• e diel, 21 korrik 2024

Maqedonia e Veriut dhe Koreja e Jugut do të intensifikojnë bashkëpunimin ekonomik

Maqedonia e Veriut dhe Koreja e Jugut do të intensifikojnë bashkëpunimin ekonomik

Shkup, 13 tetor 2023 (MIA) - Zëvendëskryeministri për Çështje Ekonomike, Koordinim të Resorëve Ekonomikë dhe Investime, Fatmir Bytyqi sot është nikoqir i delegacionit të biznesit nga Republika e Koresë i udhëhequr nga Jang Sung Min, këshilltar i lartë për strategji të presidentit të Koresë së Jugut. Harmonizohet teksti i memorandumit me të cilin do të vendosen bazat për bashkëpunimin e ardhshëm ekonomik.

"Këtu jemi me delegacionin e Koresë së Jugut me qëllim të avancimit të bashkëpunimit tonë ekonomik dhe marrëdhëniet dypalëshe midis Maqedonisë së Veriut dhe Koresë së Jugut. Kemi shumë punë të përbashkëta mes dy vendeve tona - kemi demokraci në vendet tona, vlera të përbashkëta, rrjedhat ekonomike janë qëllimi ynë i përbashkët, dhe gjithashtu ndajmë edhe vlerat e NATO-s", tha Sun Min në një deklaratë për mediat pas takimit me Bytyqin.

 Ai shpreson se "me këtë vizitë dhe bashkëpunimin tonë do të arrijmë të ndajmë njohuritë, përvojën tonë dhe këto vlera do t'i transferojmë në bashkëpunimin e mëtejshëm me vendin tuaj".

Bytyqi theksoi se delegacioni i biznesit nga Koreja përbëhet nga përfaqësues të kompanive të njohura botërore Hyundai, Samsung, LG, Lote, dhe Odës Koreane të Tregtisë dhe Industrisë.

"Me Jang Sung Min jemi takuar në prill dhe i kemi filluar bisedimet për thellimi i bashkëpunimit ekonomik, i cili sot rezulton me harmonizimin e tekstit për një memorandum bashkëpunimi që do të nënshkruhet javën e ardhshme, me të cilin vendosim bazat e bashkëpunimit të ardhshëm ekonomik mes dy vendeve tona", tha Bytyqi.

Memorandumi parasheh komunikim dhe bashkëpunim ndërmjet institucioneve qeveritare, lidhje të organizatave profesionale, odave dhe shoqatave, vizita, kontakte dhe aktivitete që synojnë promovimin e bashkëpunimit ndërmjet kompanive, zyrtarëve dhe organizatave ekonomike. qa/ar/

 

 

QËNDRONI TË LIDHUR