• e enjte, 30 janar 2025

Lideri sirian kërkon nga Moska ekstradimin e Asadit: Dëshmoni se jeni për bashkëpunim përmes “masave konkrete”

Lideri sirian kërkon nga Moska ekstradimin e Asadit: Dëshmoni se jeni për bashkëpunim përmes “masave konkrete”

Damask, 29 janar 2025 (MIA) - Lideri sirian Ahmed al Shara ka kërkuar nga Moska që ta ekstradojë ish presidentin sirian Bashar al Asad i cili pas rënies së regjimit të tij u arratis në Moskë, raporton Euronjuz.

Agjencia shtetërore e lajmeve siriane Sana bën të ditur se Damasku dëshiron që Rusia e cila ka mbështetur Asadin në luftën civile ta rikthejë besimin me liderët sirianë përmes "masave konkrete si kompensimi, rikonstruimi dhe rimëkëmbja".

Administrata e re siriane, pas bisedimeve të djeshme me një delegacion rus të kryesuar nga zëvendësministri rus për Punë të Jashtme, Mihail Bogdanov tha se "rivendosja e marrëdhënieve duhet të zgjidhë gabimet e së kaluarës, të respektojë vullnetin e popullit sirian dhe t'i shërbejë interesave të tij".

Një burim anonim tha se pala ruse nuk dëshiron të pranojë gabimet dhe se është arritur marrëveshje vetëm për vazhdimin e bisedimeve.

Në pyetjen për të konfirmuar nëse Rusisë i është kërkuar ta ekstradojë Asadin dhe të paguajë kompensim, zëdhënësi i Kremlinit Dmitrij Peskov refuzoi të komentojë.

Rusia, trupat dhe forcat ajrore të së cilës kanë mbështetur Asadin për vite me radhë kundër rebelëve sirianë, po përpiqet të ruajë bazën e saj detare në Tartus dhe bazën ajrore Hmejmim afër qytetit port Latakia.

Foto: arkivi i MIA-s

 

QËNDRONI TË LIDHUR