Dhjetëra të arrestuar në Uashington pas vendimit të Trampit për dërgimin e Gardës Kombëtare
- Dyzet e pesë persona u arrestuan në Uashington mbrëmë, përfshirë 29 persona të dyshuar se ilegalisht po qëndrojnë në Shtetet e Bashkuara, bëri të ditur Shtëpia e Bardhë.
- Post By Ajrije Rexhepi
- 08:10, 15 gusht, 2025
Uashington, 15 gusht 2025 (MIA) - Dyzet e pesë persona u arrestuan në Uashington mbrëmë, përfshirë 29 persona të dyshuar se ilegalisht po qëndrojnë në Shtetet e Bashkuara, bëri të ditur Shtëpia e Bardhë.
Operacioni ndodhi pasi Presidenti amerikan Donald Tramp njoftoi se administrata e tij do ta ndërmarrë kontrollin ndaj Departamentit të Policisë së Uashingtonit dhe do ta dërgojë Gardën Kombëtare në qytet për të paktën një muaj.
Shtëpia e Bardhë konfirmoi se policia lokale dhe federale do të jenë të pranishme në qytet, duke punuar 24 orë në ditë, ndërsa më shumë se 1.650 pjesëtarë të sigurisë janë të përfshirë tani në operacion.
Zëdhënësi i Pentagonit, Kingsli Uilson, saktësoi se Garda Kombëtare do të ketë autorizim për të ndaluar përkohësisht njerëzit, por nuk do të ketë të drejtën për të arrestuar, që mbetet përgjegjësi e policisë.
Për më tepër, plani i federalizimit përfshin edhe pastrimin e kampeve të të pastrehëve dhe zhvendosjen e tyre nga qendra e qytetit, megjithëse detajet e këtij operacioni nuk dihen ende.
Autoritetet e Uashingtonit kishin filluar tashmë mbylljen e kampeve para njoftimit të Trampit dhe po përpiqen të ofrojnë shërbime sociale shtesë për të zhvendosurit.
Masa ka shkaktuar reagime dhe shqetësime të shumta në lidhje me kërcënimin e mundshëm për të drejtat dhe autonominë e bashkësive lokale.
Foto: Arkivi i EPA-s