Uashingtoni i hodhi poshtë akuzat e Teheranit për nxitje të protestave në Iran
- – Shtetet e Bashkuara të Amerikës i vlerësuan si të “pabaza” akuzat e ministrit iranian të Punëve të Jashtme, Abas Arakçi, se Uashingtoni po nxit protesta të cilat u përhapën në gjithë Iranin, në kohë kur presidenti amerikan Donald Tramp u kërcënua se SHBA-ja do të reagojë nëse Teherani dhunshëm i shtyp protestuesit.
Uashington, 10 janar 2026 (MIA) – Shtetet e Bashkuara të Amerikës i vlerësuan si të “pabaza” akuzat e ministrit iranian të Punëve të Jashtme, Abas Arakçi, se Uashingtoni po nxit protesta të cilat u përhapën në gjithë Iranin, në kohë kur presidenti amerikan Donald Tramp u kërcënua se SHBA-ja do të reagojë nëse Teherani dhunshëm i shtyp protestuesit.
Zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, duke reaguar për deklaratat e Arakçit të dhëna gjatë vizitës në Liban, deklaroi se akuzat e tilla janë përpjekje që të largohet vëmendja nga problemet e brendshme të Iranit, njoftoi Al Xhezira.
“Kjo deklaratë pasqyron një keqkuptim dhe përpjekje për të larguar vëmendjen nga sfidat e mëdha me të cilat përballet regjimi iranian në vend”, tha zëdhënësi i Departamentit të Shtetit të SHBA-së.
Ministri iranian i Punëve të Jashtme, Abas Arakçi, më parë ka akuzuar Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Izraelin për nxitje të protestave në vendin e tij. Ai tha në një konferencë për media në Liban se "përvoja e mëparshme e veprimeve ushtarake amerikane kundër Iranit ishte e pasuksesshme dhe do të dështojë përsëri nëse përsëritet".

Arakçi, gjithashtu, deklaroi se Teherani mbetet i hapur për bisedime me SHBA-në “nëse ato zhvillohen në bazë të respektimit të ndërsjellë dhe interesave të përbashkëta”, por shtoi se Irani është “i gatshëm për luftë nëse ai është qëllimi i Uashingtonit”.
Protestat në Iran janë përhapur mes tensioneve politike, me tubime në mbështetje të autoriteteve që po zhvillohen si përgjigje. Protestat kundër regjimit kanë hyrë në natën e tyre të 13-të, pavarësisht frikës nga goditje e ashpër. Mbrëmë, ndërtesa në Isfahan, ku ndodhet televizioni shtetëror iranian IRIB, u dogj, treguan pamjet që qarkullojnë në mediat sociale.
Princi i Kurorës i rrëzuar i Iranit, Reza Pahlavi, u ka kërkuar protestuesve të vazhdojnë të dalin në rrugë sonte dhe nesër në mbrëmje dhe të pushtojnë qendrat e qyteteve, duke u bërë thirrje punëtorëve në sektorët e transportit, naftës dhe gazit dhe energjisë të fillojnë grevë mbarëkombëtare. Në porosinë drejtuar protestuesve, ai vlerësoi "guximin dhe qëndrueshmërinë" e tyre pasi miliona njerëz iu përgjigjën thirrjeve të tij për protesta në ditët e fundit.

Pahlavi tha se pjesëmarrja masive kishte tronditur establishmentin qeverisës dhe kishte ekspozuar brishtësinë e aparatit të sigurisë së Republikës Islamike. Ai tha se faza tjetër duhet të bazohet në prani të qëndrueshme në rrugë dhe presion ekonomik, sepse, tha ai, ndërprerja e burimeve financiare të regjimit do të paralizonte represionin. Ai u bëri thirrje protestuesve të mblidhen përsëri sot dhe nesër në orën 18, duke mbajtur flamuj dhe simbole kombëtare, dhe duke lëvizur nga drejtime të shumta në qendrat e qyteteve dhe duke qëndruar atje për një periudhë të zgjatur kohore.
Duke iu drejtuar anëtarëve të forcave të sigurisë që kanë shprehur mbështetje për opozitën, Pahlavi u bëri thirrje atyre të ngadalësojnë më tej dhe të prishin atë që ai e quajti "makineri shtypëse" e regjimit. Ai shtoi se po përgatitej të kthehej në Iran dhe kishte ndërmend të qëndronte me popullin iranian në atë që ai e quajti fitoren e afërt të "revolucionit kombëtar".
Departamenti i Shtetit amerikan e paralajmëroi Iranin që të mos e nënvlerësojë vendosmërinë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në shtypjen e tyre të protestuesve.
"Regjimi iranian është plotësisht i vetëdijshëm për paralajmërimin e presidentit Tramp dhe nuk duhet ta vërë në provë vendosmërinë e SHBA-së ", tha zëdhënësi i Departamentit të Shtetit. Ai shtoi se autoritetet në Teheran duhet "të shqyrtojnë me kujdes pasojat e veprimeve të tyre" dhe të mos e nënvlerësojnë vendosmërinë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës nën udhëheqjen e Donald Tramp.

Shefi i diplomacisë së SHBA-së, Marko Rubio njoftoi në “X” se “SHBA-ja qëndron me popullin e guximshëm të Iranit”.
Presidenti iranian, Masud Pazakhstani, e ka pranuar më parë ekzistencën e pakënaqësisë publike, duke deklaruar se qeveria është përgjegjëse për problemet aktuale ekonomike dhe u bëri thirrje nëpunësve të mos fajësojnë faktorët e jashtëm si SHBA-në për situatën në vend.
Aktivistët publikuan video nga protestat në disa pjesë të Teheranit, si dhe në qytetet Isfahan, Mashhad, Kermanshah, Arak dhe Babel, ku protestuesit brohoritnin slogane kundër qeverisë, me prani të fuqishme të forcave të sigurisë.
Protestat shpërthyen për shkak të rritjes së çmimeve dhe përkeqësimit të standardit jetësor, pasi vlera e valutës kombëtare ra në nivelin më të ulët rekord.
Protestat janë më të mëdhatë në Iran që nga viti 2022 dhe 2023, pas vdekjes së Mahsa Amini derisa ishte mbajtur nga policia për moral për shkak të gjoja shkeljes së kodit të veshjes. fc/
Foto: Arkivi i EPA/X