• сабота, 22 февруари 2025

Tramp tha se do të mbështesë zhvendosjen e përhershme të palestinezëve dhe se SHBA-ja "do të vendos kontroll mbi Gazën"

Tramp tha se do të mbështesë zhvendosjen e përhershme të palestinezëve dhe se SHBA-ja

Uashington, 5 shkurt 2025 (MIA) - Presidenti amerikan Donald Tramp deklaroi se do të mbështesë përpjekjet për zhvendosjen e përhershme të palestinezëve nga Rripi i Gazës në vende ku ata mund të jetojnë pa frikë nga dhuna.

Duke përshëndetur kryeministrin izraelit Benjamin Netanjahun në Shtëpinë e Bardhë, lideri i parë i huaj që vizitoi Trampin prej kur ai mori funksionin muajin e kaluar, presidenti amerikan tha se ai dhe ekipi i tij kanë diskutuar për mundësinë e rivendosjes së palestinezëve në vende si Jordania, Egjipti dhe shtete tjera në rajon.

Presidenti amerikan tha se do të dëshironte të shihte një marrëveshje për "shpërngulje të përhershme të njerëzve në shtëpi të bukura, ku ata mund të jenë të lumtur dhe të mos qëllohen, të mos vriten".

Tramp, gjithashtu, tha se SHBA-ja "do të vendos kontroll mbi Rripin e Gazës të shkatërruar nga lufta" pasi palestinezët të zhvendosen dhe do ta zhvillojnë ekonomikisht - një veprim që do të ndryshonte politikën e shumë dekadave të Uashingtonit ndaj konfliktit izraelito-palestinez.

Presidenti amerikan e prezantoi planin e tij të befasishëm pa dhënë hollësira në konferencën e përbashkët për shtyp pas takimit të djeshëm me kryeministrin izraelit Benjamin Netanjahu. Deklarata vjen pas propozimit tronditës të Trampit më herët dje për të zhvendosur përgjithmonë palestinezët nga Rripi i Gazës në vendet fqinje, duke e quajtur enklavën "vend të shkatërruar".

"SHBA-ja do të vendos kontroll mbi Rripin e Gazës dhe ne gjithashtu do të arrijmë diçka. Ne do të menaxhojmë me të dhe do të jemi përgjegjës për shkatërrimin e të gjitha bombave të rrezikshme të pashpërthyera dhe armëve të tjera në zonë", shtoi presidenti amerikan.

"Nëse nevojitet – edhe do ta bëjmë atë, do të vendosim kontroll ndaj kësaj pjese të tokës, do ta zhvillojmë atë, do të krijojmë mijëra e mijëra vende pune dhe ajo do të jetë diçka me çka e tërë Lindja e Mesme mund të jetë shumë krenare", shtoi Tramp.

I pyetur se kush do të jetojë atje, Tramp tha se ajo mund të bëhet shtëpia e "njerëzve të botës" dhe se mund të bëhet "riviera më e njohur në Lindjen e Mesme".

Netanjahu, ushtria e të cilit është përfshirë në luftime të ashpra me militantët e Hamasit në Rripin e Gazës për më shumë se një vit, si përgjigje tha se nikoçiri i tij "mendon jashtë korrnizave dhe ka ide të reja", duke demonstruar një "gatishmëri për të depërtuar mendimin konvencional".

Tramp nuk iu përgjigj drejtpërdrejt pyetjes si dhe me të cilën të drejtë SHBA-ja mund të marrë tokën në Rripin e Gazës dhe të vendosin kontroll ndaj saj në afat të gjatë.

Presidenti amerikan, gjithashtu, tha se ka në plan të vizitojë Rripin e Gazës, Izraelin dhe Arabinë Saudite gjatë një udhëtimi në Lindjen e Mesme. Tramp nuk saktësoi se kur planifikon të bëjë një udhëtim të tillë. rq/bsh/

Остани поврзан