Armata e Nepalit paralajmëroi ndërmarrje të kontrollit
- Armata e Nepalit paralajmëroi se prej sonte e ndërmerr kontrollin, pa saktësuar çka konkretisht do të thotë kjo.
- Post By Besnik Shuki
- 20:27, 9 shtator, 2025
Katmandu, 9 shtator 2025 (MIA) - Armata e Nepalit paralajmëroi se prej sonte e ndërmerr kontrollin, pa saktësuar çka konkretisht do të thotë kjo.
Në kumtesë akuzohen demonstruesit të cilët e shfrytëzojnë krizën momentale për shkatërrrim, grabitje dhe djegie të pronave publike dhe private.
"U bëjmë thirrje të gjithë qytetarëve ta përkrahin armatën në këtë përpjekje", thuhet në kumtesën e Armatës së Nepalit.

Paraprakisht, shefi i Shtatëmadhorisë së Armatës së Nepalit, gjenerali Ashok Raxh Sigdel u bëri thirrje demonstruesve në dialog për t'u gjetur zgjidhje për krizën politike në vend.
Protestat në Nepal filluan pasi Qeveria javën e kaluar ndaloi 26 platforma në mediumet sociale, duke përfshirë edhe "VacAp", "Instagram" dhe "Fejsbuk", për shkak se nuk janë regjistruar deri në afatin e fundit.
Kritikët e akuzuan Qeverinë se e shfrytëzon ndalesën për ta ngulfatur fushatën kundër korrupsionit. Ndalesa është hequr dje, por protestat janë intensifikuar.

Policia në Katmandu ka përdorur forcë derisa demonstruesit kanë hyrë në ndërtesën e Parlamentit dhe në shtëpitë e disa politikanëve të lartë dhe i kanë djegur.
Demonstruesit e kanë djegur shtëpinë e kryeministrit të Nepalit, K. P. Sharma Oli, i cili sot dha dorëheqje. Demonstruesit i kanë djegur edhe shtëpitë e ministrit të Punëve të Brendshme, Ramesh Leka, liderit të Partisë Komuniste të Nepalit, Pushla Kamal Dahall dhe shkollën private të ministres së Punëve të Jashtme, Arzu Deuba Rana.
Deri tani në Nepal janë vrarë 22 njerëz, prej të cilëve 19 mbrëmë. bsh/
Foto: EPA