Irani dhe SHBA-ja sot në Oman fillojnë negociatat për programin bërthamor
- Irani dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës sot do të zhvillojnë bisedime në Oman për fillimin e negociatave për programin bërthamor të Teheranit.

Muskat, 12 prill 2025 (MIA) - Irani dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës sot do të zhvillojnë bisedime në Oman për fillimin e negociatave për programin bërthamor të Teheranit.
Edhe pse të dyja palët njoftuan mundësi për përparim, ato ende dukshëm dallohen për çështjen e mosmarrëveshjes që zgjat më shumë se dy dekada dhe nuk kanë arritur ende një marrëveshje nëse negociatat do të jenë të drejtpërdrejta, siç kërkon presidenti amerikan Donald Tramp, apo indirekte, siç dëshiron Irani, transmetuan mediat britanike.
Lideri suprem i Iranit Ajatollah Ali Hamnei, i cili ka fjalën e fundit në qeverinë e Republikës Islamike për çështjet kryesore shtetërore, ia ka besuar ministrit të Punëve të Jashtme, Abas Arakçi të gjitha kompetencat për të zhvilluar negociatat, deklaroi një zyrtar iranian për agjencinë e përmendur.
Arakçi kryeson delegacionin iranian, ndërsa negociatat nga pala amerikane do të drejtohen nga i dërguari special i Trampit për Lindjen e Afërt, Stiv Vitkof.
Kohëzgjatja e negociatave, të cilat do të trajtojnë ekskluzivisht çështjen bërthamore, do të varet nga serioziteti dhe vullneti i mirë i palës amerikane, tha përfaqësuesi, i cili dëshiroi të mbetet anonim për shkak të ndjeshmërisë së temës.
Irani ka hedhur poshtë mundësinë e negociatave për aftësitë e tij mbrojtëse, siç është programi i tij raketor.
Teherani ka pohuar gjithmonë se programi i tij bërthamor ka qëllime thjesht civile, ndërsa vendet perëndimore besojnë se Irani dëshiron të ndërtojë bomba atomike.
Ata besojnë se pasurimi i uraniumit, karburanti bërthamor, në Iran ka tejkaluar nevojat e programit civil.
Trampi, i cili në shkurt e rifilloi fushatën e tij për "presion maksimal" ndaj Teheranit, në vitin 2018 u tërhoq nga marrëveshja bërthamore iraniane me gjashtë fuqitë botërore dhe rivendosi sanksione ndaj Republikës Islamike.
Që atëherë, programi bërthamor i Iranit ka përparuar, duke përfshirë pasurimin e uraniumit në 60 për qind, që është afër nivelit të nevojshëm për të ndërtuar një bombë bërthamore, theksojnë mediat britanike.
Sekretari amerika Mark Rubio dy ditë më parë deklaroi se shpreson se bisedimet do të çojnë në paqe dhe se SHBA-ja "e ka bërë të qartë se Irani nuk do të ketë kurrë një armë bërthamore". ls/
Foto: EPA