• e enjte, 30 janar 2025

Gjermania ashpërson politikat për emigrantët

Gjermania ashpërson politikat për emigrantët

Berlin, 29 janar 2025 (MIA) - Gjermania në të ardhmen masivisht do t'i kthejë emigrantët dhe azilkërkuesit nga kufijtë e saj, pasi Bundestagu votoi sot me shumicë të ngushtë propozimin e konservatorëve opozitarë CDU-CSU për ashpërsimin e politikave, njofton Dojçe Vele.

Parlamenti miratoi propozimin prej pesë pikash ku ndër të tjera, kërkon kontrolle të përhershme kufitare, kthimin e azilkërkuesve dhe ndalimin e të huajve që janë të detyruar të largohen nga vendi.

Për herë të parë pro një propozimi të konservatorëve votoi edhe AfD-ja radikale, ndërsa "pro" kanë qenë edhe deputetët liberalë. Kundër kanë votuar Socialdemokratët (SPD), të Gjelbrit dhe E Majta.

Propozimi i dytë nga e njëjta parti e cila përfshinte reforma më gjithëpërfshirëse dhe kritere akoma më të rrepta, nuk mori mbështetjen e nevojshme. 

Me propozimin e miratuar theksohet se "për njerëzit pa dokumente të vlefshme për hyrje, të cilët nuk bien nën lirinë evropiane të lëvizjes, duhet t’u ndalohet hyrja faktike në vend". Kjo vlen edhe për ata që duan të aplikojnë për azil në Gjermani. Personat që kanë marrë vendim për t'u dëbuar nga vendi duhet në të ardhmen të vendosen në paraburgim.

Shkak i drejtpërdrejtë për propozimet për ashpërsimin e politikave të migracionit ka qenë vrasja e fundit në qytetin Ashafenburg, ku një 28-vjeçar afgan me probleme mendore vrau një fëmijë dy vjeçar me origjinë marokene dhe një burrë që u përpoq të mbronte fëmijët. Në sulmin u lënduan rëndë edhe disa persona duke përfshirë një vajzë dyvjeçare me origjinë nga Siria. I dyshuari i cili i është nënshtruar dëbimit është vendosur nën përkujdesje psikiatrike. 

Foto: DPA

QËNDRONI TË LIDHUR