Trampi kumtoi se SHBA-ja ka kryer sulme ajrore ndaj objektivave të Shtetit Islamik në Nigeri
- Presidenti amerikan Donald Tramp kumtoi se SHBA-ja ka kryer sulme “të fuqishme dhe vdekjeprurëse” kundër forcave të organizatës terroriste Shteti Islamik në Nigeri, pasi akuzoi për javë të tëra qeverinë e këtij vendi të Afrikës Perëndimore se nuk ka arritur të ndalojë persekutimin e të krishterëve.
Uashington, 26 dhjetor 2025 (MIA) - Presidenti amerikan Donald Tramp kumtoi se SHBA-ja ka kryer sulme “të fuqishme dhe vdekjeprurëse” kundër forcave të organizatës terroriste Shteti Islamik në Nigeri, pasi akuzoi për javë të tëra qeverinë e këtij vendi të Afrikës Perëndimore se nuk ka arritur të ndalojë persekutimin e të krishterëve.
"Sonte, me urdhrin tim si Komandant suprem, Shtetet e Bashkuara kanë kryer një sulm të fuqishëm dhe vdekjeprurës kundër grupit terrorist të Shtetit Islamik në Nigerinë veriperëndimore, i cili po persekuton dhe vret brutalisht, kryesisht të krishterë të pafajshëm, në nivele të papara me vite, madje edhe shekuj”, shkroi Tramp në platformën "Truth Social".
Ai shtoi se "më parë ka paralajmëruar këta terroristë se nëse nuk ndalojnë masakrën e të krishterëve, do të ndodhë ferr", duke theksuar se kjo "ndodhi sonte". Trampi gjithashtu deklaroi se janë kryer "sulme shumë të persosura".
Komanda amerikane për Afrikën (AFRIKOM), e cila mbikëqyr operacionet ushtarake amerikane në Afrikë, kumtoi "vlerësimi i saj fillestar është se shumë terroristë të Shtetit Islamik janë vrarë në kampet e tyre" në Nigeri.
Ministri i Mbrojtjes i SHBA-së, Pit Hegset, në X theksoi se presidenti amerikan "muajin e kaluar ishte i qartë: vrasja e të krishterëve të pafajshëm në Nigeri (dhe vende tjera) duhet të ndalet". Ai shtoi se Shteti Islamik e mësoi këtë "sonte - ditën e Krishtlindjeve".
"Do të publikohen më shumë informacione, jam mirënjohës ndaj qeverisë nigeriane për mbështetjen dhe bashkëpunimin e saj", tha Hegset.
Ministria e Punëve të Jashtme të Nigerisë i konfirmoi sulmet në kumtesë dhe theksoi se ka marrë njoftim paraprak, duke deklaruar se "autoritetet nigeriane mbeten të angazhuara në bashkëpunim të strukturuar të sigurisë me partnerët ndërkombëtarë, përfshirë Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në zgjidhejn e kërcënimit të vazhdueshëm të ekstremizmit terrorist dhe të dhunshëm".
Në fillim të nëntorit, Trampi deklaroi se e ka urdhëruar Pentagonin të "përgatitet për veprim të mundshëm" në Nigeri, duke pohuar se qeveria nigeriane nuk po bën mjaftueshëm në luftën kundër persekutimit të krishterëve në atë vend. ls/