Mediat izraelite: Shqiptarët negociojnë me Trampin për të pranuar 100.000 palestinezë nga Gaza, Rama mohon
- Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka mohuar raportimin e televizionit izraelit Kanal 12 se Qeveria e tij po negocion me administratën e presidentit amerikan Donald Tramp për të pranuar rreth 100.000 palestinezë nga Gaza.
- Post By Melahat Baftija
- 10:28, 28 janar, 2025
Tiranë, 28 janar 2025 (MIA) - Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka mohuar raportimin e televizionit izraelit Kanal 12 se Qeveria e tij po negocion me administratën e presidentit amerikan Donald Tramp për të pranuar rreth 100.000 palestinezë nga Gaza.
"Ka kohë që nuk kam dëgjuar diçka kaq të rreme, ndërsa kohët e fundit ka shumë lajme të rreme! Absolutisht jo e vërtetë", ka shkruan Rama në X.
Duke shprehur respekt dhe solidaritet të plotë me qytetarët e Gazës, Edi Rama tha se Shqipërisë nuk i ishte kërkuar dhe as nuk mund ta kishte menduar të merrte një përgjegjësi të tillë.
“Ne jemi krenarë për miqësinë tonë të fortë me Izraelin, Emiratet e Bashkuara Arabe, Arabinë Saudite, Katarin, Kuvajtin dhe sigurisht me popullin palestinez, shtetin e të cilit Shqipëria e ka njohur prej kohësh", tha kryeministri shqiptar.
Duke theksuar se Shqipëria nuk është në Lindjen e Mesme, ai tha se vendi "nga zemra e Evropës nuk mund të bëjë asgjë më shumë se çdo vend tjetër europian".
"Megjithatë, ne dëshirojmë dhe lutemi që popullit palestinez t’i jepet mundësia të jetojë në shtetin e tij, si njerëz të lirë nën qeverisjen demokratike", përfundoi Rama.
Kanali 12 i Izraelit raportoi se Izraeli beson se thirrja e presidentit amerikan Donald Tramp për Jordaninë dhe Egjiptin që të pranojnë refugjatët palestinezë është joreale dhe se Uashingtoni po kërkon mikpritës të tjerë, si Shqipëria. NBC njuz raportoi në fillim të këtij muaji se SHBA-ja po konsiderojnë gjithashtu Indonezinë si një vend për të pranuar palestinezët nga Rripi i Gazës.
Tramp e dha propozimin e tij kontestues të shtunën, duke sugjeruar se ishte koha për të "pastruar" Rripin e Gazës dhe zhvendosjen e palestinezëve në Jordani dhe Egjipt. Autoritetet palestineze, jordaneze dhe egjiptiane e hodhën poshtë kategorikisht propozimin e Trampit. mb/
I haven’t heard something so fake in quite some time—and there’s been a lot of fake news lately! It is absolutely not true.
— Edi Rama (@ediramaal) January 27, 2025
Full respect and solidarity for the people of Gaza, who have been dehumanized by the savage Hamas regime and have endured a hellish war following the… pic.twitter.com/tc5YgC3ds6