• e shtunë, 18 maj 2024

Diana Toska nga Fronti Evropian: Moratorium për ndërtimet e reja në Çair

Diana Toska nga Fronti Evropian: Moratorium për ndërtimet e reja në Çair

Shkup, 30 prill 2024

Unë jam Diana Toska, magjistre e marrëdhënieve ndërkombëtare, drejtoreshë e Teatrit për Fëmijë dhe të Rinj, ish mësuese e fëmijëve tanë dhe banore e Çairit.

Sot kandidoj për deputete dhe kërkoj mbështetjen tuaj.
 
Çairi ka nevojë për ndryshim dhe këtë do ta sjellim bashkë.
 
Përkrahjen dhe besimin tonë e keqpërdorën në Çair, abuzuan shumë dhe e sollën në gjendje të pabanueshme, pa trotuare, pa parkingje, pa rrugë, pa parqe të reja, pa hapësira lojërash, pa ujësjellës e kanalizim, pa asnjë investim kapital, por vetëm me uzurpime hapësirash publike, ndërtesa nëpër parqe, nepotizëm, korrupsion dhe abuzim.
 
Sot po ju drejtohem si kandidate për deputete për një problematikë serioze që na tangon gjithë neve.
 
Ndërtimet masive pa leje dhe pa plan nëpër parqe në komunën tonë, në Çairin tonë, po na zënë frymën.

Çdo lagje e Çairit është e stërmbushur, qytetarët s’kanë vend për parking, njerëzit s'kanë ku të ecin.
 
Mbi 30 ndërtime të larta të ndërtesave në Çair janë ndërtuar jashtë ligjit dhe nuk kanë as flet pronësie e as leje ndërtimi.
 
Drejtuesit e Çairit në këto 20 vite kanë keqpërdorur besimin tonë, kanë mashtruar qytetarët dhe investitorët, por edhe fqinjët e tyre, për përfitime personale.

Të mashtruar nga komuna Çair, Qytetarët, me paratë e tyre të fundit, kanë blerë banesë që nuk kanë flet pronësie dhe leje, ndërsa investitorët kanë investuar paratë e tyre në objekte që nuk kanë rregulluar çështjet pronësore-juridike.
 
Faj nuk kanë as qytetarët që kanë blerë banesa, as investitorët që i kanë ndërtuar ato, faj kanë drejtuesit e komunës Çair që kanë abuzuar me besimin tonë për përfitime personale dhe për shkatërrimin e Çairit tonë.
 
Andaj, ne si Front Evropian dhe deputetë në kuvendin e ardhshëm, për arsye se qytetarët dhe investitorët nuk kanë faj për këtë katrahurë urbanistike në Çair, dje propozim ligj për legalizim të objekteve të ndërtuara pa leje në mënyrë që të shpëtojmë qytetarët dhe investitorët, ndërsa do të kërkojmë përgjegjësi ligjore për ata që lejuan këtë gjendje, drejtuesit e komunës Çair.

Ndërsa sot, ju njoftojmë se do të shpallim MORATORIUM TË NDËRTIMEVE TË REJA NË ÇAIR dhe do të largojmë të gjitha pullat (markicat) për ndërtim në parqet e Çairit.  
 
Qytetarët, bizneset, shoqëria, janë të sigurt me Frontin Evropian dhe duhet që me votën e tyre ta dënojnë këtë pasiguri, kaos urbanistik, mashtrim korruptiv, me votë masive me 8 maj ta çlirojmë Çairin dhe ta rregullojmë kaosin të cilin e shkaktuan drejtuesit 20 vjeçar të Çairit.

Fronti Evropian

____________________________________________________________________________________________________________________

MIA këto tekste i publikon në formën integrale dhe origjinale dhe nuk mban përgjegjësi për përmbajtjen e tyre dhe as për mangësitë eventuale drejtshkrimore apo gabimet e shtypit.

QËNDRONI TË LIDHUR