Vazhdojnë bojkotet: Rritje dramatike e çmimeve të ushqimeve në BE dhe Ballkanin Perëndimor
- Shpenzimet e jetesës po rriten në tërë Bashkimin Evropian, si dhe në Ballkanin Perëndimor pasi pagat nuk përputhen me rritjen e çmimeve, veçanërisht të produkteve ushqimore.

Bruksel, 13 shkurt 2025 (MIA) - Shpenzimet e jetesës po rriten në tërë Bashkimin Evropian, si dhe në Ballkanin Perëndimor pasi pagat nuk përputhen me rritjen e çmimeve, veçanërisht të produkteve ushqimore.
Sipas Indeksit të harmonizuar të çmimeve konsumatore (HICP) të Eurostat-it, mesatarja e çmimeve të ushqimeve në BE ishte 145,2 pikë në dhjetor të vitit 2024, krahasuar me 100 pikë bazë në vitin 2015.
Në Kroaci çmimet e ushqimeve janë më të larta se mesatarja evropiane dhe arrijnë në 148,7 pikë, në Rumani janë 166,2 pikë, ndërsa në Bullgari 174,4 pikë të pabesueshme.
Eurostat vlerësoi inflacionin vjetor në eurozonë në 2,5 për qind në janar. Norma e inflacionit të ushqimeve është 2,3 për qind. Norma e inflacionit në Kroaci është pesë për qind, që e bënë atë më të lartën në Eurozonë.
Çmimet, veçanërisht të ushqimeve, janë rritur së fundmi në Bosnje e Hercegovinë, Mal të Zi, Serbi dhe Maqedoninë e Veriut. Ndërkohë, edhe pse është shënuar një rritje e lehtë e pagave, niveli i rritjes së çmimeve e tejkalon këtë, duke bërë që qytetarët të bien gjithnjë e më shumë në varfëri.
E gjithë kjo, gjegjësisht rritja e pakontrolluar e çmimeve, ka qenë arsyeja e organizimit të bojkotit të parë të përgjithshëm në Kroaci më 24 janar, kur qytetarët janë përmbajtur nga blerjet në zingjirët tregtare dhe supermarketet.
Që atëherë lëvizja është përhapur mbarë Evropën Juglindore, në Bosnje e Hercegovinë, Mal të Zi, Maqedoninë e Veriut, Bullgari dhe Serbi.
Kjo bëri që blerjet në disa vende, si Kroacia dhe Mali i Zi, të bien deri në 50 për qind gjatë bojkotit. Bojkoti i detyroi qeveritë, për shembull në Kroaci, të rrisin listën e "çmimeve të mbyllura" nga 30 në 40, ose gjithsej në 70.
Ndërkohë, disa zinxhirë të shitjes me pakicë ulën çmimet për qindra produkte dhe paralajmëruan reduktime për mijëra artikuj të tjerë.
Edhe në Bosnje e Hercegovinë, veçanërisht në entitetin FBeH, Qeveria vendosi të bllokojë çmimet e 50 produkteve, ndërsa në entitetin RS, mbikëqyrja inspektuese është përforcuar.
Mirëpo, të gjitha lëvizjet e autoriteteve, por dhe të zinxhirëve tregtarë në Kroaci, Bosnje e Hercegovinë, Mal të Zi, Maqedoninë e Veriut dhe Serbi, nuk i kthyen qytetarët nga bojkoti, ndaj ajo do të zbatohet këtë të premte në shumicën e vendeve të rajonit.
Në Shqipëri nuk pati asnjë bojkot dhe përkundër thirrjeve në rrjetet sociale. Qeveria vitin e kaluar ka rritur pagat e nëpunësve publikë dhe ka rritur pensionet, ndërsa këtë vit ka ulur çmimin e energjisë elektrike. Rritja e pagave nuk ka ardhur pas rritjes së ndjeshme të çmimeve në supermarkete.
As në Slloveni nuk ka pasur bojkot të organizuar të dyqaneve, përveç përmbajtshmëri nga tregtimi në disa rrjete tregtare, edhe pse çmimet e larta të ushqimeve janë një çështje e rëndësishme atje. Sipas Byrosë kombëtare të statistikave, çmimet e ushqimeve dhe pijeve joalkoolike u stabilizuan në vitin 2024 pas një periudhe të rritjes së madhe. rq/
Foto: arkivi i MIA-s