• сабота, 22 февруари 2025

Vilders mbështet planin e Trampit për shpërngulje të detyrueshme të palestinezëve nga Gaza

Vilders mbështet planin e Trampit për shpërngulje të detyrueshme të palestinezëve nga Gaza

Amsterdam, 5 shkurt 2025 (MIA) - Lideri i Partisë holandeze të ekstremit të djathtë PVV, Gert Vilders sot mbështeti planin e presidentit amerikan Donald Tramp për shpërngulje të detyrueshme të palestinezëve nga Rripi i Gazës në Egjipt dhe Jordan.

"Shumë e vërtetë, president Tramp! Siç kam thënë gjtihmonë, Jordani dhe Palestina (janë të njëjta). Le të shpërngulen palestinezët në Jordan. Problemi me Gazën është zgjidhur", shënoi Vilders në rrjetin Iks.

Ministri holandez i Punëve të Jashtme Kaspar Veldkamp, nga partia NSC, e cila është partner i koalicionit të PVV-së, paraprakisht tha se kundërshton deportimin e detyruar të palestinezëve nga Rripi i Gazës, shkruan "NL Tajms".

Menjëherë pasi kabineti aktual holandez mori detyrën, Veldkamp i dha garancione se Qeverisë jordaneze se Holanda nuk do ta mbështesë shpërnguljen e palestinezëve, pasi Vilders në korrik tha se Jordani është "shteti i vetëm i vërtetë palestinez".

Amani e kritikoi këtë qëndrim të Vildersit, ndërsa Veldkamp tha se Holanda mbështet zgjidhjen për dy shtete, Palestina dhe Izraeli.

Trampi sërish propozoi që palestinezët të shpërngulen nga Rripi i Gazës në Egjipt dhe Jordan, gjë që këto vende e refuzuan. Ai shtoi se SHBA do ta "marrë" Rripin e Gazës, duke e përshkruar vizionin e tij për rajonin si një "Rivierë të re të Lindjes së Mesme".

Propozimi i Trampit ishte refuzuar nga Rusia, Kina, Franca, Britania e Madhe, Gjermania, Sllovenia, si dhe shumë vende tjera arabe. sa/

Foto: EPA

Остани поврзан