• e shtunë, 26 prill 2025
Shqip
  • English
  • Shqip
  • Македонски

Hamasi publikoi një video me pengun izraelito-amerikan Edan Aleksander

Hamasi publikoi një video me pengun izraelito-amerikan Edan Aleksander

Gazë, 13 prill 2025 (MIA) - Hamasi ka publikuar një video në të cilën, sipas tyre, tregohet pengu izraelito-amerikan Edan Aleksander, i cili ndodhet në Gazë që nga 7 tetori 2023, kur u rrëmbye nga militantët palestinezë.

Në videon, djali i ri prezantohet si Edan Aleksandar dhe thekson se ndodhet në Gazë tashmë 551 ditë. Ai pyet pse është ende atje dhe lutet të lirohet.

Videoja e montuar u publikua pak para festës hebraike të Pesah, e cila feston çlirimin. Familja e Aleksandrit publikoi kumtesë ku thuhet se kjo festë nuk do të jetë festë lirie për sa kohë që Edani dhe 58 pengjet e tjerë janë ende në robëri në Gazë.

Hamasi ka publikuar edhe më parë video të pengjeve që luten për lirimin e tyre. Autoritetet izraelite deri më tani kanë hedhur poshtë video të tilla si propagandë që synojnë të ushtrojnë presion ndaj qeverisë izraelite. Lufta vazhdon tashmë një vit e gjysmë.

Hamasi ka liruar deri tani 38 pengje si pjesë e marrëveshjes së armëpushimit që filloi më 19 janar. Qeveria izraelite rinovoi sulmet tokësore dhe ajrore në Gazë në mars, me çka u ndërpre armëpushimi i brishtë.

Autoritetet izraelite kanë deklaruar se fushata ushtarake do të vazhdojë derisa 59 pengjet e mbetura të lirohen dhe derisa Gaza të çmilitarizohet. Ndërkohë Hamasi këmbëngul se do të lirojë pengjet vetëm si pjesë e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse për t'i dhënë fund luftës dhe refuzon të dorëzojë armët.

SHBA, Katari dhe Egjipti po ndërmjetësojnë mes Hamasit dhe Izraelit në përpjekje për të arritur një marrëveshje. ls/

Foto: printskrin

 

QËNDRONI TË LIDHUR