Rusia sulmoi me raketa një bazë ushtarake ukrainase, 12 ushtarë të vrarë, 60 të plagosur
- Forcat ruse sot në mëngjes nisën një sulm me raketa ndaj njërës nga njesitë për stërvitje të ushtrisë tokësore ukrainase, kurse sipas të dhënave zyrtare të ushtrisë ukrainase në sulmin e kanë humbur jetën 12 persona, ndërsa më shumë se 60 janë plagosur.
Kiev, 1 qershor 2025 (MIA) - Forcat ruse sot në mëngjes nisën një sulm me raketa ndaj njërës nga njesitë për stërvitje të ushtrisë tokësore ukrainase, kurse sipas të dhënave zyrtare të ushtrisë ukrainase në sulmin e kanë humbur jetën 12 persona, ndërsa më shumë se 60 janë plagosur.
Ushtria tokësore e Ukrainës publikoi se gjatë sulmit nuk kishte formacione apo grumbullime masive të personelit në vendin e sulmit. Shumica e personelit ishte në strehimore, pasi sulmi ajror ishte njoftuar më parë.
"Të plagosurit po marrin të gjithë kujdesin e nevojshëm mjekësor të kualifikuar", kumtoi ushtria.
Pas sulmit, u formua një komision i posaçëm për të shqyrtuar rrethanat e incidentit dhe për të përcaktuar lëshimet e mundshme. Një hetim zyrtar është ngritur, ndërsa komanda e Komandës operative lindore po bashkëpunon me shërbimet përkatëse të sigurisë.
"Nëse vërtetohet se vdekjet dhe lëndimet e ushtarëve janë rezultat i veprimeve ose lëshimeve të personave përgjegjës, ata do të mbahen përgjegjës në mënyrë strikte", theksohet në kumtesën.
Sulmi ka ndodhur vetëm disa orë pasi forcat ruse kryen një sulm të madh ajror në rajonin e Kievit natën mes 31 majit dhe 1 qershorit, duke përdorur dronë, raketa lundrimi dhe raketa balistike. ls/
Foto: EPA