Vans nga Mynihu: Liria në Evropë është e rrezikuar, migrimi është sfida kryesore
- Nënpresidenti amerikan Xhej Di Vans e kritikoi ashpër gjendjen e lirisë në Evropë, duke veçuar në veçanti Mbretërinë e Bashkuar.

Mynih, 14 shkurt 2025 (MIA) - Nënpresidenti amerikan Xhej Di Vans e kritikoi ashpër gjendjen e lirisë në Evropë, duke veçuar në veçanti Mbretërinë e Bashkuar.
Në fjalimin e tij në Forumin e sigurisë në Mynih, Vans vuri në dukje, siç tha, " tërheqjen e lirive themelore" në disa nga vendet që ishin fituese në Luftën e Ftohtë, transmeton Skaj Njuz.
"Për fat të keq, kur e shoh Evropën sot, nuk është gjithmonë e qartë se çfarë ndodhi me disa nga fituesit e Luftës së Ftohtë. Dhe, ndoshta më shqetësuesja, shikoj mikun tonë shumë të dashur Mbretërinë e Bashkuar, ku heqja dorë nga e drejta e lirisë, i solli në pyetje liritë themelore të britanikëve religjiozë", deklaroi Vans.
Si shembull e përmendi rastin e Adam Smit-Konor (51), i cili në tetor të vitit të kaluar u dënua për shkeljen e zonës së sigurisë rreth një qendre aborti në Britaninë e Madhe. Sipas Vans, policia e Britanisë e ka vërejtur Smit-Konorin, e ka pyetur për çfarë po lutej, ndërsa ai u përgjigj se po lutej për fëmijën e tij të palindur, të abortuar disa vite më parë.
Në vazhdimin e fjalimit të tij, Vans iu referua çështjes së migrimit në Evropë, gjatë të cilës gabimisht e cilësoi sulmuesin nga incidenti i djeshëm në Mynih si azilkërkues. Në fakt, i dyshuari jeton në Mynih që nga viti 2016, kur ka ardhur si i mitur i pashoqëruar dhe posedon leje pune.
Vans theksoi se Evropa "e ka dëgjuar shumë herë këtë histori të tmerrshme" dhe theksoi se është një problem që shqetëson shumë qytetarë.
Referuar vendimeve të votuesve europianë, nëndëspresidenti amerikan përmendi edhe Bregzitin si një moment kyç.
"Por a e dini se për çfarë votuan njerëzit në Angli? Ata votuan për Bregzit. Dhe, ju pëlqen apo jo, ndodhi. Gjithnjë e më shumë evropianë po votojnë për liderët politikë që premtojnë t'i japin fund valës së pakontrolluar të migrimit", tha Vans.
Ai shtoi se megjithëse pajtohet me këto pikëpamje, “jo të gjithë duhet të mendojnë si ai”.
Xhej Di Vans e kritikoi angazhimin e Evropës ndaj demokracisë, sepse ai tha se Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë më të shqetësuara për "kërcënimin nga brenda" të kontinentit.
“Kërcënimi për të cilin shqetësohem më shumë në lidhje me Evropën nuk është Rusia, nuk është Kina, nuk është ndonjë aktor tjetër i jashtëm. Ajo për të cilën shqetësohem është kërcënimi nga brenda, tërheqja e Evropës nga disa nga vlerat e saj më themelore," tha Vans të premten.
Vans si provë e theksoi vendimin e gjykatës kushtetuese të Rumanisë për të anuluar garën presidenciale rumune për shkak të dyshimeve për ndërhyrje ruse. ls/
Foto: EPA