
12:00 / 18 shkurt / 2025
Shkup – Propozimi për shkarkimin e prokurorit shtetëror publik Lupço Kocevski sot duhet të shqyrtohet në mbledhje të Qeverisë, pas çka do të dorëzohet në Këshillin e Prokurorëve Publikë. Nga shërbimi për informim i Qeverisë, dje konfirmuan se në mbledhjen e sotme do të shqyrtohet mendimi i dorëzuar nga Ministria e Drejtësisë, pas çka sipas detyrimeve ligjore, kjo do të dorëzohet në Këshillin e Prokurorëve Publikë.
Shkup - Me urdhër gjyqësor, nëpunës policorë nga Zyra e jashtme për çështje kriminalistike Kërçovë dhe Njësia policore Osllomej kanë kryer bastisje në shtëpitë e I.XH.(30) dhe R.Ç.(22), të dy nga fshati Cërvinc i Kërçovës. Siç informojnë nga MPB-ja, gjatë bastisjes, në shtëpinë e I.XH. janë gjetur dhe sekuestruar pistoleta „Ekol Firat Kompakt“ dhe karikatorë për pistoletë. Ndërsa, gjatë bastisjes së shtëpisë së R.Ç. është gjetur dhe sekuestruar një pushkë gjuetie.
Shkup - Ministria e Punëve të Brendshme e informon opinionin se duke nisur që sot, Seksionet e çështjeve administrative pranë Departamentit për çështje qytetare të MPB-së do të punojnë sipas orarit të ri të punës. Kështu, Departamenti i Çështjeve Administrative Shkup dhe Seksioni i çështjeve administrative Tetovë, nga e hëna deri të premten do të kenë punë me dy turne, gjegjësisht orar të punës nga ora 07.30 deri në orën 19.30.
Shkup - Në Kodrën e Diellit ka më së shumti borë, 32 centimetra, ndërsa aty është matur dhe temperatura më e ulët prej -10 gradë, ndërsa në Mavrovë është matur -6, kumtoi Drejtoria për Punë Hidrometeorologjike. Temperatura minus ka pasur dhe në Krushevë, Kriva Pallankë, Berovë, Vinicë, Tetovë, Prilep, Shtip, Shkup-Zajçev Rid, Manastir dhe në Veles, ndërsa zero gradë është matur në Shkup-Petrovec, Ohër, Kavadar, Demir Kapi dhe Strumicë. Temperatura më të larta ka pasur në Gjevgjeli, ku sot në mëngjes janë matur 3 gradë.
Kumanovë - Tre automjete zjarrëfikëse dhe nëntë zjarrëfikës mbrëmë kanë shuar zjarrin në bodrumin e një shtëpie familjare në qendër të Kumanovës, njoftuan sot nga Qendra rajonale për menaxhimin me kriza. Zjarri ka shpërthyer rreth orës 23, ndërsa është shuar në orën 05:45 të mëngjesit. "Nga flaka është kapluar pjesa e bodrumit të objektit në rrugën 'Pero Çiço'. Është shkaktuar dëm material, ndërsa shkaku i zjarrit do të konfirmohet", njoftojnë nga QRMK.
Zagreb - Presidenti i Republikës së Kroacisë, Zoran Milanoviq, sot do të bëjë betimin për mandatin e tij të dytë pesëvjeçar. Në inaugurimin në Pallatin Presidencial në Pantovçak do të marrin pjesë rreth njëqind të ftuar, mes të cilëve edhe katër nënkryetarë të Kuvendit, por askush nga Qeveria. Milanoviq sërish u zgjodh president më 12 janar, kur në raundin e dytë e mundi kundërshtarin e tij Dragan Primorac, të mbështetur nga HDZ.
Athinë - Dy tërmete me magnitudë prej 5 dhe 4,9 të shkallës Rihter janë regjistruar mëngjesin e sotëm në zonën detare midis ishujve grekë Santorini dhe Amorgos, si pjesë e një sërë tërmetesh gjatë tri javëve të fundit, njoftoi korrespondentja e MIA-s në Athinë. Dy tërmetet ndodhën brenda një periudhe pak më pak se një orë e gjysmë, më i forti ishte në orën 6:46 të mëngjesit, i paraprirë nga një me magnitudë prej 4,5 ballë, ndërsa një tjetër u regjistrua pak pas orës 8 të mëngjesit, me magnitudë prej 4,9 të shkallës Rihter.
Athinë – Pa lajme edhe emisione informative, prej sot në mëngjes është Greqia, për shkak të grevës 24-orëshe të gazetarëve e organizuar nga Federata greke e Asociacioneve të Gazetarëve në të cilën marrin pjesë të gjitha shoqatat e gazetarëve, ndërsa kërkesa kryesore është nënshkrimi i marrëveshjeve kolektive në të gjithë sektorët mediatikë, gjegjësisht televizione, gazeta, revista, internet, radio, informon korrespondentja e MIA-s nga Athina.
Bruksel - Bashkimi Evropian dëshiron të jetë partner me SHBA-në për të siguruar paqe të drejtë dhe të përhersshme për Ukrainën, theksoi kryetarja e Komisionit Evropian, Ursula fon der Lajen pas seancës së saj të sotme në Bruksel me të dërguarin special amerikan për Ukrainën dhe Rusinë, gjeneralin Kit Kelog. "Financiarisht dhe ushtarakisht, Evropa kontribuon (për mbështetjen e Ukrainës) më shumë se kushdo tjetër. Dhe do ta forcojmë. Tani është momenti kritik", theksoi Fon der Lajen në publikimin në X.
Varshavë - Në Varshavë sot mbahet takimi joformal i Këshillit për punë të përgjithshme të BE-së, ku do të bisedohet për kërcënimet hibride, me të cilat ballafaqohen vendet-anëtare të BE-së dhe partnerët që synojnë të hyjnë në BE. Në takimin pritet të bisedohet edhe për përforcimin e gatishmërisë civile dhe ushtarake evropiane dhe Kornizën disavjeçare financiare (VFO) të Unionit për periudhën pas vitit 2027.
Bejrut – Ushtria libaneze kumtoi se është vendosur në disa fshatra kufitare në jug të vendit, pas tërheqjes së trupave izraelite para skadimit të afatit sipas Marrëveshjes për armëpushim ndërmjet Izraelit dhe Hezbollahut. Në kumtesën theksohet se ushtria libaneze është vendosur në dhjetra fshatra "në koordinim me Komitetin përgjegjës për monitorimin e marrëveshjes së armëpushimit dhe me forcat e përkohshme të Kombeve të Bashkuara në Liban (UNIFIL) pas tërheqjes së forcave izraelite".
Riad – Në kryeqytetin e Arabisë Saudite, Riad filluan bisedimet ndërmjet delegacionit rus dhe amerikan për përfundimin e luftës në Ukrainë. Siç informuan mediat ruse, bisedimet zhvillohen në një nga pallatet e familjes mbretërore, Diria në kompleksin Albasatin.
Pekin - Zëdhënësi i Ministrisë kineze të Punëve të Jashtme, Guo Xhiakun deklaroi se "të gjitha palët e prekura" në luftën me Ukrainën duhet të marrin pjesë në bisedimet paqësore, duke aluduar në takimin e delegacionit amerikan dhe rus në Arabinë Saudite. Ai i përshëndeti përpjekjet për arritjen e paqes.
Ankara - Autoritetet turke në pesë ditët e fundit kanë arrestuar afro 300 “anëtarë të dyshuar të organizatave terroriste” në një operacion kundër Partisë së Punëtorëve të Kurdistanit (PKK), deklaroi ministri i Punëve të Brendshme të Turqisë, Ali Jerlikaja. “Gjatë operacioneve që kanë vazhduar tashmë pesë ditësh në 51 provinca, janë arrestuar 282 të dyshuar të lidhur me organizatat terroriste”, publikoi ministri në platformën Iks.
Moskë – Edhe pse në këtë fazë nuk mundi të japë vlerësim për rrjedhën e bisedimeve ruse-amerikane në Arabinë Saudite, zëdhënësi i Kremlinit, Dmitrij Peskov tha se bisedimet e sotme do të mund të sjellin “më shumë qartësi” lidhur me takimin eventual ballë për ballë ndërmjet presidentëve Donald Tramp dhe Vladimir Putin. “Putini vazhdimisht përsërit se është i gatshëm të paguajë për paqe”, tha ai, duke insistuar se Rusia dëshiron t’i arrijë qëllimet e saj, por preferon ta bëjë këtë “në mënyrë paqësore”.
Uashington - Banka Botërore do të publikojë vlerësimin e dëmeve të infrastrukturës në Gazë, së bashku me një vlerësim të azhurnuar të dëmeve në Ukrainë më 25 shkurt, deklaroi sot drejtoresha ekzekutive, Ana Bjerde. Ajo theksoi se raporti për Gazën, i përgatitur së bashku me Kombet e Bashkuara dhe Bashkimin Evropian, do të japë një pasqyrë më të plotë të dëmeve të pësuar në enklavën palestineze në luftën me Izraelin, shkruan "Tajms of Izrael".
Romë - Federata italiane e tenisit ka për qëllim ta bëjë Mastersin në Romë turneun e pestë Grend slem, publikoi gazeta "La Stampa". Federata e tenisit i ka bërë tashmë ofertë organizatorëve të Mastersit në Madrid, i cili zhvillohet një javë para turneut në Romë, për ta blerë kompeticionin për 550 milionë dollarë. Kështu, italianët do të vazhdojnë turin e tyre në kryeqytet në dy javë.