Zelenski: SHBA dhe BE duhet të jenë pjesë e negociatave paqësore ndërmjet Ukrainës dhe Rusisë
- SHBA dhe Bashkimi Evropian duhet t'i bashkohen Ukrainës dhe Rusisë në tryezën e bisedimeve në negociatat e ardhshme të paqes, tha presidenti ukrainas Vollodimir Zelenski për mediat amerikane.

Kiev, 2 shkurt 2025 (MIA) - SHBA dhe Bashkimi Evropian duhet t'i bashkohen Ukrainës dhe Rusisë në tryezën e bisedimeve në negociatat e ardhshme të paqes, tha presidenti ukrainas Vollodimir Zelenski për mediat amerikane.
Bisedimet për luftën që nuk përfshijnë Ukrainën janë "shumë të rrezikshme", tha Zelenski, një ditë pasi presidenti i SHBA-së Donald Tramp tha se ekipi i tij ishte tashmë i angazhuar në bisedime "shumë serioze" me Rusinë se si t'i jepte fund luftës në Ukrainë.
"Ata mund të kenë marrëdhëniet e tyre, por të flasësh për Ukrainën pa ne është e rrezikshme për të gjithë", tha Zelenski, duke iu referuar deklaratave të mëparshme të Trampit.
Zelenski theksoi se hapi i parë për Ukrainën është të mbajë një takim të nivelit të lartë me Trampin, në mënyrë që Kievi dhe Uashingtoni të mund të zhvillojnë planet e tyre të armëpushimit dhe më pas palët të kalojnë në bisedime që përfshijnë edhe Rusinë.
"Besoj se para së gjithash duhet të kemi një takim me Trampin dhe kjo është e rëndësishme. Të paktën, kjo është diçka që të gjithë në Evropë duan", tha Zelenski.
Ai theksoi se pas atij takimi, duhet të ketë një lëvizje për "një format të bisedimeve me rusët".
"Dhe unë do të doja të shihja SHBA-në, Ukrainën dhe rusët në tryezën e bisedimeve... Dhe, të jem i sinqertë, duhet të jetë i pranishëm edhe zëri i Bashkimit Evropian. Mendoj se do të ishte e drejtë dhe efektive. Por si do të dalë, nuk e di", tha Zelenski.
Ai shtoi se Moska nuk është e interesuar në zhvillimin e bisedimeve të paqes për shkak të avantazhit të saj në fushën e betejës, por se Trampi mund të detyrojë presidentin rus Vladimir Putin të negociojë duke kërcënuar me sanksione më të ashpra ndaj Rusisë.
Zelenski shtoi se Shtetet e Bashkuara të Amerikës duhet të vazhdojnë të furnizojnë me armë Kievin.
"Mendoj se këto janë hapat më të afërt dhe më të rëndësishëm", tha Zelenski. sa/
foto: Arkivi i MIA-s