• сабота, 22 февруари 2025

Sot vihet në funksion stacioni i ri i kompresorit për klinikat kirurgjikale

Sot vihet në funksion stacioni i ri i kompresorit për klinikat kirurgjikale

Shkup, 10 shkurt 2025 (MIA) - Sot zyrtarisht do të vihet në funksion stacioni i ri i kompresorit për klinikat kirurgjikale. Në këtë aktivitet, siç njoftojnë nga Ministria e Shëndetësisë do të marrë pjesë edhe ministri Arben Taravari.

Në maj të vitit të kaluar sallat e operacionit në Qendrën klinike u mbyllën për shkak të një arome të pakëndshme. Për intervenime të shpejta pacientët janë udhëzuar në Klinikën universitare për sëmundje kirurgjike “Shën Naumi i Ohrit” dhe Spitalin e përgjithshëm të Qytetit “8 Shtatori”. Stacioni i kompresorit i ndërtuar rreth 33 vjet më parë duhej të ishte ndërruar tre vjet më parë. Mosfunksionimi i bllokut operativ u cilësua si goditje e rëndë për Qendrën klinike si shtyllë e shëndetësisë.

Më 1 korrik u njoftua se dalëngadalë po zgjidhet problemi me dhomat e kirurgjisë në Qendrën klinike, pasi është shpallur tender për kompresorët që nuk punonin. Në mesin e korrikut u anulua procedura për furnizimin, instalimin dhe vënien në funksion të një sistemi ajror të dëmtuar për sallat e operacionit të klinikave kirurgjikale, pasi nuk është marrë asnjë ofertë. Më pas pasoi një tender tjetër.

Më 22 janar, Ministria e Shëndetësisë informoi se ka përfunduar plotësisht montimi dhe instalimi i sistemit të ajrit të kompresuar në kompleksin klinik “Nënë Tereza” në Shkup.

"Janë montuar dhe instaluar tre kompresorë me pajisjet shoqëruese të nevojshme - rezervuarë, separator, ndarës automatik i kondensatës me kontroll elektronik, separator ciklon për largimin e lagështisë dhe vajit në fazën e daljes së kompresorit dhe pajisje të tjera. Gjithashtu është kryer zëvendësim dhe instalim i tubacioneve të bakrit, pikave të lidhjes dhe kabineteve të shpërndarjes së ajrit të komprimuar për furnizimin e bllokut operativ prej 12 dhoma dhe 2 dhoma të Klinikës së kirurgjisë plastike konform me farmakopenë evropiane të zhvilluar konform me Direktivën evropiane 93/42/EEC. Është duke u zhvilluar test në sistemin e ajrit të komprimuar në kompleksin klinik “Nënë Tereza” – Shkup. Pas përfundimit të testit, Ministria e Shëndetësisë do të caktojë datë për ndërprerjen e plotë të furnizimit me ajër të kompresuar për të gjitha klinikat e kompleksit spitalor për t'u lidhur me përdoruesit e tjerë. Pas realizimit të këtyre aktiviteteve, sistemi i ajrit të kompresuar do të vihet në funksion të plotë", thuhet në kumtesë.

Foto: arkivi i MIA-s

 

Тагови

Остани поврзан