Drejtori i CIA-s konfirmon se Trampi ndërpreu ndihmën e inteligjencës për Ukrainën
- Drejtori i Agjencisë Qendrore të Inteligjencës (CIA), Xhon Retklif, konfirmoi sot se presidenti amerikan Donald Tramp ka urdhëruar pezullimin e ndihmës së inteligjencës dhe ushtarake për Ukrainën.
- Post By Sara Ademi
- 16:12, 5 mars, 2025

Uashington, 5 mars 2025 (MIA) - Drejtori i Agjencisë Qendrore të Inteligjencës (CIA), Xhon Retklif, konfirmoi sot se presidenti amerikan Donald Tramp ka urdhëruar pezullimin e ndihmës së inteligjencës dhe ushtarake për Ukrainën.
Ai tha për Foks Biznis Njuz se Trampi kishte të drejtë kur pyeti nëse presidenti ukrainas Volodimir Zelenski ishte i përkushtuar ndaj procesit të paqes, "për këtë arsye ai tha le të bëjmë një pushim".
Retklif shprehu shpresën se pauza do të hiqet së shpejti dhe theksoi angazhimin e tij për të punuar me Ukrainën për të arritur paqen, pas letrës së presidentit ukrainas drejtuar Trampit, raporton Si-En-En.
"Dhe unë mendoj se ne do të punojmë krah për krah me Ukrainën sepse ne duhet të largojmë agresionin që është atje, për ta vendosur botën në një vend më të mirë në mënyrë që këto bisedime paqeje të mund të ecin përpara," tha ai.
Ai shpjegoi se SHBA-ja tashmë ka kufizuar ndarjen e informatave të inteligjencës, duke përfshirë kryerjen e më pak fluturimeve për zbulim, vëzhgim dhe mbikëqyrje që mund të ndikojnë në operacionet sulmuese dhe mbrojtëse, duke përfshirë mbrojtjen ajrore, sepse Ukraina varet nga inteligjenca amerikane për mbikëqyrje.
Më herët gjatë ditës së sotme, Fajnenshëll Tajms, duke cituar burime, raportoi se SHBA kishte ndaluar ndarjen e informatave të inteligjencës me Kievin. Në të njëjtën kohë, Dejli Mejl raportoi se Uashingtoni e ka ndaluar Mbretërinë e Bashkuar të ndajë informacionin e inteligjencës amerikane me Ukrainën dhe se ndalimi zbatohet për shërbimin britanik të inteligjencës GCHQ, agjencitë e spiunimit dhe degët e inteligjencës të Ministrisë së Mbrojtjes të Mbretërisë së Bashkuar.
Sipas Dejli Mejl, këtyre agjencive u ndalohet të ndajnë informata të inteligjencës të gjeneruar nga SHBA, të njohur më parë si "Rel UKR", që do të thotë e lejueshme të ndahen me Ukrainë (Releasable to Ukraine). sa/
foto: Arkivi i MIA-s