Zelenski ka shprehur gatishmëri për negociata të drejtpërdrejta me Putinin
- Presidenti i Ukrainës, Vollodimir Zelenski ka shprehur gatishmëri për negociata të drejtpërdrejta me presidentin rus Vlladimir Putin dhe forcat tjera për përfundimin e luftës trevjeçare.

Kiev, 5 shkurt 2025 (MIA) - Presidenti i Ukrainës, Vollodimir Zelenski ka shprehur gatishmëri për negociata të drejtpërdrejta me presidentin rus Vlladimir Putin dhe forcat tjera për përfundimin e luftës trevjeçare.
Zelenski, në pyetje të moderatorit britanik, Pirs Morgan për mundësinë për negociata me Putinin, u përgjigj se këtë do ta bënte "nëse ky është opsioni i vetëm, që mund t'u sjell paqe qytetarëve të Ukrainës".
"Në atë rast do të pranojmë takim të katër pjesëmarrësve", tha Zelenski në intervistë të publikuar në JuTjub kanalin "Piers Morgan Uncensored".
Zelenski nuk saktësoi se cilët do të ishin pjesëmarrësit tjerë, por Morgan e përmendi mundësinë për negociata mes Ukrainës, Rusisë, SHBA-së dhe BE-së.
Putini në fund të janarit deklaroi se është i hapur për negociata për fund të luftës në Ukrainë, por përjashtoi biseda të drejtpërdrejta me Zelenskin, pasi "nuk sheh vullnet" tek Kievi. bsh/
Foto: EPA