15:00/12 dhjetor/2024
Shkup - Kuvendi sot në vazhdimin e seancës së 15-të miratoi disa ligje për ratifikimin e konventave, protokolleve dhe marrëveshjeve nga fusha të ndryshme. Janë votuar ligjet për ratifikimin e ndryshimeve dhe plotësimeve në Konventën për procedurën e përbashkët të tranzitit, protokollin për eliminimin e tregtisë së paligjshme të produkteve të duhanit, Marrëveshjen për bashkëpunim në mbrojtje nga fatkeqësitë në Ballkanin Perëndimor, Protokollin e Nëntë Shtesë të Kushtetutës së Unionit Botëror Postar (UBP), Protokollin e dhjetë plotësues të Kushtetutës së UBP-së dhe Protokollin e njëmbëdhjetë plotësues të Kushtetutës së UBP-së.
Shkup – Kuvendi sot me 61 vota “për” e votoi Ligjin për Realizimin e Buxhetit të Republikës së Maqedonisë për vitin 2025, me procedurë të shkurtër, pas miratimit të Buxhetit në mbledhjen më 10 dhjetor. Me Ligjin përcaktohen mënyrat dhe kushtet për realizimin e Buxhetit për vitin vijues fiskal. Edhe me këtë ligj vendoset detyrim për realizim të 15 për qind të shpenzimeve kapitale në tremujorin e parë, prej 40 për qind në tremujorin e dytë, 65 për qind në tremujorin e tretë dhe 70 për qind në tremujorin e katërt, me përjashtim të Programit – Integrimi në BE dhe nënprogramet Integrimi në NATO dhe Projekte infrastrukturore në komuna.
Shkup – Kuvendi sot votoi ndryshimet ligjore me të cilat duhet të mundësohet ndërtimi i përshpejtuar i seksioneve të autostradave në korridoret 8 dhe 10d, me vendime me të cilat rregullohet mënyra e pagesës së punëve lidhur me shpronësimin. Në vazhdimin e mbledhjes së 22-të, me 64 vota “për” ishte miratuar Ligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për konfirmimin e interesit publik dhe nominimin e partnerit strategjik për zbatimin e projektit për ndërtimin e Korridorit infrastrukturor 8 (projekti për autostradën Trebenishtë – Strugë – Qafë Thanë) dhe Korridorit 10d (seksioni në autostradën Prilep – Manastir), me procedurë të shkurtër, me propozim të grupit parlamentar të VMRO-DPMNE-së.
Shkup - Deputeti i Koalicionit VLEN, Halil Snopçe, gjatë fjalimit të tij në seancën parlamentare rreth buxhetit, tha se sipas disa hulumtimeve të institucioneve relevante si Banka Botërore, Fondi Monetar Ndërkombëtar (FNM), Këshilli i Evropës, të gjithë kanë një konstatim unanim që shtetet e Ballkanit Perëndimor në përgjithësi krahasuar me pjesën tjetër të BE-së, kanë një decentralizim fiskal të nivelit shumë të ulët.
Shkup - Në vitin 2023, komunat dhe Qyteti i Shkupit kanë shpenzuar 67.269.053 denarë (1,1 milion euro) për shërbime avokatie, përderisa ministritë kanë paguar 62.428.934 denarë (1 milion euro), tregon hulumtimi për pagesat për shërbimet e avokaturës nga buxhetet e komunave dhe ministrive që publikoi sot Qendra për komunikime civile. Sipas hulumtimit, komunat përdorin kritere të ndryshme për përzgjedhjen e avokatëve, duke përfshirë reputacionin, përvojën, qasjen dhe rekomandimet.
Shkup - Gjykata e Apelit e ka hequr aktgjykimin e shkallës së parë për rastin "Besa Trans" dhe lënda është kthyer në gjykim të sërishëm. Nga Gjykata e Apelit për MIA-n konfirmojnë se ka vendim për lëndën dhe se tashmë është kthyer në gjykatën e shkallës së parë. "Vendimi është hequr, ankesat e të akuzuarit si person fizik dhe juridik janë pranuar. Pas ankesave dhe sipas detyrës zyrtare, aktgjykimi është hequr dhe lënda është kthyer në gjykim të sërishëm", informojnë nga Gjykata e Apelit.
Shkup - Portali i njohur gastronomik për ushqim dhe udhëtime, "Tejst atlas" (Taste Atlas) ka publikuar listën e 100 kuzhinave më të mira kombëtare në botë për vitin 2024-2025. Kuzhina e Maqedonisë u gjet në vendin e 47-të (me notë 4,16 nga 5). Në platformën gastronomike ka më shumë se 10.000 ushqime dhe pije. Rekomandohen edhe ushqime tradicionale dhe restorante autentike. Renditjet për këtë vit janë krijuar në bazë të gati 400,000 vlerësimeve për ushqim dhe 115,000 vlerësimeve për produktet ushqimore.
Shkup - Ministri i Shoqërisë Digjitale, Stefan Andonovski deklaroi se Qeveria nuk planifikon ta kufizojë përdorimin e TikTokut pasi që janë lënduar fëmijët në sfidën "Supermen". Thotë se me vëmendje e përcjellë situatën. "Atje niveli i sigurisë dhe mbrojtjes është më i ulët nga rrjetet tjera dhe për këtë mund të shpërndahen video që bljnë thirrje në dhunë, urrejtje, bullizim... E përcjellim me vëmendje dhe do të sillemi ashtu siç sillen shtete e BE-së. Shikoj se ka disa tendenca edhe në Suedi. I përcjellim me vëmendje që të mos bëjmë diçka që është hap në drejtim të kundërt me demokracinë, por gjithsesi në drejtim të mbrojtjes së të rinjve", theksoi Andonovski.
Shkup - Konventa për Refugjatët dhe Protokolli kanë kontribuar në mbrojtjen e miliona njerëzve dhe është një nga instrumentet më të respektuara për të drejtat e njeriut që KB-ja ka në funksion. Ne mund t'u tregojmë vendeve të tjera që luftojnë me pashtetësinë se zgjidhjet janë të mundshme dhe me vullnet politik këto çështje mund të zgjidhen. Kjo u konstatua në përkujtimin e 30 vjetorit të vendosjes së marrëdhënieve diplomatike me Komisionerin e Lartë të Kombeve të Bashkuara për Refugjatë dhe hapjen e Zyrës së UNHCR-së në Shkup në vitin 1994, që u mbajt në Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme. Me këtë rast është promovuar edhe një video në të cilën ndërthuren aktivitetet e UNHCR-së në vend dhe dëshmitë e refugjatëve që kanë marrë nënshtetësinë.
Shkup - Ekipet e NP Higjiena Komunale - Shkup, gjatë ditës së djeshme kanë pastruar dy deponi të egra në komunën Gjorçe Petrov të Shkupit. "Ndërhyrja është bërë në rrugët 'Vasil Çakalarov' dhe 'Voin Drashkoviq', ku janë ngritur dhe transportuar rreth 20 metra kub mbetje komunale të vëllimshme, të përziera dhe nga paketimi i kartonit të hedhura në mënyrë të paligjshme", kumtoi "Higjiena Komunale - Shkup.
Shkup - Komunikacioni në rrugët shtetërore po zhvillohet në kushte dimërore, në disa vende me lagështi. Ulje të dukshmërisë për shkak të mjegullës deri në 50 m. ka në qafën malore të Pletvarit. Të gjitha drejtimet rrugore në vend janë të kalueshme, pa ndalesa dhe kufizime, informon NP "Rrugët e Maqedonisë".
Shkup - Nesër paradite do të ketë paraqitje të mjegullës nëpër lugina, ndërsa gjatë ditës do të mbajë mot me diell me vranësira të ulëta deri në mesatare, kumton DPHM. Të shtunën pasdite, gjatë natës dhe të dielën nën ndikimin e valës së lagështisë moti do të jetë me vranësira të pjesshme me reshje të kohëpaskohshme të shiut, ndërsa të dielën dhe në disa nga viset më të larta reshjet do të jenë me borë. Të dielën pasdite dhe të hënën do të fryjë erë e fuqishme nga drejtimi verior.
Prishtinë - Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti sot ka refuzuar të deklarohet nëse do t'i përgjigjet thirrjes së Prokurorisë speciale të Kosovës, për të dëshmuar në rast për gjoja keqpërdorim të rezervave shtetërore. Pas pjesëmarrjes në promovimin e projektit "Përforcimi i menaxhmentit digjital për dhënie të shërbimeve", Kurti në pyetjet e gazetarëve për ftesën e Prokurorisë speciale tha se "është në nxitim sot në takime tjera". Kurti është ftuar nga prokuroria speciale të japë dëshmi më 16 dhjetor, si dëshmitar në rastin për keqpërdorimin e pozitës zyrtare.
Prishtinë - Grupi kriminal për trafikim me armë i cili vepronte në Kosovë dhe Shqipëri është shpartalluar pas një hetimi nëntëmujor në Prokurorinë speciale të Kosovës me Prokurorinë e Gjykatës Themelore me kompetenca të përgjithshëm në Tiranë pas çka janë arrestuar 14 persona, kumtoi sot Prokuroria speciale."Prokuroria speciale e Kosovës në lidhje me këtë rast ka informuar opinionin se në muajin prill të këtij viti, ka marrë një informacion lidhur me dyshimin se shtetas të caktuar të Kosovës dhe Shqipërisë janë të angazhuar në import, eksport, furnizim, transport, ndërmjetësimin dhe shitjen e paautorizuar të armëve apo materialeve shpërthyese pas marrjes së atij informacioni ka njoftuar policinë e Kosovës për të ndërmarrë veprime hetimore, për shkak të mbledhjes së provave", theksohet në kumtesë.
Tiranë - Në periudhën janar-shtator, sektori turistik në ekonominë shqiptare ka sjellë të ardhura prej 3,8 miliardë euro, duke iu afruar nivelit të të ardhurave nga gjithë viti i kaluar, kur kanë arritur 4,2 miliardë euro, publikoi Banka Qendrore e Shqipërisë. Vetëm gjatë sezonit veror, janë realizuar të ardhura prej 1,9 miliardë euro, tregojnë të dhënat e bankës, e cila vlerëson se të hyrat dhe shpenzimet në këtë sektor janë rritur në mënyrë përkatëse për rreth 15 për qind. Të dhënat konfirmojnë se për 11 muaj Shqipërinë e kanë vizituar mbi 11 milionë turistë të huaj, që është për 1,5 milionë ose 15,8 për qind më shumë krahasuar me periudhën e njejtë të vitit të kaluar.
Tiranë - Në darkën e festave të fundvitit që tradicionalisht e organizon kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, ndërsa në të cilën janë të ftuar trupi diplomatik dhe përfaqësues të bashkësive fetare, këtë herë nuk u respektua nga disa diplomatë të disa vendeve. Ka munguar ambasadori amerikan në detyrë, Nensi Van Horn, ambasadori i BE-së, Silvio Gonzato, ambasadori i Gjermanisë, Karl Bergner, ai i Britanisë së Madhe, Nik Abot dhe i Italisë, Fabricio Buçi.
Moskë - Kremlini sot informoi se armata ruse "domosdoshmërisht do t'i përgjigjet sulmit të fundit ukrainas me raketa amerikane ATAKMS", ndaj aeroportit ushtarak në Taganrog në rajonin e Rostovit që për presidentin e Rusisë, Vlladimir Putin paraqet vijat e kuqe. "Përgjigja do të vijojë. Do të vijojë në momentin dhe në mënyrën që do të konsiderohet si e përshtatshme. Patjetër do të vijojë", tha zëdhënësi i Kremlinit, Dimitrij Peskov në brifingun e tij ditor. Ai theksoi se armata ruse dje dha "deklaratë absolutisht të qartë lidhur me këtë".
Bruksel - Këshilli i Drejtësisë dhe Punëve të Brendshme të BE-së sot miratoi dy rregullore për krijimin dhe zbatimin e kornizës për mbledhjen dhe shpërndarjen e hershme të informacioneve për udhëtarët ajror (API), me të cilën pritet të përmirësojë sigurinë kufitare të bllokut dhe të forcojë luftën kundër terrorizmit dhe krimit të rëndë. Sipas ministrit hungarez të Punëve të Brendshme Shandor Pinter, BE-ja nuk duhet të lejojë zonat gri në lidhje me personat që mbërrijnë në të me aeroplane.
Londër - Bashkimi Evropian duhet të jetë i guximshëm në qëndrimin e tij ndaj Ballkanit Perëndimor dhe ta njohë atë si një rajon me rëndësi strategjike. Këtë në intervistën për BTA e deklaroi ish raportuesi i Parlamentit Evropian për përparimin e Bullgarisë në rrugën evropiane, Xhefri van Orden. Ai theksoi se një çështje e rëndësishme në rrugën drejt anëtarësimit në BE për Shqipërinë, Bosnje e Hercegovinën, Kosovën, Malin e Zi, Maqedoninë e Veriut dhe Serbinë është nëse është politikisht e nevojshme që ata të anëtarësohen si anëtarë të plotfuqishëm të "klubit perëndimor". Ndërsa në klubin perëndimor, shtoi ai, mendoj në Bashkimin Evropian dhe NATO-n.
Paris - Të paktën 54 gazetarë janë vrarë këtë vit në të gjithë botën, prej të cilëve pothuajse një e treta në Rripin e Gazës, njofton organizata për të drejtat e njeriut "Reporterë pa kufi" në raportin e saj vjetor. Deri tani numri i gazetarëve të vrarë mbetet në nivel të njejtë, tregojnë të dhënat nga fundi i nëntorit të siguruar nga organizata. Megjithatë, ajo tha edhe se çdo vit ka mësuar për raste të vdekjeve të cilat jepen në statistikë, kështu që ka gjasa që numri i gazetarëve të vrarë të rritet. Në raport thuhet se mbulimi i konflikteve ushtarake ka qenë i rrezikshëm, me 31 nga 54 gazetarë të vrarë në zonat e konfliktit, më së shumti në pesë vitet e fundit. Zona më e rrezikshme është Gaza, ku Izraeli lufton me Hamasin dhe grupet e tjera palestineze.
Vjenë - Shefi i diplomacisë austriake, Aleksandar Shalenberg deklaroi se deportimi potencial i qytetarëve sirian nga Austria mund të fillojë vetëm kur të stabilizohet gjendja në Siri, por se tani për tani është e pamundur të parashihet se kur kjo mund të ndodhë. "Gjëja më normale dhe më e arsyeshme në botë është të themi se do ta bëjmë sa më shpejt. Nuk e di kur do të jetë. A mund të shihni në të ardhmen?", deklaroi Shalenberg, raportojnë mediat britanike. Ai theksoi se do të nevojitet kohë për t'u sqaruar situata në Siri, duke paralajmëruar "skenarin libanez" në vend.
Tel Aviv - Tridhjetë e tetë persona kanë humbur jetën në sulmet izraelite në zona të ndryshme të Rripit të Gazës, njoftoi sot agjencia palestineze e lajmeve. Mes viktimave ka pasur 13 palestinezë që po shoqëronin dërgimin e ndihmave në pjesën jugore të brezit bregdetar, sipas Agjencisë. Të tjerë thuhet se u vranë në sulmet në Gazën qendrore dhe veriore, duke përfshirë gra dhe fëmijë. Ushtria izraelite tha se "ka kryer sulme precize kundër terroristëve të armatosur të Hamasit të mbledhur në dy pika të ndryshme takimi në Gazën jugore", pasi mori informacione për praninë e tyre.
Seul - Parlamenti i Kores së Jugut sot miratoi propozimin për shkarkimin e shefit të policisë kombëtare dhe ministrit të Drejtësisë për shkak të rolit të tyre në zbatimin e masave kufizuese gjatë gjendjes së luftës e cila u fut për disa orë javën e kaluar. Legjislativi me shumicë opozitare planifikon të paraqesë një mocion të dytë për shkarkimin e presidentit Jun Suk-jol, pasi votimi i parë dështoi për shkak të bojkotit të partisë në pushtet.
Brazili - Presidenti brazilian Luis Inasio Lula da Sillva në mëngjes për herë të dytë është operuar që të pengohet sulm i ri në tru, publikoi mjeku i tij, Roberto Kalila. Sipas mjekut, intervenimi ka qenë i suksesshëm, Lula është i zgjuar dhe është në kontakt me ekipin mjekësor, njofton portali Globo. Operacioni ka zgjatur më pak se një orë dhe siç sqaroi Kalila, bëhej fjalë për procedurë minimale invazive mjekësore, e cila nuk do të ndikojë në rikuperimin e planifikuar të presidentit dhe daljes së tij nga reparti për kujdes intensiv.
Uashington - Presidenti amerikan në largim Xhozef Bajden sot publikoi se ka falur 39 persona të dënuar për krime jo të dhunshme dhe ua ndryshoi dënimet gati 1.500 personave të cilët vuanin dënime të gjata me burg. Falja dhe ulja e dënimeve erdhën një javë pasi Bajdeni nënshkroi falje të pakushtëzuar për djalin e tij Hanter. Zyrtarët thanë javën e kaluar se Shtëpia e Bardhë po u përgjigjet kërkesave që Bajdeni të shpreh të njëjtën mëshirë për mijëra persona të cilët janë dëmtuar nga sistemi i drejtësisë.