• сабота, 22 февруари 2025

Zelenski: Nuk do të pranojmë marrëveshje mes SHBA-së dhe Rusisë pa pjesëmarrje të Ukrainës

Zelenski: Nuk do të pranojmë marrëveshje mes SHBA-së dhe Rusisë pa pjesëmarrje të Ukrainës

Kiev, 13 shkurt 2025 (MIA) – Presidenti ukrainas Volodomir Zelenski deklaroi sot se Kievi nuk do të pranojë kurrfarë marrëveshje për të ardhmen e Ukrainës e cila do të arrihej mes Moskës dhe Uashingtonit pa praninë e përfaqësuesve ukrainas. 

“Është e rëndësishme që të mos lejohet skenari i (presidentit rus Vladimir) Putin, sipas të cilit ai do të bëjë përpjekje të arrijë bisedime të dyanshme me SHBA-në, pa Ukrainën në tryezën e bisedimeve”, deklaroi Zelenski në konferencë për media. 

Ai theksoi se Ukraina do të insistojë jo vetëm në pjesëmarrje të saj aktive në të gjitha proceset paqësore, por edhe në angazhimin e partnerëve evropianë. 

“Evropa duhet të përfshihet në këto bisedime, sepse siguria e kontinentit tonë nuk është çështje që mund të zgjidhet vetëm mes Uashingtonit dhe Moskës”, shtoi Zelenski. 

"Si shtet i pavarur, ne thjesht nuk do të jemi në gjendje të pranojmë asnjë marrëveshje pa ne," u tha Zelenski gazetarëve gjatë vizitës së tij në një central bërthamor ukrainas në rrugën për në Konferencën e Sigurisë së Munihut sot.

Biseda telefonike e presidentit amerikan Donald Tramp me Putinin dhe vërejtjet e sekretarit amerikan të Mbrojtjes, Pit Hegset, i cili tha se Ukraina nuk mund të përfshihet në NATO dhe se është joreale të kthehet në kufijtë para vitit 2014, shkaktuan shqetësim në vendet evropiane se Shtëpia e Bardhë mund të bëjë përpjekje të lidhë marrëveshje me Rusinë pa ato. 

“Tani është me rëndësi që gjithçka të mos ecë sipas planit të Putinit, sipas të cilit ai dëshiron të bëjë gjithçka që është e mundur që t’i shndërrojë bisedimet në dypalëshe (me SHBA-në)”, tha Zelenski. 

Sipas presidentit ukrainas, është me rëndësi që SHBA-ja dhe Ukraina të përgatisin plan për t’i dhënë fund luftës para se të bisedojnë me Rusinë. 

Zelenski insiston në takim me Trampin para se presidenti amerikan të takohet me Putinin. Kjo vjen edhe krahas asaj që Trampi deklaroi dje se pret që të takohet me liderin rus në të ardhmen, ndoshta në Arabinë Saudite. 

Ukraina paralajmëroi se punon në organizimin e takimit mes Zelenskit dhe Trampit, por për momentin asgjë konkrete nuk mund të kumtojë. 

Zelenski shtoi se në bisedën telefonike me Trampin nuk ka biseduar për çështjen e anëtarësimit në NATO, edhe pse ka thënë se e di që SHBA-ja është kundër kësaj ideje. 

Presidenti ukrainas, gjithashtu, ka bërë përpjekje ta minimizojë rëndësinë e thirrjes së Trampit dërguar Putinit dje para takimit me të, duke thënë se duket se kjo nuk është shenjë për prioritetet e vërteta të Uashingtonit, por shtoi se megjithatë është “i pakëndshëm”. fc/

Fotografia: Arkivi

 

Остани поврзан