Zelenski do të merrë pjesë në Konferencën e Sigurisë në Mynih
- Presidenti i Ukrainës Vollodimir Zelenski do të marrë pjesë në Konferencën e Sigurisë në Mynih (MSC) në fund të kësaj jave, kumtuan sot organizatorët.

Berlin, 10 shkurt 2025 (MIA) - Presidenti i Ukrainës Vollodimir Zelenski do të marrë pjesë në Konferencën e Sigurisë në Mynih (MSC) në fund të kësaj jave, kumtuan sot organizatorët.
Ata shfaqën shpresë se forumi do të shfrytëzohet për përparimin drejt paqes në Ukrainë.
Në ngjarjen diplomatike, e cila do të mbahet nga e premtja deri të dielën, do të marrin pjesë edhe përfaqësues të administratës së presidentit amerikan, Donald Tramp.
"Supozojmë se diskutimet do të zhvillohen në margjinat e konferencës", tha kryetari i MSC-së, Kristof Hojsgen.
Zelenski paradokohe publikoi se është gati për negociata të drejtpërdrejta me presidentin rus Vlladimir Putin dhe liderë tjerë për t'i dhënë fund luftës në Ukrainë.
Hojsgen tha se e sheh vizitën e të dërguarit të posaçëm të SHBA-së për Ukrainën, Kit Kelog si "tregues" se konferenca mund të japë mundësi për të diskutuar "konturet" e një plani paqeje për Ukrainën.
MSC publikoi se në konferencë do të marrë pjesë dhe nënpresidenti amerikan Xhej Di Vens dhe sekretari i Shtetit, Marko Rubio.
Të premten Zelenski tha se Uashingtoni dhe Kievi po përgatisnin "takime dhe bisedime", pa dhënë një datë apo lokacion për to, pasi Trampi kishte përmendur më parë se do të takohej me presidentin ukrainas.
Nga ana tjetër, "deri tani asnjë vend nuk ka shprehur dëshirën që përfaqësuesit rusë të vijnë" në Mynih, theksoi Hojsgen. Megjithatë, janë ftuar organizata opozitare joqeveritare ruse, të cilat janë aktive në Rusi ose në mërgim jashtë vendit. rq/bsh/
Foto: arkivi i MIA-s