• понеделник, 29 декември 2025

Zelenski: Jam gati të shpall referendum për planin e Trampit për t'i dhënë fund luftës

Zelenski: Jam gati të shpall referendum për planin e Trampit për t'i dhënë fund luftës

Kiev, 26 dhjetor 2025 (MIA) - Presidenti ukrainas Volodimir Zelenski tha sot se është i gatshëm të organizojë një referendum mbi planin për t'i dhënë fund luftës, të propozuar nga presidenti i SHBA-së Donald Tramp, me kusht që Rusia të bie dakord për një armëpushim prej të paktën 60 ditësh.

Në një intervistë telefonike për Aksios, Zelenski theksoi se plani i Trampit është ende subjekt i negociatave, veçanërisht në lidhje me lëshimet territoriale që Ukraina do të duhet t'i pranojë.

Ai deklaroi se do të donte ende të negocionte një qëndrim më të mirë për çështjen e territorit.

"Por nëse plani kërkon një vendim shumë të vështirë për këtë çështje, mënyra më e mirë do të ishte që i gjithë plani me 20 pika të vihej në një referendum", tha Zelenski, duke vënë në dukje se organizimi i një referendumi në kushte lufte është jashtëzakonisht sfidues.

Siç deklaroi ai, një armëpushim prej të paktën 60 ditësh do të ishte i nevojshëm për të krijuar kushte sigurie për votimin.

"Mbajtja e një votimi të tillë do të kishte ndërlikime të mëdha politike, logjistike dhe të sigurisë. Kjo është arsyeja pse një armëpushim 60-ditor për të organizuar dhe mbajtur votimin është minimumi. Ne duhet të sigurohemi që qytetarët të mund të shprehin mendimin e tyre në kushte të sigurta. Nëse referendumi nuk mbahet siç duhet, rezultati mund të konsiderohet i paligjshëm. Është më mirë të mos mbahet një referendum sesa të mbahet një referendum ku njerëzit nuk kanë mundësinë të vijnë dhe të votojnë", tha Zelenski.

Sipas tij, në këtë pikë është e paqartë nëse Rusia do ta pranojë planin e propozuar, megjithëse ka sinjale se përfaqësuesit rusë janë të gatshëm ta shqyrtojnë mundësinë e një armëpushimi.

Zelenski shtoi se nëse arrihet një marrëveshje, duhet të specifikohet edhe një afat kohor për garancitë e sigurisë, i cili do të ishte pjesë e një marrëveshjeje më të gjerë paqeje.

Ai tha se shpreson të bie dakord me Trampin mbi një kornizë për përfundimin e luftës kur të takohen të dielën në pronën e tij në Mar-a-Lago në Florida, ku do të vazhdojnë bisedimet mbi kushtet e përfundimit të luftës.

Duke komentuar propozimin e SHBA-së për një marrëveshje 15-vjeçare të rinovueshme, Zelenski tha se besonte se "do të duheshin më shumë se 15 vjet", duke shtuar se do ta konsideronte një "sukses të madh" nëse Trampi do të binte dakord me të gjatë takimit të tyre.

Ai shtoi se SHBA ashtu edhe Ukraina do t'ua paraqesin garancitë e sigurisë legjislaturave të tyre për ratifikim.

Pala amerikane e konsideron një hap të madh përpara që Zelenski është gati të mbajë një referendum dhe nuk përjashton më lëshimet territoriale. sa/

foto: EPA

Остани поврзан