• сабота, 22 февруари 2025

Zelenski: Kam pasur një bisedë të rëndësishme me Trampin, po punojmë së bashku për t'i dhënë fund luftës

Zelenski: Kam pasur një bisedë të rëndësishme me Trampin, po punojmë së bashku për t'i dhënë fund luftës

Kiev, 12 shkurt 2025 (MIA) - Presidenti i SHBA-së dhe ai i Ukrainës, Donald Trump dhe Volodimir Zelenski kanë biseduar në telefon për rreth një orë, kumtoi kabineti i Zelenskit.

“Kam pasur një bisedë të rëndësishme me Presidentin Tramp”, tha Zelenski, duke shtuar se Tramp ndau detaje të bisedës së tij me presidentin rus Vladimir Putin.

Askush nuk dëshiron paqe më shumë se Ukraina. Së bashku me SHBA-në, ne po përcaktojmë hapat e ardhshëm për të ndaluar agresionin rus dhe për të siguruar një paqe të përhershme dhe të qëndrueshme. Siç tha Presidenti Tramp - le ta bëjmë atë," theksoi Zelenski.

Të dy presidentët "biseduan përmundësitë e arritjes së paqes" dhe "konfirmuan gatishmërinë e tyre për bashkëpunim në nivel ekipesh, theksohet në kumtesën nga kabineti presidencial. 

“Falënderoj Presidentin Tramp për interesimin e tij dhe për atë që mund të arrijmë së bashku”, shtoi Zelenski.

Nga ana e tij, Tramp e përshkroi bisedën me Zelenskin si "shumë të mirë".

“Ai, ashtu si presidenti Putin, dëshiron paqe”, ka postuar Tramp në rrjetet sociale.

“Kemi diskutuar për tema të ndryshme që kanë të bëjnë me luftën, por më së shumti për takimin që do të organizohet të premten në Mynih, ku nënpresidenti Xhej Di Vans dhe sekretari shtetëror Marko Rubio do të udhëheqin delegacionin amerikan.

“Shpresoj se rezultatet e këtij takimi do të jenë pozitive. Është koha për të ndalur këtë luftë të pakuptimtë, e cila ka shkaktuar vdekje dhe shkatërrime të mëdha dhe krejtësisht të panevojshme. Zoti e bekoftë popullin e Rusisë dhe Ukrainës!, ka shkruar Tramp.

Më herët, Tramp paralajmëroi se do të telefonojë Zelenskin për ta informuar për bisedën e tij me presidentin rus Vladimir Putin, në të cilën ata ranë dakord të "fillonin menjëherë negociatat" për t'i dhënë fund luftës.

Nuk dihet nëse në këto negociata do të përfshihet Kievi apo nëse do të jenë bisedime dypalëshe midis SHBA-së dhe Rusisë.

"Ne ramë dakord të punojmë së bashku, shumë ngushtë, duke përfshirë edhe vizitën në vendet tona," tha Tramp pas bisedës së tij me Putinin. ls/

Foto: Printskrin

 

 

Остани поврзан