• e enjte, 19 dhjetor 2024

Sela: Të respektohet vullneti i popullit dhe për qeveri të negociojnë mandatari me fituesin

Sela: Të respektohet vullneti i popullit dhe për qeveri të negociojnë mandatari me fituesin

Shkup, 17 maj 2024 (MIA) - Lideri i Aleancës për Shqiptarët, Ziadin Sela, deklaroi se me ankesat deri në KSHZ po zhvillohet një inxhiniering zgjedhor nga VMRO-DPMNE, LSDM dhe VLEN që të ulet numri i deputetëve të koalicioni "Fronti evropian" në krye me BDI-në ku merr pjesë edhe krahu i partisë ASH që ai drejton.

"Se bëhet fjalë për inxhiniering zgjedhor është më se e qartë. Nëse shihni se në cilat vendvotime janë parashtruar ankesat dhe ku janë përsëritur, është më se e qartë se është duke u zhvilluar një inxhiniering zgjedhor dhe konsolidim i forcave politike maqedonase, VMRO dhe LSDM së bashku me VLEN i përsërisin zgjedhjet në qendrën e votimit në vendlindjen e Bilall Kasamit. Në qendrat e votimit ku VLEN ka fituar 3 me 1 ndaj “Frontit evropian” dhe ku nuk ka asnjë provë për përsëritje të votimeve", tha Sela në intervistën për emisionin “Trilling” në TV24.

Sipas tij, duhet të respektohet “realiteti demografik në Maqedoni” dhe se të drejtën për të formuar qeveri ka mandatari dhe fituesi i zgjedhjeve. Populli më 8 maj, siç tha ai, ka votuar që “Fronti evropian” të marrë përgjegjësinë dhe të jetë në pushtet, ndërsa për tjetrin “ka votuar se kush duhet të jetë në opozitë”.

"Është i gabuar definicioni fitues me fitues dhe nuk ka logjikë, sepse fituesi nga pala maqedonase është definuar me Kushtetutë dhe ligj, ai merr mandatin. Përkufizimi duhet të jetë mandatar me fitues dhe të negociohet për formimin e Qeverisë me qëllim të respektohet realiteti demografik. Për të pasur stabilitet dhe për të ecur përpara, duhet të respektohet vullneti i bashkësisë së dytë etnike në vend, e cila nuk është e vogël, por është 30 për qind në krahasim me 54 për qind të maqedonasve, sipas regjistrimit të fundit të popullsisë", ka thënë Sela.

Në pyetjen se si koalicioni “Fronti evropian” do të sillet si opozitë në të ardhmen, ai u përgjigj se kjo është dëshirë e Mickoskit, por se duhet respektuar dëshira e qytetarëve.

"Si pasojë e asaj se si do të zgjidhet, edhe ne do të sillemi në raport me atë që do të zgjidhet. Nuk dua të komentoj dëshira. Në anën tjetër, meqë nga KSHZ ende nuk janë shpallur mandatet përfundimtare, kush sa ka, ende z. Mickoski nuk është mandatar, flas në aspekt formal- juridik", ka thënë Sela.

Sipas tij, presidentja Gordana Siljanovska-Davkova e ka filluar mandatin me një “incident diplomatik”. Kjo nuk është mirë për vendin, tha ai, sepse po hapen sërish problemet me fqinjët në vend që të përparojmë drejt BE-së dhe pas zgjedhjes në atë detyrë, "qëndrimet personale nuk janë më të rëndësishme". Ai poashtu konsideron se edhe Jovan Mitrevski, kryetar i Kuvendit, është dashur të insistojë në respektimin e Kushtetutës së Maqedonisë së Veriut gjatë betimit solemn.

Në lidhje me paralajmërimin e Siljanovska-Davkovës në fushatën se do t'i falë të akuzuarit në rastin e “27 prillit”, Sela nuk pajtohet dhe u përgjigj se do të ishte gabim i madh sepse "ata njerëz e meritojnë të jenë aty ku janë dhe nuk duhet të falen njerëz të tillë që morën të drejtën të shantazhojnë rendin kushtetues të shtetit”.
 
Foto: Printskrin /Triling

 

QËNDRONI TË LIDHUR