Zelenski: SHBA-ja ka fituar miliarda dollarë nga lufta në Ukrainë
- Presidenti i Ukrainës, Vollodimir Zelenski në intervistën e publikuar në kanalin JuTjub të "Pirs Morgan pacensuruar" (Piers Morgan Uncensored) deklaroi se SHBA-ja ka fituar miliarda dollarë nga lufta në Ukrainë, falë marrëveshjeve të mëdha për armët.

Kiev, 5 shkurt 2025 (MIA) - Presidenti i Ukrainës, Vollodimir Zelenski në intervistën e publikuar në kanalin JuTjub të "Pirs Morgan pacensuruar" (Piers Morgan Uncensored) deklaroi se SHBA-ja ka fituar miliarda dollarë nga lufta në Ukrainë, falë marrëveshjeve të mëdha për armët.
Ai shtoi se kompanitë amerikane kanë realizuar të ardhura të mëdha edhe përmes licencimit, për shkak të kërkesës së madhe për armë dhe pajisje.
"Kompanitë amerikane kanë fituar miliona, madje edhe në licencat, sepse nuk kanë zyra në Evropë. Pra, këto janë miliarda të ardhura", theksoi Zelenski.
Ai gjithashtu shprehu gatishmërinë e tij për negociata të drejtpërdrejta me presidentin rus Vlladimir Putin dhe forcat e tjera për t'i dhënë fund luftës trevjeçare.
Zelenski, në pyetjen e moderatorit britanik Piers Morgan për mundësinë e negociatave me Putinin, u përgjigj se do ta bënte këtë "nëse ky do të ishte opsioni i vetëm që mund të sillte paqe për qytetarët e Ukrainës".
“Në atë rast, ne do të pranojmë takim me katër pjesëmarrës”, theksoi Zelenski, pa saktësuar se cilët do të ishin pjesëmarrësit tjerë, por Morgan përmendi mundësinë për negociata midis Ukrainës, Rusisë, SHBA-së dhe Bashkimit Evropian.
Putini në fund të janarit deklaroi se ishte i hapur për negociata për t'i dhënë fund luftës në Ukrainë, por hodhi poshtë bisedimet e drejtpërdrejta me Zelenskin, sepse ai nuk sheh "vullnet" tek Kievi. qa/bsh/
Foto: Arkivi i MIA-s