Trampi: Duhet ta posedojmë Grenlandën që t'i pengojmë Rusinë dhe Kinën ta marrin
- – Presidenti amerikan Donald Tramp deklaroi se SHBA-ja duhet ta “posedojë” Grenlandën që t’i pengojë Rusinë dhe Kinën që ta marrin, duke thënë se kjo do të bëhet “në mënyrë të lehtë ose të vështirë”.
Uashington, 10 janar 2026 (MIA) – Presidenti amerikan Donald Tramp deklaroi se SHBA-ja duhet ta “posedojë” Grenlandën që t’i pengojë Rusinë dhe Kinën që ta marrin, duke thënë se kjo do të bëhet “në mënyrë të lehtë ose të vështirë”.
Deklarata e ashpër vjen pas sinjaleve të fundit nga Shtëpia e Bardhë se administrata mendon ta blejë territorin gjysmëautonom nga Danimarka, por nuk e përjashton mundësinë për aneksim të dhunshëm, shkruan Bi-Bi-Si.
Danimarka dhe Grenlanda ashpër e hodhën poshtë ofertën e Trampit, duke thënë se territori nuk është në shitje. Kopenhaga paralajmëroi se çdo aksion ushtarak kundër një anëtare të NATO-s do të nënkuptonte fundin e aleancës transatlantike të mbrojtjes.
“Vendet duhet të kenë pronësi dhe ju mbroni pronësinë, ju nuk mbroni marrëveshjet e qirasë, dhe ne do të duhet të mbrojmë Grenlandën”, u tha Trampi gazetarëve në Uashington.
Presidenti amerikan vazhdimisht thekson se Grenlanda është kyçe për sigurinë kombëtare të SHBA-së, duke thënë pa dëshmi se ishte “mbuluar kudo me anije ruse dhe kineze”.
Edhe pse SHBA-ja tashmë ka më shumë se 100 ushtarë të stacionuar përgjithmonë në bazën Pitufik në Grenlandën veriperëndimore, të cilën e menaxhojnë nga Lufta e Dytë Botërore, Trampi beson se marrëveshjet ekzistuese për qira nuk janë të mjaftueshme.
“Vendet nuk mund të bëjnë marrëveshje nëntëvjeçare apo edhe 100-vjeçare”, tha ai, duke këmbëngulur në pronësi të plotë. “Unë i dua njerëzit e Kinës. Unë i dua njerëzit e Rusisë”, shtoi Trampi. “Por nuk i dua ata si fqinjë në Grenlandë, kjo nuk do të ndodhë. Dhe, meqë ra fjala, NATO duhet ta kuptojë këtë”, theksoi ai.
Aleatët kryesorë të NATO-s, përfshirë vendet kryesore evropiane dhe Kanadanë, ofruan mbështetjen e tyre për Danimarkën këtë javë. Në deklarata të përbashkëta, ata riafirmuan se "vetëm Danimarka dhe Grenlanda mund të vendosin për çështje që kanë të bëjnë me marrëdhëniet e tyre".
Ata theksuan se siguria e Arktikut është interes i përbashkët që duhet të arrihet "kolektivisht" brenda aleancës dhe bënë thirrje për "respektim të parimeve të Kartës së OKB-së, duke përfshirë sovranitetin, integritetin territorial dhe paprekshmërinë e kufijve".
Shqetësimet për të ardhmen e Grenlandës janë shtuar më tej nga veprimi i fundit ushtarak i SHBA-së në Venezuelë. Trampi më parë ofroi të blinte ishullin gjatë mandatit të tij të parë në 2019, por edhe atëherë iu tha se nuk ishte në shitje. U raportua se sekretari shtetëror amerikan, Marko Rubio, do të zhvillonte bisedime me përfaqësuesit danezë javën e ardhshme.
Përveç lokacionit të saj strategjik ndërmjet Amerikës së Veriut dhe Arktikut, që është kyç për sistemet për alarmim të hershëm, Grenlanda u bë interesante edhe për shkak të burimeve të saja natyrore.
Për shkak të ndryshimeve klimatike dhe shkrirjes së akullit, depozitat e pasura të metaleve të rralla të tokës, uraniumit dhe hekurit janë gjithnjë e më të arritshme, ndërsa shkencëtarët besojnë se ka edhe rezerva të konsiderueshme të naftës dhe gazit. fc/
Foto: EPA