15:00/13 dhjetor/2024
Shkup - Kryeministri Hristijan Mickoski pret që me uljen e paralajmëruar të produkteve të aksionit “Shporta e Vitit të Ri” të mbrohet buxheti familjar dhe të ketë një tryezë festive më të pasur. Mickoski sot në pyetjen e gazetarëve, tha se numri i produkteve të përfshira në masën është rritur nga 600 në 800 dhe theksoi se Inspektorati Shtetëror i Tregut do ta vëzhgojë punën e marketeve.
Kërçovë - Aksioni policor në Këshillin Gjyqësor është me qëllim për vërtetimin e dyshimit për falsifikimin e procesverbaleve, përmes të cilave është manipuluar vullneti dhe mendimi i anëtarëve të Këshillit gjyqësor nga ana e individëve, theksoi sot kryeministri Hristijan Mickoski duke shtuar se pret që kjo shumë shpejt të pastrohet. Duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve pas vendosjes së gurthemelit për ndërtimin e fabrikës së baterive elektronike për automjetet e kompanisë belge "Avesta Battery and Energy Engineering" në ZZHTI Kërçovë, ai tha se në Këshillin gjyqësor ekziston dyshim i bazuar për keqpërdorime të mëdha të cilat janë bërë në periudhën e kaluar.
Kërçovë - Kryeministri Hristijan Mickoski në komentin rreth aksionit të MPB-së "Aditivi" lidhur me funksionimin e KME Manastir dhe TEC “Oslomej” njoftuan se lufta kundër krimit do të vazhdojë dhe paralajmëroi dhjetëra raste të tilla në periudhën e ardhshme. "Po, do të vazhdojë. Ne thamë me vëmendje, thamë nuk do të bëjmë shfaqje nga e gjithë kjo, do të vazhdojë. Ne i qëndrojmë asaj që thamë. Kur të sigurohen provat dhe dyshime të bazuara për krim, Ministria e Punëve të Brendshme së bashku me prokurorinë ndërmarrin aksion. Ai aksion është kryer pak ditë më parë, dyshohen 23 persona dhe dy persona juridikë. Në periudhën në vijim po punohet për dhjetëra raste. Për qytetarët e Maqedonisë do të bëhet shumë e qartë se çfarë ka ndodhur në vitet e kaluara", tha Mickoski në pyetjen e gazetarëve pas pjesëmarrjes në gurthemelin e fabrikës në ZZHTI Kërçovë.
Shkup - Zëvendësministri i Ekonomisë, Marjan Risteski sot njoftoi se lista e produkteve të aksionit "Shporta e Vitit të Ri" është rritur për më shumë se 900 produkte. "Interesi për t'iu bashkuar kompanive në aksionin 'Shporta e Vitit të Ri' është rritur, për një javë lista e produkteve është rritur nga 650 në më shumë se 900 produkte", ka shkruar Risteski në rrjetet sociale. Ai tha se nga pardje, kur ka filluar aksioni deri më 15 janar qytetarët do të mundë të blejnë 900 produkte nga 83 kompani të cilat vetë i kanë ofruar, me çmime më të ulëta për 10 për qind. Risteski falënderoi kompanitë që janë pjesë e aksionit (prodhuesit, distributorët dhe tregjet) të cilat, siç thekson, dolën në ndihmë të thirrjeve të publikut dhe përgjegjësinë e tyre sociale dhë në vepër e dëshmojnë përgjegjësinë shoqërore.
Shkup - Lidhja e Sindikatave të Maqedonisë përkujton se deri në fund të vitit punëdhënësit duhet të paguajnë regres për pushim vjetor që është e rregulluar me Marrëveshjen e përgjithshme kolektive për sektorin publik dhe me Marrëveshjen e përgjithshme kolektive për sektorin privat. "Si sindikatë përfaqësuese në sektorin publik, vitin e kaluar 2023 e nënshkroi Marrëveshjen e përgjithshme kolektive për sektorin publik, me të cilin pas një periudhe më të gjatë kohore krahas të drejtave të tjera e ka siguruar edhe të drejtën e regresit për pushim vjetor për të gjithë të punësuarit në sektorin publik. Në këtë kuptim përkujtojmë se kjo e drejtë duhet t'u sigurohet punëtorëve deri në fund të vitit, për çka në të vërtetë Qeveria në seancën e saj të fundit ka marrë vendim se gjithë sektori publik duhet të paguajë regres për pushim vjetor për të punësuarit, ndërsa punëdhënësit duhet ta respektojnë në tërësi", informojnë sot nga LSM.
Shkup – Ndalesë për import të automjeteve më të vjetra se 10 vjet dhe nën standardin “EURO 5” dhe kufizim të importit të të rejave me standard minimal “EURO 6”, kërkuan përfaqësues të nismës O2 në konferencën e sotme për media para Qeverisë. Siç sqaruan, sot do t’i dërgohet edhe kërkesë zyrtare, e mbështetur nga më shumë organizata civile, kryeministrit Hristian Mickoksi dhe Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut.
Shkup - Në kuadër të vizitës së tij të punës në Republikën e Moldavisë, Ministri për Çështje Evropiane, Orhan Murtazani, sot në Kishinev zhvilloi takim me Zëvendëskryetaren e Qeverisë së Republikës së Moldavisë, përgjegjëse për eurointegrime, Kristina Gerasimov. Në fokus të bisedimeve ishte bashkëpunimi bilateral dhe ambiciet e përbashkëta për progresin në rrugën drejt BE-së, me çka përforcohen lidhjet përmes mbështetjes dhe bashkëpunimit të ndërsjellë, informojnë nga Ministria e Çështjeve Evropiane. Murtezani dhe Gerasimov diskutuan për proceset aktuale të aderimit në BE të Maqedonisë së Veriut dhe Moldavisë, duke theksuar sfidat dhe mundësitë për harmonizimin e politikave nacionale me standardet evropiane. Gjithashtu, ata shkëmbyen mendime për prioritetet kryesore të reformave, veçanërisht ato që lidhen me përforcimin e institucioneve, avancimin e qeverisjes së mirë dhe nxitjen e zhvillimit ekonomik.
Shkup - Mbushja e buxhetit është stabil dhe është plotësisht e qartë se këtë vit do ta përfundojmë me plotësimin e planit, pasi deri nga fundi i vitit mbetet të paguhen edhe pesë për qind nga plani vjetor, vlerësoi sot drejtoresha e Drejtorisë për të ardhura publike (DAP), Elena Petrova. "Përfundimisht me 30 nëntorin, plani është plotësuar tërësisht dhe është tejkaluar me dy për qind. Tani gjendemi në periudhë nga muaji dhjetor, kur ende nuk kanë kaluar datat kyçe, kur janë afatet për pagesë të obligimeve, ato janë 15 dhe 25 në muaj, por ja deri në fund të vitit mbetet të paguhet edhe pesë për qind nga plani vjetor dhe krahasuar me atë se cilat janë tendecat historike, sa të ardhura ose çfarë pjese nga plani vjetor paguhet gjatë muajit dhjetor çdo vit, krejtësisht është e qartë se këto pesë për qind do të paguhen deri nga fundi i vitit", deklaroi Petrova në përgjigje të pyetjes para fillimit të prezantimit të Raportit më të ri të Bankës Botërore për vendin.
Shkup - Maqedonia e Veriut mund të përballet me borxhin në rritje dhe të sigurojë stabilitet makroekonomik duke përmirësuar gjendjen e saj fiskale përmes përforcimit të disiplinës buxhetore, duke përmirësuar efikasitetin e shpenzimeve publike dhe duke përmirësuar pagesën e taksave, theksohet në raportin e ri të Bankës Botërore "Rishikimin e financave publike të Maqedonisë së Veriut: Sigurimi i stabilitetit dhe forcimi i elasticitetit". Në raport theksohet se strategjia e fundit me të cilën supozohet reduktimi i disbalancit fiskal me rritjen ekonomike, nuk solli rezultate të mjaftueshme. Në dekadën e fundit, vendi është përballur me deficite fiskale më të larta se vendet e Ballkanit Perëndimor me nivele të borxhit që tejkalojnë 62 për qind të Bruto prodhimit vendor (BPV).
Shkup - Shefi i Delegacionit të Bashkimit Evropian në vend, Mihalis Rokas, sot, duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve lidhur me listën e zezë amerikane, ku janë vendosur ish zëvendës kryeministri Artan Grubi dhe gjyqtari i Gjykatës së Apelit, Enver Bexheti, tha se tani është me rëndësi që gjyqësia në vend t'i ndërmerr të gjitha aktivitetet e mundshme lidhur me këtë rast, por edhe me të gjitha rastet tjera, ku është i pranishëm korrupsioni në shtet.
Shkup - Procesi i zgjerimit është prioritet kulmor kryesor i Bashkimit Evropian. Bëjmë përpjekje që të përfundojë procesi i reformave në Maqedoninë e Veriut dhe sa më shpejtë të arrihet qëllimi, që vendi të bëhet anëtar i BE-së, deklaroi sot shefi i Delegacionit të BE-së në vend, Mihalis Rokas, duke iu përgjigjur pyetjes së gazetarëve, gjatë vizitës së tij në Tetovë. Ai potencoi se në këtë moment, në vijim janë më shumë aktivitete diplomatike lidhur me këto çështje, duke potencuar se udhëheqësia e re e BE-së bën shumë përpjekje që Maqedonia e Veriut të bëhet pjesë e familjes evropiane.
Shkup - Këshilli Gjyqësor i Republikës së Maqedonisë së Veriut i ka përgënjeshtruar pretendimet për bastisje në hapësirat e tyre, duke theksuar se kanë vepruar sipas kërkesave me shkrim të Prokurorisë Themelore Publike (PTHP) Shkup. Këshilli thekson se nuk është dhënë urdhër për bastisje dhe se do të vazhdojë të bashkëpunojë me të gjithë organet kompetente, të udhëhequr nga parimet e një gjyqësori të pavarur, të përgjegjshëm dhe transparent.
Shkup - Duke vepruar rreth lëndës së formkuar pas emërimit të dy personave në të ashtuquajturën "listë e zezë" e SHBA-së, Prokuroria themelore publike Shkup informon se janë ndërmarrë veprime në suaza të të cilave një hetues nga Qebdra hetimore e prokurorëve i ka kërkuar dhe i ka marrë nga Këshilli gjyqësor të gjitha shkresat lidhur me procedurat për përcaktimin e përgjegjësisë së gjykatësve të cilët kanë vepruar në lëndën e njohur në opinion si "Target-Fortesa". Nga PPRMV theksojnë se po ndërmerren edhe veprime të tjera për hetimin e plotë të ngjarjes.
Shkup - Projeksionet bëhen nga të gjitha anët, ndërsa kyçe është se ka ndërgjegjësim që mungojnë mjete në Fondin pensional dhe se duhet gjetur një zgjidhje për sanimin e vrimave në fond, potencoi sot Gligor Bishev, kryetar i Këshillit fiskal. "Ne kemi një diagnozë dhe diagnoza është e përbashkët. Ekziston një konsensus, e ajo është se ka mungesë të mjeteve. Mbetet për t'u përcaktuar terapia. Diskutohet për terapinë dhe ne nuk jemi zëvendësues i politikëbërësve ekonomikë. Kjo në një debat më të gjerë është zgjidhje që duhet të miratohet dhe të zgjidhet përfundimisht nga bartësit e politikave ekonomike", deklaroi Bishev në përgjigjen e pyetjeve të gazetarëve para fillimit të prezantimit të Raportit të Bankës Botërore për vendin.
Shkup - Në vijim është pagesa e kompensimit për ndihmë dhe përkujdesje nga një person tjetër, kompensim për shkak të aftësisë së kufizuar dhe kompensim për vendosje në familje kujdestare për muajin nëntor 2024 njofton Ministria e Politikës Sociale, Demografisë dhe Rinisë. Më pesë dhjetor ka filluar pagesa e të drejtave sociale dhe të mbrojtjes së fëmijëve.
Shkup - Gjatë 24 orëve të kaluara janë larguar dhe transportuar 30 metra kub mbetje nga deponitë e egra në komunat Gjorçe Petrov dhe Çair të Shkupit. Siç informon "Higjiena komunale" - Shkup, kanë filluar aktivitetet për largimin e një sasie më të madhe të mbetjes komunale të vëllimshme, të përziera dhe nga paketimet e kartonit të hedhura në mënyrë të paligjshme në rrugën Lihnida në komunën Gjorçe Petrov. Aktivitetet për pastrimin e këtij lokacioni do të vazhdojnë edhe gjatë ditës së sotme.
Shkup – Komunikacioni në rrugët shtetërore zhvillohet pandërprerë në kushte dimërore, nëpër disa vende të lagështa. Dukshmëri të ulur për shkak të mjegullës deri 20 metra ka nga fshati Gajre – fshati Lisec dhe qafat malore Gjavatë dhe Pletvar deri 50 metra. Nga NP Rrugët e Maqedonisë informojnë se të gjitha akset rrugore në shtet janë të kalueshme, pa ndalesa dhe kufizime. Në disa akse rrugore të cilat kalojnë përgjatë grykave ka mundësi për paraqitje të rrëshqitjeve më të vogla të dheut.
Tetovë - Rektori i Universitetit të Tetovës Prof. Dr. Jusuf Zejneli bashkë me Kryetarin e Parlamentit Studentor Ladon Murseli dhe me një grup studentësh, morën pjesë në edicionin e dytë të Konferencës Shkencore Ndërkombëtare Studentore me temë: "Kërkimi shkencor dhe edukimi në perspektivën e studentëve dhe të studiuesve të rinj – UT flet me zërin e studentëve". Kjo konferencë e cila u organizua nga Universiteti i Tiranës në bashkëpunim me Universitetin e Prishtinës dhe Universitetin e Tetovës, punimet i zhvilloi në ambientet e Fakultetit Ekonomik të Tiranës. Kryetarja e bordit organizativ të konferencës, Prof. Dr. Elsa Skënderi theksoi se në këtë edicion konferenca është pasuruar me pjesëmarrje të 182 studiuesve shkencorë të cilët prezantojnë 127 punime shkencore nga shkencat e albanologjisë, shkencat e natyrës, shkencat sociale, juridike, ekonomike etj.
Tetovë - Kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami sot ka pritur ambasadorin e Bashkimit Evropian, Mihalis Rokas në kuadër të vizitave të tij në komunat e Maqedonisë së Veriut. Ky takim është pjesë e një serie angazhimesh që synojnë të afrojnë qytetarët dhe institucionet lokale me procesin e anëtarësimit në Bashkimin Evropian. Siç theksohet në kumtesë, Bashkimi Evropian ka dëshmuar gjithmonë angazhimin e tij për zhvillimin e komunave tona përmes nismave konkrete që synojnë përmirësimin e cilësisë së jetës, promovimin e zhvillimit të qëndrueshëm dhe forcimin e standardeve demokratike.
Tetovë - Dekani i Fakultetit Filologjik i Universitetit të Tetovës, Prof. Dr. Berton Sulejmani, mori pjesë në seminarin "Shkodra në shekuj" të organizuar nga Universiteti i Shkodrës "Luigj Gurakuqi", Qendra e Studimeve Albanologjike, në bashkëpunim me Bashkinë e Shkodrës. Prof. Dr. Berton Sulejmani lexoi kumtesën e tij shkencore me titull "Punimet shkencore të akademik Kolec Topallit të prezantuara dhe të botuara në librat e përmbledhjeve të punimeve të Seminarit Ndërkombëtar të Albanologjisë të Universitetit të Tetovës" në të cilat, Kolec Topalli ka botuar dy punime: "Parimet themelore të hartimit të alfabetit të shqipes" (Seminari II Ndërkombëtar i Albanologjisë, 2008) dhe "Vendi i Selman Rizës për shkencat albanologjike" (Seminari III Ndërkombëtar i Albanologjisë, 2009). Akademik Kolec Topalli është një personalitet i shquar i shkencave albanologjike të kohës sonë. Rezultatet e punës që na ka lënë shtrihen në fusha të ndryshme hulumtimi të historisë së gjuhës shqipe. K. Topalli e përmbylli veprimtarinë e tij shkencore me një sintezë të gjerë për historinë fonetike, për historinë gramatikore dhe për historinë e leksikut, siç është "Fjalori etimologjik i gjuhës shqipe" (1984 faqesh), të cilin e botoi QSA, IGJL, Tiranë, në nëntor të vitit 2017. Gjatë punimeve të Seminarit XII Ndërkombëtar të Albanologjisë (2018), të organizuar nga Universiteti i Tetovës, u bë paraqitja e FEGJSH-së, për të cilin folën gjuhëtarët nga Tirana (Valter Memisha, Anila Omari), Prishtina (Begzad Baliu) e Tetova (Berton Sulejmani).
Kërçovë – Në ZZHTI Kërçovë sot filloi ndërtimi i fabrikës për bateri elektronike për automobila i kompanisë belge „Avesta Battery and Energy Engineering“ ku në fazën e parë do të investohen 10 milionë euro dhe do të hapen 120 deri 200 punësime. Aleksandar Gollaboski, drejtor ekzekutiv i Avesta Shkup, paralajmëroi eksport prej 50 milionë euro në vitin e parë të investimit i cili thotë se do të arrijë 40 milionë euro, ndërsa numri i të punësuarve 600.
Shkup - Prej nesër në orët e mbrëmjes të së hënës do të mbajë mot me vranësira të pjesshme me reshje të kohëpaskohshme të shiut. Në viset më të larta të dielën, veçanërisht në pjesët perëndimore reshjet do të jenë me borë. Veçanërisht të dielën dhe të hënën përgjatë Vardarit do të fryjë erë nga drejtimi verior, ndërsa në fillim të javës temperaturat e mëngjesit do të jenë dukshëm më të ulëta.
Ankara – Presidenti turk Rexhep Taip Erdogan deklaroi sot se vendi pret që qeveria e përkohshme në Siri të ndërmarrë “hapa të duhur” dhe se nuk do të ketë kërcënim për fqinjët e saj. Erdogani përmes telefonit ka biseduar me kryesuesin e Këshillit Sovran të Sudanit, Abdel Fatah Al Burhan, për marrëdhëniet dypalëshe, proceset rajonale dhe globale. Ai tha se populli sirian ka ardhur deri në fazën e përcaktimit të së ardhmes së tij pas krizës humanitare 13-vjeçare
Berlin - Dronë të paidentifikuar janë vërejtur mbi lokacione të ndjeshme industriale dhe bazës së aviacionit amerikan "Ramshtajn" në Gjermani në disa javët e fundit, publikoi sot "Shpigel", duke iu referuar një raporti të besueshëm të autoriteteve gjermane të sigurisë. Në raport thuhet se disa dronë janë vërejtur në orët e mbrëmjes më 3 dhe 4 dhjetor mbi bazën "Ramshtajn", informoi burimi.
Moskë - Kremlini sot kumtoi se kundërshtimi i presidentit të zgjedhur të SHBA-së Donald Tramp ndaj Ukrainës që të gjuajë me armët e furnizuara nga SHBA thellë në Rusi "harmonizohet plotësisht" me pozicionin e Moskës. "Deklarata është plotësisht në përputhje me qëndrimin tonë, me qëndrimin tonë për arsyet për përshkallëzim. Është e qartë se Tramp e kupton saktësisht se çfarë po e përshkallëzon situatën", deklaroi për gazetarët zëdhënësi i Kremlinit, Dmitrij Peskov.
Moskë - Forcat e armatosura ruse sot kanë kryer sulm masiv ndaj objekteve vitale të infrastrukturës energjetike të Ukrainës që mbështesin kompleksin ushtarak-industrial, si përgjigje të përdorimit të gjashtë raketave amerikane ATAKMS nga Kievi për të sulmuar aeroportin e Taganrogut, kumtoi Ministria e Mbrojtjes së Rusisë. "Qëllimi i sulmit është arritur, të gjitha objektet janë goditur", theksoi Ministria ruse.