• недела, 08 март 2026

Çmimi i naftës tejkaloi 90 dollarë, rritje më e madhe javore që nga viti 1983

Çmimi i naftës tejkaloi 90 dollarë, rritje më e madhe javore që nga viti 1983

Londër, 7 mars 2026 (MIA) – Çmimet e naftës amerikane të papërpunuar e shënuan rritjen më të madhe javore deri më tani, të nxitur nga përshkallëzimi i luftës në Lindjen e Mesme, e cila shkaktoi ndërprerje të mëdha në furnizimet globale me karburante. 

Çmimet u rritën pasi presidenti amerikan Donald Tramp kërkoi dorëzim të pakushtëzuar të Iranit, duke e rritur frikën nga konflikti i vazhdueshëm i cili mund të shkaktojë kaos në tregjet globale të naftës dhe gazit, njoftoi Si En Bi Si. 

Kontratat e ardhshme të naftës së papërpunuar të Teksasit Perëndimor (WTI) në SHBA u rritën me 12,21 për qind, ose 9,89 dollarë, dhe arritën në 90,90 dollarë për fuçi. Çmimi referues global i llojit të naftës së papërpunuar Brent u rrit me 8,52 për qind, ose 7,28 dollarë, në 92,69 dollarë për fuçi.

Çmimet e naftës së papërpunuar në SHBA u rritën me 35,63 për qind javën e kaluar, që është rritja me e madhe që nga fillimi i tregtimit të kontratave me afat në vitin 1983. Ndërkohë, çmimi i naftës së papërpunuar Brent u rrit me rreth 28 për qind, që është fitimi më i madh javor që nga prilli i vitit 2020.

Lufta ka sjellë tashmë ndalimin e transportit detar në Ngushticën e Hormuzit, një rrugë kyçe detare për furnizimet me energji. Ministri i Energjisë i Katarit, Saad al-Kaabi, i tha të premten gazetës “Fajneshëll tajms” se çmimet e naftës së papërpunuar mund të arrijnë në 150 dollarë për fuçi në javët e ardhshme nëse anijet cisternë nuk do të jenë në gjendje të kalojnë nëpër ngushticë.

Ai paralajmëroi se skenari i tillë ka mundësi “t’i rrënojë ekonomitë botërore”. 

Administrata e Trampit të premten publikoi një program për sigurimin e 20 miliardë dollarëve për tankerët e naftës në Gjirin Persik, por masa bëri pak që ta qetësojë tregun e naftës së papërpunuar. 

Iraku njoftoi se e ka ulur prodhimtarinë për 1,5 milionë barelë në dit, ndërsa Kuvajti, gjithashtu, filloi me uljen e prodhimtarisë pasi nuk pati hapësirë për ruajtje. 

“Tregu po kalon nga vlerësimi i rrezikut thjesht gjeopolitik në përballjen me ndërprerje të prekshme operacionale”, thotë Natasha Kaneva, drejtuese e kërkimit të tregjeve globale në XhiPi Morgan.

Kaneva shtoi se ulja e prodhimtarisë ka mundësi të arrijë 6 milionë barelë në ditë deri në fund të javës së ardhshme nëse ngushtica nuk hapet për komunikacion. 

Po shtrenjtohen edhe karburantet në SHBA. Çmimi i një galon benzine gjatë ditëve të kaluara u rrit për afro 27 cent, në 3,25 dollarë. fc/

Foto: EPA

 

Остани поврзан