Trampi me kritika për Zelenskin pas deklaratës për Krimenë: Mbaroni punën, do ta humbni gjithë vendin
- - Presidenti amerikan Donald Tramp përsëri e përforcoi presionin ndaj presidentit ukrainas, Volodomir Zelenski, duke i bërë thirrje që ta pranojë marrëveshjen paqësore për dhënien fund të luftës në Ukrainë.

Uashington, 23 prill 2025 (MIA) - Presidenti amerikan Donald Tramp përsëri e përforcoi presionin ndaj presidentit ukrainas, Volodomir Zelenski, duke i bërë thirrje që ta pranojë marrëveshjen paqësore për dhënien fund të luftës në Ukrainë.
Në një publikim në rrjetin e tij social Truth Soushëll (Truth Social), Trampi deklaroi se arritja e marrëveshjes është “shumë afër”, por ashpër e kritikoi Zelenskin për shkak të deklaratave të tij për Krimenë, duke paralajmëruar se Ukraina rrezikon ta “humbë të gjithë vendin” nëse vazhdon me qasjen e tanishme.
Trampi foli për deklaratën e fundit të Zelenskit për Uollstrit Xhurnal, në të cilën lideri ukrainas tha: “Ukraina asnjëherë juridikisht nuk do ta pranojë okupimin e Krimesë. Për këtë nuk ka çka flitet”.
Sipas Trampit, kjo deklaratë seriozisht i pengon bisedimet paqësore me Rusinë, sepse, siç thotë, “Krimeja është humbur qysh para shumë vjetëve”, gjatë kohës së mandatit të ish presidentit amerikan Barak Obama. Ai shtoi se Krimeja “nuk është mjet i diskutimit” dhe se baza të mëdha ushtarake ruse ekzistonin në gadishull me dekada para aneksimit të tij në vitin 2014.
“Askush nuk po i kërkon Zelenskit që të njohë Krimenë si territor rus, por nëse ai dëshiron ta kthejë atë, pse Ukraina nuk e mbrojti atë njëmbëdhjetë vjet më parë kur iu dorëzua Rusisë pa u gjuajtur asnjë plumb?” ka shkruar Trampi. Ai i quajti deklaratat e Zelenskit "nxitëse" dhe arsye për vështirësitë në përpjekjen për të arritur paqe.
"Janë pikërisht deklaratat nxitëse si ajo që Zelenski bëri sot që janë arsyeja pse është kaq e vështirë të arrihet paqja. Nuk ka asgjë për t'u mburrur! Situata për Ukrainën është shumë e vështirë, ajo mund të zgjedhë paqen ose të vazhdojë të luftojë edhe për tre vjet të tjerë para se të humbasë të gjithë vendin. Nuk kam asgjë kundër Rusisë, por thellë kujdesem për atë që të mos humbin pesë mijë jetë ruse dhe ukrainase çdo javë, sepse të gjithë këta njerëz vdesin pa arsye. Deklarata e sotme e Zelenskit vetëm do ta vazhdojë “vrasjen”, ndërsa këtë nuk e dëshiron askush, shkroi Trampi.
"Ne jemi shumë afër një marrëveshjeje, por njeriu që 'nuk ka më atu' tani duhet ta kuptojë më në fund këtë dhe ta kryejë punën. Pres me padurim të ndihmoj Ukrainën dhe Rusinë të dalin nga ky KAOS total - që nuk do të kishte ndodhur kurrë nëse do të isha president", tha presidenti amerikan.
Sipas mediave amerikane, plani gjoja paqësor i Trampit parasheh njohje zyrtare të sovranitetit rus mbi Krimenë e aneksuar nga ana e SHBA-së. Zelenski në mënyrë kategorike e hodhi poshtë këtë propozim, duke thënë se njohja e tillë është në kundërshtim me kushtetutën ukrainase.
Trampi ka rritur presionin ndaj Moskës dhe Kievit, me çka administrata e tij paralajmëroi se SHBA mund të tërhiqet nga ndërmjetësimi krejtësisht nëse marrëveshje nuk arrihet së shpejti. Këtë qëndrim e mbështeti edhe zëvendëspresidenti Xhej Di Uans, i cili deklaroi se propozimi i SHBA-së ishte "i qartë" dhe se ishte koha që të dyja palët të thoshin "po" ose SHBA të tërhiqet nga procesi.
Ai shtoi se bëhet fjalë për “propozim shumë korrekt” i cili do t’i “ngrijë vijat territoriale në ndonjë nivel të afërt me të tanishmet”, nën kusht që të dyja palët të heqin dorë nga një pjesë e territorit të cilin për momentin e mbajnë. Ai nuk kumtoi hollësi të tjera. fc/
Foto: EPA