Aleatët e Ukrainës me akuzë të ashpër për Rusinë për sulmin vdekjeprurës me raketa në Sumi
- Aleatët e Ukrainës e kanë dënuar Rusinë për sulmin vdekjeprurës me raketa në qytetin ukrainas Sumi, ku mbetën të vrarë 34 persona, mes tyre dy fëmijë, ndërsa 117 janë plagosur. Dy raketa balistike goditën qendrën e qytetit dje në mëngjes, duke shpërthyer pranë universitetit shtetëror dhe qendrës së kongresit, duke lënë trupa të përgjakshëm nëpër rrugë.

Bruksel, 14 prill 2025 (MIA) - Aleatët e Ukrainës e kanë dënuar Rusinë për sulmin vdekjeprurës me raketa në qytetin ukrainas Sumi, ku mbetën të vrarë 34 persona, mes tyre dy fëmijë, ndërsa 117 janë plagosur. Dy raketa balistike goditën qendrën e qytetit dje në mëngjes, duke shpërthyer pranë universitetit shtetëror dhe qendrës së kongresit, duke lënë trupa të përgjakshëm nëpër rrugë.
Presidenti amerikan, Donald Tramp e përshkroi sulmin si një "gjë të tmerrshme", ndërsa kancelari i ardhshëm gjerman, Fridrih Merc, e akuzoi Rusinë për kryerjen e një krimi lufte.
Sulmi vjen në një kohë kur SHBA-ja, aleati më i fortë ushtarak i Ukrainës, po përpiqet t'i japë fund luftës, e cila ka hyrë në vitin e saj të katërt, përmes negociatave të udhëhequra nga Tramp, shkruan Bi-Bi-Si. I pyetur për sulmin, presidenti amerikan tha se ishte "i tmerrshëm" dhe se atij i ishte thënë "ata bënë një gabim", por nuk dha detaje të mëtejshme.
Më parë, i dërguari i posaçëm i Trampit për Ukrainën, gjeneral-nënkoloneli në pension Kit Kelog, tha se sulmi kapërceu "çdo vijë të mirësjelljes".
Lideri ukrainas Volodimir Zelenski i bëri thirrje Trampit që të vizitojë Ukrainën dhe të shohë vetë shkatërrimin e shkaktuar nga pushtimi rus.
"Ju lutemi, përpara çdo vendimi, përpara çdo forme negociatash, ejani dhe shihni njerëzit, civilët, ushtarët, spitalet, kishat, fëmijët të shkatërruar ose të vdekur", tha ai në një intervistë për programin "60 Minuta" tëSi-Bi-Es, të regjistruar para sulmit në Sumi.
Merc, i cili pritet të bëhet kancelari i ri i Gjermanisë muajin e ardhshëm, për transmetuesin publik gjerman ARD deklaroi se sulmi ndaj Sumit është një "krim i rëndë lufte". "Ky ishte një akt i pabesë... dhe është një krim i rëndë lufte, i qëllimshëm dhe i planifikuar," tha politikani konservator.
Ndërkohë, kancelari aktual gjerman Olaf Sholc dklaroi se sulmi tregoi "sa vlen gatishmëria e supozuar e Rusisë për paqe".
Presidenti francez Emanuel Makron akuzoi Rusinë për “morespektim të dukshëm ndaj jetës njerëzore, ligjit ndërkombëtar dhe përpjekjeve diplomatike të Presidentit Tramp”. “Nevojiten masa të forta për të vendosur një armëpushim ndaj Rusisë”, tha ai. "Franca po punon pa u lodhur drejt këtij qëllimi, së bashku me partnerët e saj".
Duke e përshkruar sulmin si "barbar", kryetarja e Komisionit Evropian, Ursula fon der Lajen theksoi: "Rusia ishte dhe mbetet agresore, në shkelje të qartë të ligjit ndërkombëtar. Duhen urgjentisht masa të forta për të zbatuar një armëpushim. Evropa do të vazhdojë të punojë me partnerët dhe të mbajë presion të fortë mbi Rusinë derisa të përfundojë gjakderdhja dhe të arrihet një paqe e drejtë dhe e qëndrueshme, sipas kushteve të Ukrainës", shtoi ajo.
Kryeministri britanik Kir Starmer gjithashtu shprehu mendimin e tij, duke thënë se është "i tmerruar nga sulmet e tmerrshme të Rusisë ndaj civilëve në Sumi".
Zëdhënësi i i Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së Antonio Guteresh tha se ai është "thellësisht i shqetësuar dhe i tronditur" nga lajmet për sulmin me raketa.
Sulmi i dyfishtë me raketa i djeshëm ishte sulmi më vdekjeprurës ndaj civilëve në Ukrainë këtë vit.
Një sulm i mëparshëm raketor rus, më 4 prill, vrau 20 persona dhe plagosi 61 në qytetin Krivi Rih. Në atë kohë, Ministria ruse e Mbrojtjes tha se objektivi ishte një takim i "komandantëve të njësive dhe instruktorëve perëndimorë" në një restorant. Nuk u sigurua asnjë provë.
Vlerësohet se qindra mijëra njerëz – shumica e madhe e ushtarëve – janë vrarë ose plagosur nga të gjitha anët që nga fillimi i pushtimit të plotë të Ukrainës nga Rusia më 24 shkurt 2022.
OKB vlerëson se afro shtatë milionë ukrainas aktualisht jetojnë si refugjatë. ls/
Foto: EPA