Universiteti i Tetovës dhe Institucioni Publik Parku Kombëtar “Mali Sharr” nënshkruan Memorandum bashkëpunimi
- rejtori i Institucionit Publik Parku Kombëtar “Mali Sharr" Evzal Elmazi i shoqëruar nga bashkëpunëtorët e tij, Altin Idrizi, Valide Kamberi si dhe Prof. Dr. Besnik Rexhepi realizuan vizitë pune me udhëheqësinë e Universitetit të Tetovës, të përbërë nga Rektori Prof. Dr. Jusuf Zejneli, Prorektori për Marrëdhënie Ndërkombëtare Prof. Dr. Salajdin Salihi dhe dekani i FSHMN-së, Prof. Dr. Florim Idrizi.
Shkup, 22 dhjetor 2025 (MIA) - Drejtori i Institucionit Publik Parku Kombëtar “Mali Sharr" Evzal Elmazi i shoqëruar nga bashkëpunëtorët e tij, Altin Idrizi, Valide Kamberi si dhe Prof. Dr. Besnik Rexhepi realizuan vizitë pune me udhëheqësinë e Universitetit të Tetovës, të përbërë nga Rektori Prof. Dr. Jusuf Zejneli, Prorektori për Marrëdhënie Ndërkombëtare Prof. Dr. Salajdin Salihi dhe dekani i FSHMN-së, Prof. Dr. Florim Idrizi.
Në kuadër të kësaj vizite, u nënshkrua Memorandum bashkëpunimi, i cili synon forcimin e bashkëpunimit institucional ndërmjet IPPK “Mali Sharr” dhe Universitetit të Tetovës, për zhvillimin e aktiviteteve të përbashkëta akademike, profesionale, kërkimore, zhvillimore dhe edukative që kontribuojnë në mbrojtjen e natyrës, zhvillimin e qëndrueshëm dhe avancimin e njohurive shkencore. Pikat kyçe ku bazohet ky memorandum përfshijnë ngritjen e kapaciteteve profesionale të dy institucioneve; organizimin e aktiviteteve të përbashkëta në fushën e mjedisit, biologjisë, ekologjisë, pylltarisë, turizmit malor, planifikimit hapësinor dhe fusha të tjera relevante; promovimin e praktikave të qëndrueshme dhe menaxhimit efikas të resurseve natyrore si dhe zhvillimin e programeve të përbashkëta të edukimit, kërkimit dhe inovacionit;
Ky bashkëpunim do të jetë i dobishëm edhe për studentët, të cilët do të kenë mundësi të realizojnë praktikat e tyre profesionale. Po ashtu do të organizohen edhe vizita studimore, ekspedita kërkimore dhe monitorime në terren. Ndër pikat kyçe do të jetë edhe organizimi i seminareve, konferencave dhe punëtorive të përbashkëta për çështje që lidhen me mjedisin, zhvillimin e qëndrueshëm dhe ruajtjen e biodiversitetit. Parashihet edhe angazhimi i ekspertëve të IPPK “Mali Sharr” si ligjërues të jashtëm në UT dhe anasjelltas.
Pjesë e kësaj marrëveshjeje do të jenë edhe bashkëpunimet në programet e BE-së, IPA, Horizon Europe, Erasmus+, si dhe fonde të tjera donatore; hartimi i kampanjave të përbashkëta për edukim mjedisor për nxënës, studentë dhe komunitet lokal dhe organizimi i aktiviteteve të Ditës së Tokës, Ditës së Pyjeve, Ditës së Biodiversitetit, etj.
Ky memorandum bashkëpunimi është një hap i rëndësishëm drejt forcimit të lidhjes ndërmjet dijes akademike dhe mbrojtjes së trashëgimisë natyrore. Universiteti i Tetovës dhe Instituti Publik Parku Kombëtar “Mali Sharr” do të kontribuojnë së bashku në zbatimin e pikave të memorandumit, duke krijuar mundësi të reja për studentët, studiuesit dhe komunitetin lokal.