• e mërkurë, 20 nëntor 2024

Hamas: Armëpushimi i përhershëm mbetet kushti kryesor për bisedimet për shkëmbimin e pengjeve

Hamas: Armëpushimi i përhershëm mbetet kushti kryesor për bisedimet për shkëmbimin e pengjeve

Gazë, 23 janar 2024 (MIA) - Kushti kryesor i Hamasit për bisedimet për shkëmbimin e të burgosurve me Izraelin mbetet armëpushimi i plotë në Rripin e Gazës, tha sot zëdhënësi i kësaj lëvizjeje palestineze, Valid Kilani, duke shtuar se grupi ende nuk ka marrë propozimin e Izraelit për një armëpushim dymujor në enklavën palestineze.

"Kushti kryesor nuk është një armëpushim i përkohshëm, por i përhershëm. Vetëm atëherë do të diskutohen çështje të tjera, si shkëmbimi i të zënëve rob dhe vazhdimi i ndihmave humanitare", tha Kilani për agjencinë Anadolu.

Kalani shtoi se udhëheqësit e Hamasit e kishin parë propozimin e ri izraelit në media, por nuk e kishin marrë zyrtarisht.

Portali Aksios më herët raportoi se gjatë ditës së sotme Izraeli, përmes ndërmjetësuesve të Katarit dhe Egjiptit, paraqiti një propozim për të ndaluar ofensivën ushtarake kundër Hamasit për dy muaj, në këmbim të lirimit gradual të 136 pengjeve të mbetura në Gaza.

Me këtë propozim izraelit nuk pranohet kërkesa e Hamasit për përfundimin e plotë të luftës, por shkon një hap më tej sesa Izraeli ka bërë në ofertat e mëparshme, publikoi ueb-faqja amerikane, duke cituar dy zyrtarë izraelitë.

Sipas propozimit, marrëveshja do të përfshijë lirimin e të gjithë pengjeve të mbetura të gjallë dhe kthimin e trupave të pengjeve të vdekur në disa faza.

Autoritetet izraelite kumtuan se presin përgjigje nga Hamasi, por thksuan se janë të kujdesshëm për mundësinë e përparimit në ditët në vijim. rq/ab/

Foto; Arkivi i MIA-s

QËNDRONI TË LIDHUR