• e premte, 05 dhjetor 2025

Hegset: SHBA-ja po e zvogëlon numrin e oficerëve të lartë për të paktën 20 për qind

Hegset: SHBA-ja po e zvogëlon numrin e oficerëve të lartë për të paktën 20 për qind

 Uashington, 6 maj 2025 (MIA) - Ministri amerikan i Mbrojtjes, Pit Hegset, dje urdhëroi një ulje të numrit të gjeneralëve dhe admiralëve me katër yje në ushtrinë amerikane për të paktën 20 për qind.

Që prej marrjes së detyrës në fund të janarit, administrata e Donald Trampit ka pretenduar se dëshiron të riorganizojë ushtrinë amerikane në përputhje me prioritetet politike të presidentit, duke shkarkuar oficerë të lartë dhe mijëra nëpunës civilë. 

 Ministri urdhëroi edhe ulje prej 20 për qind të numrit të oficerëve të lartë të Gardës Kombëtare ose 10 për qind të personelit tjetër ushtarak. Nuk është saktësuar se si do të zbatohet ulja e numrit të punonjësve, pohojnë burime të njohura me çështjen.

 Hegset, megjithatë, publikoi në një video në rrjetin social X se uljet do të zbatohen në dy faza, duke filluar me gjeneralët me katër yje dhe ata në Gardën Kombëtare. Qëllimi i këtij vendimi nuk është të "ndëshkohen anëtarët më të lartë të armatës", konfirmoi ministri, duke shtuar se qëllimi i tij është "të maksimizohet përgatitja strategjike dhe efikasiteti operativ". 

 

"Do të ruajmë pozicionin e forcës luftarake më të rrezikshme në botë, e cila vendos paqe me forcë", theksoi ministri në videon në X.

Gjatë një seance dëgjimore në Senat në janar, Hegseti argumentoi se burokracia në Pentagon duhet të reduktohet. 

 "Falë këtyre masave, do ta ruajmë pozicionin tonë si forcë luftarake më e fuqishme në botë, që vendos paqen përmes forcës dhe duke siguruar efikasitet më të madh, më shumë inovacion dhe përgatitje për sfidat e ardhshme", thuhet në memorandum.

 Në shkurt, Trampi shkarkoi papritur kryeshefin e Kabinetit Çarls Braun pa asnjë shpjegim. Ai, gjithashtu, e zëvendësoi komandanten e Marinës Amerikane, admiralen Lisa Franketi, të cilën Xho Bajdeni e emëroi për të drejtuar Rojën Bregdetare si gruaja e parë që drejton një nga gjashtë degët e ushtrisë, si dhe zëvendëskryeshefin e Shtabit të Përgjithshëm dhe disa avokatë ushtarakë të rangut të lartë.

 Ministria e Mbrojtjes, gjithashtu, njoftoi  se dëshiron të zvogëlojë personelin civil me të paktën pesë për qind. Pit Hegset i justifikoi shkarkimet  duke thënë se presidenti thjesht po emëron oficerë aty ku ai dëshiron që ata të jenë, por përfaqësuesit e Partisë Demokratike paralajmërojnë për politizim të mundshëm të ushtrisë.

 Foto: EPA

 

QËNDRONI TË LIDHUR