• сабота, 22 февруари 2025

Vazhdoi gjykimi për vrasjen e Vanjës dhe Pançes, Prokuroria prezanton prova nga video materialet

Vazhdoi gjykimi për vrasjen e Vanjës dhe Pançes, Prokuroria prezanton prova nga video materialet

Shkup, 3 shkurt 2025 (MIA) - Me prezantimin e video materialeve nga kamerat e sigurisë të propozuara si prova nga Prokuroria, sot në Gjykatën themelore penale në Shkup ka vazhduar gjykimi për vrasjen e dyfishtë të Vanja Gjorçevëks dhe Pançe Zhezhovskit.

Në pamjet e siguruara nga kamerat e sigurisë së Hotel park, shihet se si automjetet Citroen dhe Reno kangu futen në Debar mëhallë në rrugën "Naum Naumovski Borçe" nga ku vajza u rrëmbye më 27 nëntor 2023.

Prokurorja publike, Ana Stojkoviq Dimitrovska, duke prezantuar provat, theksoi se në pamjet video shihet se si në orën 6:37 në kohë reale Citroen kalon rrugën para hotelit, ndalon dhe vazhdon drejt ndërtesës së Vanjës.

Para shfaqjes së video incizimeve nga kamera në studion e kozmetikës "Intea forma" në rrugën “Naum Naumovski Borçe”, në afërsi të ndërtesës nga ku u rrëmbye vajza, prokurorja theksoi se bëhet fjalë për dëshmi që disa dëshmitarë në procedurë thanë se e dërgon të akuzuarin Aleksandar Gjorçevski te shefi Dejan Dimovski me pretendimin se ka diçka të çuditshme.

"Në kohë reale në orën 7:29 shihet duke kaluar një automjet Citroen. Në fakt kjo është koha kur ka ndodhur rrëmbimi. Do të doja që të shikonim pamjet një minutë para se të kalojë makina Citroen për të konstatuar se sa automjete kalojnë në rrugë gjatë asaj dite. Në vetëm një minutë, mund të shihni se si kalojnë dhjetëra automjete përpara se të kalojë Citroen. Nga ajo që ka analizuar prokuroria në 4 minuta para se të kalonte Citroen kanë kaluar 26 automjete, ndërsa pasi të ketë kaluar, pamjet tregojnë se si në çdo 30 sekonda kalon një automjet", deklaroi prokurorja.

Në videon nga një këmbimore në rrugën "Naum Naumovski Borçe" shihet se si automjeti Citroen në orën 7:30 lëviz drejt rrugës "Arradhat partizane".

Gjykatësi e paralajmëroi Palevskin që të mos komentojë dhe të mos e prishë rendin në sallën e gjyqit, në të kundërtën do të dënohej.

I akuzuar i parë për vrasjen e dyfishtë, Lupço Palevski Pallço në fillimin e seancës së kaluar kërkoi përjashtimin e prokurores publike Zhaklina Kërstevska dhe të gjithë PTHP Shkup në rastin për shkak të hetimit të zbatuar në mënyrë joadekuate.

Gjyqtari Ivica Stefanovski i cili e udhëheq rastin në fillim të seancës së sotme tha se vendimi i është dorëzuar Palevskit me shkrim, pas së cilës ka vazhduar prezantimi i provave.

Disa anëtarë të partisë politike "E Djathta", para fillimit të seancës së sotme kanë protestuar para Gjykatës me pankarta ku shkruhej “PTHP prodhon monstra, jo PP E Djathta”.

Në seancën e parë gjyqësore të akuzuarit Lupço Palevski, Bore Videvski, Velibor Manev dhe Vllatko Keshishov, si dhe babai i vajzës, Aleksandar Gjorçevski u shprehën se nuk ndjehen fajtorë.

Sipas aktakuzës, ata bashkërisht kishin planifikuar rrëmbimin e vajzës 14-vjeçare në mënyrë që të detyronin një anëtar të familjes së saj të ngushtë të siguronte para për shpërblim. Ndërkaq, rrëmbimi i të dëmtuarit, Pançe Zhezhovski, në Veles ka qenë me qëllim që ta detyrojnë që t'ua japë automjetin e tij Citroen në mënyrë që ta përdorin për ta rrëmbyer fëmijën në Shkup.

Minorenja Vanja dhe banori nga Velesi Pançe, të cilët u raportuan të zhdukur më 27 dhe 24 nëntor u gjetën të vdekur në afërsi të Shkupit dhe Velesit më 3 dhjetor të vitit 2023.

Foto: arkivi i MIA-s

Тагови

Остани поврзан