• e diel, 27 prill 2025
Shqip
  • English
  • Shqip
  • Македонски

Kallas nesër udhëton për në SHBA në takim me Rubion

Kallas nesër udhëton për në SHBA në takim me Rubion

Bruksel, 24 shkurt 2025 (MIA) - Ne kemi nevojë për sa më shumë ndërveprime me administratën e re amerikane, sepse asnjë marrëveshje për Ukrainën nuk do të jetë e mundur pa pjesëmarrjen e Bashkimit Evropian dhe për këto arsye unë do të udhëtoj nesër në SHBA për t'u takuar me sekretarin e shtetit Marko Rubio dhe përfaqësues të tjerë për të diskutuar këto çështje, njoftoi sot përfaqësuesja e lartë e BE-së për Politikën e Jashtme dhe Sigurinë Kaja Kallas para fillimit të seancës së Këshillit të Punëve të Jashtme të Unionit.

"Është shumë e qartë se me (presidentin rus Vlladimir) mund të bisedohet për gjithçka, por kur bëhet fjalë për Evropën ose Ukrainën, atëherë edhe Ukraina dhe Evropa, gjithashtu, duhet të pajtohen me këtë. Prandaj duhet të bisedohet me ne për çdo gjë", theksoi Kallas në përgjigje të pyetjes lidhur me bisedat ndërmjet SHBA-së dhe Rusisë për t'i dhënë fund konfliktit në Ukrainë.

Sipas saj, është shumë e rëndësishme që BE-ja dhe SHBA-ja të ruajnë unitetin dhe bisedimet e të gjithë liderëve evropianë me përfaqësuesit amerikanë janë të drejtuara në atë drejtim.

Për vlerësimet e presidentit amerikan Donald Tramp në lidhje me shefin e shtetit ukrainas Vollodimir Zelenski dhe legjitimitetin e tij demokratik, Kallas tha se nuk mund të flet për këto "deklarata interesante".

"Kur dëgjova diktator, mendova se duhet të ketë bërë një gabim dhe i ngatërroi këta dy persona. Putini, ose më saktë Rusia, nuk ka pasur zgjedhje për 25 vjet, dhe Zelenski është një lider i zgjedhur, i zgjedhur në zgjedhje të lira. Sigurisht që nuk mund të keni zgjedhje gjatë luftës", shtoi Kallas.

Sipas saj, nëse shikoni mesazhet që vijnë tani nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, është e qartë se narrativa ruse është shumë e përfaqësuar në to.

Ajo theksoi se për momentin dueht të punohet në mbështetje të Ukrainës  më shumë se kurrë deri tani dhe prandaj në këshillin e sotëm pret diskutim politik për atë që BE-ja mund të bëjë më shumë për vendin. sa/

Foto: EPA

 

QËNDRONI TË LIDHUR