojë për transplant organesh, por, e gjitha bota përballet me mungesë të organeve të cilat mund të transplantohen dhe për këtë është shumë me rëndësi që të rritet vetëdija dhe të ketë sa më shumë transplante nga donatorë të vdekur me vdekje truri, thotë në intervistë për MIA-n, prof.dr. Biljana Kuzmanovska, koordinatore kombëtare për transplant, specialiste e anesteziologjisë me reanimim nga Qendra Klinike “Nëna Terezë” dhe Fakulteti i Mjekësisë pranë USHCM. 

Shkup - Pas iniciativës së dorëzuar nga qytetarët për kryerjen e kontrollit të jashtëzakonshëm, Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) në Shkup, ka kryer kontroll tek një operator ushqimor i cili drejton kioskat (tobakot) e duhanit, ku është gjetur një sasi e madhe e ushqimeve të pasigurta me afat të skaduar. Për shkeljen e konstatuar, kumtoi sot AUV, shërbimet inspektuese të Agjencisë kanë nxjerrë vendim për asgjësimin e 1.920 kilogramë ushqimeve të pasigurta të tërhequra nga disa kioskë me të cilat menaxhon operatori. Për veprën e kryer është shqiptuar dënim në para.

Shkup – Po vijon parahetimi lidhur me dyshimet për vepër të mundshme të kryer penale lidhur me mandatin e kryetares së Këshillit Gjyqësor, Vesna Dameva, e cila dha dorëheqje më 2 dhjetor. Siç informojnë nga Ministria e Punëve të Brendshme për MIA-n, dy procesverbalet e kërkuara të cilët duhet të kontrollohen janë marrë. “Është marrë ajo që duhet të merret, po vijon parahetimi, nuk ka çka të thuhet, kur do të përfundojë do të informojmë për gjithçka, deri kur do të zgjasë edhe ajo nuk dihet”, thonë nga MPB. 

Shkup - Nëpunësit policorë të Departamentit të policisë kriminalistike-Sektori për tregti të paligjshme me drogë dhe armë dhe SPB Strumicë-NJPB Vallandovë kanë sekuestruar rreth katër ton marihuanë nga një person juridik në fshatin Josifovë të Vallandovës. Siç njofton MPB, në fund të muajit tetor dhe fillim të nëntorit 2024 te personi juridik për prodhim, tregti dhe shërbime me aktivitet prioritar, kultivim të kulturave tjera shumëvjeçare dhe licencë të fituar për kultivimin e marihuanës për qëllime mjekësore, është kryer kontroll nga Komisioni në kuadër të Ministrisë së Shëndetësisë me kërkesë të MPB-së dhe në prani të nëpunësve policorë nga Departamenti i policisë kriminalistike dhe SPB Strumicë - NJPB Vallandovë. Gjatë kontrollit janë konstatuar parregullsi të shumta në lidhje me marihuanën e prodhuar për qëllime mjekësore, dhe është njoftuar prokurori publik kompetent nga Prokuroria publike Gjevgjeli i cili ka dhënë urdhër për bastisje të personit juridik, me urdhër të lëshuar më parë nga gjyqtari në procedurë paraprake nga Gjykata Themelore Penale Gjevgjeli dhe Komisioni pranë Ministrisë së Shëndetësisë për plotësimin e kushteve për hapësirë, pajisje dhe personel për marrjen e lejes për prodhimin e marihuanës për qëllime mjekësore.

Shkup – Tërmet me Magnitudë lokale të Rihterit МL2.3. është regjistruar sot herët në mëngjes në orën 1 e 36 minuta në rajonin epiqendror Tetovë – Gostivar, njoftoi Observatoriumi Sizmologjik në kuadër të Fakultetit Matematiko-Natyror në Shkup. Epiqendra e tërmetit ishte 47 kilometra në jugperëndim të Shkupit, ndërsa është ndjerë në Gostivar dhe rrethinë me intensitet prej III ballë sipas Shkallës Makrosizmike Evropiane.

Shkup - Agjencia për Komunikime Elektronike (AKE) planifikon të hyra në vlerë prej 572.550.000 denarë në vitin 2025,  rreth31,02 për qind më pak se vitin e kaluar. Në Planin vjetor financiar për vitin 2025 i publikuar dje në faqen e AKE-së, parashihen të hyra prej 460 milionë denarë nga tarifat për shfrytëzimin e radiofrekuencave, 57 milionë denarë nga mbikëqyrja e tregut të komunikimeve elektronike, 53 milionë denarë nga tarifat për shfrytëzimin e numrave të ndarë dhe seri numrash. Gjithashtu, të hyra nga listat e kamatës dhe taksave gjyqësore prej 800 mijë denarë, 500 mijë denarë nga shitja e mjeteve fikse të shpenzuara, 350 mijë denarë nga kamata pa afat...

Prishtinë - Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani e cila po qëndron në Uashington është takuar me Senatorin republikan, Ted Kruz. Osmani ka shkruar: Forcimi i partneritetit ndërmjet Kosovës dhe SHBA-së, adresimi i sfidave të përbashkëta dhe shkëmbimi i ideve për bashkëpunim në fusha të interesit të dyanshëm ishin në fokus të takimit me Senatorin republikan Ted Kruz. Shtetet e Bashkuara mbeten një aleat jetik për Kosovën dhe jemi mirënjohës për mbështetjen dhe përkushtimin e Senatorit Kruz ndaj vlerave dhe vizionit tonë të përbashkët.

Tiranë - Liderët evropianë me 16 maj të vitit të ardhshëm do të takohen në Tiranë, në kuadër të samitit të gjashtë të Bashkësisë politike evropiane, publikoi ABC njuz. "Ky samit vjen në një moment të rëndësishëm për Shqipërinë, pas progresit që pati vendi në skenën ndërkombëtare, por edhe në rrugëtimin drejt Bashkimit Evropian, sepse më 18 dhjetor pritet që të mbahet Konferenca e tretë ndërqeveritare në kapitullin e 6-të, ajo për marrëdhëniet jashtë", thekson televizioni. Gjithashtu samiti do të mbahet vetëm pak ditë pas zgjedhjeve parlamentare që do të mbahen në vend më 11 maj, ku opozita paralajmëroi fitoren pas humbjeve në tre ciklet e mëparshme zgjedhore, ndërsa qeveria aktuale "vazhdimësi e përpjekjeve për Shqipërinë në BE deri në vitin 2030".

Tiranë - Lista e pagave të Kuvendit tregon se deputetët shqiptarë në muajin nëntor kanë marrë pagë prej 4.044, prej të cilave gjysma është emër të mëditjes, derivateve, qirave dhe telefonave. Pagat, deputetët para një viti me vendimin që votuan i rritën në 2.295 euro prej 1.173 euro. Ndërkohë, honorarët, kompensimet për derivate, qiratë, shtesat e telefonit dhe të tjera janë rritur ndjeshëm që nga miratimi i ligjit në Kuvend për pagat dhe bonuset. Për shembull, çdo deputet merr 173 euro për telefon, 408 euro për derivate dhe nga 102 euro për mbledhje të komisioneve

Bruksel - Bashkëpunimi mes Bashkimit Evropian dhe NATO-s në kushte të sfidave aktuale gjeopolitike ishte tema kryesore në takimin e mbrëmshëm të kryeteres së Komisionit Evropian, Ursula fon der Lajen dhe sekretarit të përgjithshm të Aleancës, Mark Rute në Bruksel. Në publikimin në platformën Iks, kushtuar takimit, Fon der Lajen njoftoi se partneriteti mes BE-së dhe NATO-s paraqet "gur-themel të sigurisë sonë". "Në botën e cila ndryshon, ku kërcënimet marrin shumë forma, mirë është të jemi të qartë", ka shkruar në mëngjes Fon der Lajen në publikimin.

Kiev - Rusia që nga mëngjesi ka kryer një sulm të madh ajror në rajonet e Ukrainës duke përdorur raketa dhe dronë. “Armiku vazhdon me terrorin e tij. Edhe një herë, sektori energjetik në të gjithë Ukrainën është nën sulm masiv”, publikoi ministri i energjetikës, Herman Halushçenko. Mbrojtja ajrore është aktive në rajonin e Kievit, informoi madje administrata rajonale. Shpërthime u regjistruan gjithashtu në rajonet Odesa, Vinistia, Lviv, Ivano-Frankovsk dhe Çerkasi.

Moskë - Rusia hodhi 93 raketa në drejtim të Ukrainës herët në mëngjes, drejtuar sektorit energjetik të Ukrainës, deklaroi sot presidenti ukrainas, Volodimir Zelenski. "Edhe një tjetër sulm raketor rus kundër Ukrainës. Raketa kryqëzuese, raketa balistike. Sipas vlerësimeve fillestare, janë hedhur 93 raketa, të paktën një prej prodhimit të Koresë së Veriut. Janë rrëzuar gjithsej 81 raketa, 11 prej të cilave u hasën nga aeroplani ynë F-16. Përveç kësaj, forcat ruse përdorën 200 dronë gjatë sulmit. Kjo ishte një nga sulmet më të mëdha në infrastrukturën tonë energjetike", bën të ditur lideri ukrainas në Iks, duke bërë thirrje për mbrojtje më të madhe ajrore perëndimore dhe sanksione më të ashpra ndaj Moskës.

Cyrih - Kombëtaret evropiane në futboll sot do të mësojnë kundërshtarët e tyre kualifikues për Kupën e Botës 2026, që do të mbahet në SHBA, Meksikë dhe Kanada, në shortin, i cili do të mbahet sot në ora 12:00 në Cyrih të Zvicrës. Ky Botëror do të ketë numër rekord të pjesëmarrësve - 48. Do të tërhiqen 12 grupe - nga A deri L. Në gjashtë grupet e para do të ketë katër, ndërsa në të tjerat nga pesë ekipe. Gjithsej 16 kombëtare nga zona e UEFA-s drejtpërdrejtë kualifikohen pë Botërorin 2026. Ato janë fituesit në 12-të grupet, ndërsa katër vendet e tjera do të përcaktohen në mars të vitit 2026 në balotazhin e UEFA-s me 16 ekipe. Në të marrin pjesë 12 ekipet e dyta në fazën e grupeve dhe katër fituesit më lartë të radhitur në grupet në Ligën e Kombeve 2024/25, të cilat nuk janë kualifikuar drejtpërdrejtë për Botërorin si fitues të grupeve, as nuk kanë hyrë në balotazh si fitues të grupeve.

QËNDRONI TË LIDHUR