• петок, 21 февруари 2025

Zgjedhje parlamentare në Kosovë: Filloi votimi i diasporës

Zgjedhje parlamentare në Kosovë: Filloi votimi i diasporës

Prishtinë, 8 shkurt 2025 (MIA) – Votimi në zgjedhjet parlamentare në Kosovë të caktuara për të dielën, më 9 shkurt, filloi sot në orën 7 në përfaqësitë e Kosovës në Evropë. 

Votimi në përfaqësitë diplomatike – konsullore në SHBA dhe Kanada do të fillojë më vonë, në orën 13 sipas kohës së Evropës së mesme. 

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) në konferencë për media njoftoi se diaspora voton në 43 vendvotime në 16 ambasada dhe 14 konsullata të Kosovës, të vendosura në 19 vende të ndryshme. 

Për votim në këto 30 përfaqësi diplomatike janë regjistruar gjithsej 20.324 votues. 

Të drejtë vote në zgjedhjet për Kuvendin e Kosovës kanë 2.075.868 qytetarë, të cilët mund të votojnë në 941 qendra votimi dhe 2.533 vendvotime, njoftoi KQZ.

Në Kosovë të drejtë vote kanë 1.970.944 qytetarë, ndërsa në diasporë 104.924 persona. 

KQZ në shoqëri të pjesëtarëve të policisë së Kosovës sot filloi me shpërndarjen e materialeve zgjedhore në komisionet zgjedhore, të cilat mbrëmë vonë ose në orët e hershme të mëngjesit do t’i dorëzojnë në qendrat e votimit dhe vendet e votimit. 

Janë shtypur 1.752.650 fletë votimi, prej të cilave 1.664.100 janë të dedikuara për votim në vendvotime të rregullta, 21.450 për votim në përfaqësi diplomatike, 28.450 për votim me kusht, ndërsa 38.650 për votim të personave me nevoja të veçanta për fletë rezervë. 

Në zgjedhjet e nënta parlamentare në Kosovë që nga shpallja e pavarësisë marrin pjesë 28 subjekte politike, prej të cilave 19 parti politike, pesë koalicione, dy nisma qytetare dhe një kandidat i pavarur. Ka edhe gjashtë subjekte politike nga bashkësia serbe. 

Sipas anketave parazgjedhore dhe pritjeve të analistëve politikë, beteja kryesore në zgjedhje do të zhvillohet mes Lëvizjes Vetëvendosje të Albin Kurtit, Lidhjes Demokratike të Kosovës të Lumir Abdixhikut, Partisë Demokratike të Kosovës së Memli Krasniqit dhe Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj.  

Kuvendi i Kosovës ka 120 vende të deputetëve, prej të cilëve 20 janë të garantuara për pjesëtarët e bashkësive pakicë. Lista serbe ka 10 vende të deputetëve, bashkësia boshnjake ka tre, bashkësia turke ka dy, ajo rome (bashkësia RAE) ka katër, ndërsa Bashkësia gorane ka një vend të deputetëve. Pragu zgjedhor është 5 për qind. fc/

Fotografia: EPA

 

 

Тагови

Остани поврзан