Ukraina dhe Rusia sot në Stamboll në raundin e dytë të negociatave për armëpushim
- Përfaqsuesit nga Ukraina dhe Rusia duhet sot përsëri të takohen në Stamboll për të diskutuar mënyrat e mundshme për t'i dhënë fund luftës, njoftoi DPA.
- Post By Fami Bajrami
- 08:02, 2 qershor, 2025
Stamboll, 2 qershor 2025 (MIA) - Përfaqsues nga Ukraina dhe Rusia duhet sot përsëri të takohen në Stamboll për të diskutuar mënyrat e mundshme për t'i dhënë fund luftës, njoftoi DPA.
Fillimi i takimit është caktuar për në ora 12 (11:00 sipas orës së Griniçit) në pallatin Çiragan në Stamboll, kumtoi Ministria e Punëve të Jashtme e Turqisë.
Moska e propozoi këtë raundë bisedimesh.
Nga mesi i majit, palët ndërluftuese u takuan për bisedime të drejtpërdrejta për herë të parë që nga viti 2022. Rezultati i këtij takimi ishte shkëmbimi i të burgosurve.
Pozita ukrainase për këtë raund bisedimesh përfshin, sipas presidentit ukrainas Volodimir Zelenski, armëpushim të plotë pa kushte, lirimin e të burgosurve dhe kthimin e fëmijëve të rrëmbyer.
"Për të krijuar paqe të qëndrueshme, duhet të përgatitet dhe takim në nivelin më të lartë", tha Zelenski.
Moska ka hedhur poshtë armëpushimin pa kushte, por kohët e fundit ka sinjalizuar gatishmërinë nën një numër parakushtesh.
"Gjatë kohëzgjatjes së armëpushimit, të paktën është e nevojshme që vendet perëndimore të ndalojnë furnizimin me armë regjimin e Kievit, ndërsa Ukraina të ndalojë mobilizimin e saj", deklaroi të premten ambasadori rus në KB, Vasilij Nebenzja, transmetoi DPA. rq/
Foto: arkivi i MIA-s