Tramp: Taksat ndaj Meksikës dhe Kanadasë mund të mos e përfshijnë naftën
- Presidenti i SHBA-së, Donald Tramp deklaroi dje se së shpejti do të vendos nëse do të përjashtojë importin e naftës nga Kanadaja dhe Meksika nga taksat prej 25 për qind që kërcënoi se do t'i vendos nesër për produktet nga ato vende.

Uashington, 31 janar 2025 (MIA) - Presidenti i SHBA-së, Donald Tramp deklaroi dje se së shpejti do të vendos nëse do të përjashtojë importin e naftës nga Kanadaja dhe Meksika nga taksat prej 25 për qind që kërcënoi se do t'i vendos nesër për produktet nga ato vende.
"Ndoshta po, ndoshta jo. Me gjasë sonte do ta marrim atë vendim", ka thënë Trampi rreth asaj nëse do të vendosë tarifa për naftën kanadeze dhe meksikane. Ai shtoi se kjo do të varet pjesërisht nga çmimet, si dhe nëse të dyja vendet "e trajtojnë siç duhet SHBA-në".
Tramp vendosi të shtunën si një afat përfundimtar për të vendosur taksë prej 25 për qind mbi importet nga Meksika dhe Kanadaja për të detyruar dy partnerët më të mëdhenj tregtarë anerikan të ndërmarrin hapa për të parandaluar migrimin e paligjshëm dhe dërgimin e fentanilit përtej kufijve të tyre në SHBA.
Por Trampi tha dje se taksat ndaj Amerikës Veriore do të vendosen "për më shumë arsye" dhe shtoi se niveli i tarifave "mund ose nuk mund të rritet me kalimin e kohës".
"Po mendoj edhe për Kinën sepse ata po dërgojnë fentanil në vendin tonë dhe po shkaktojnë qindra mijëra raste të vdekjes... Ne do të vendosim se çfarë do të ndodhë, por Kina duhet të ndalojë dërgimin e fentanilit në vendin tonë dhe vrasjen e njerëzve tanë", ka thënë Trampi.
Presidenti kinez Si Xhinping në vitin 2023 premtoi se do të punojë me presidentin e atëhershëm Xho Bajden për të parandaluar dërgimin e fentanilit në SHBA. Më pas Pekini i bëri thirrje Uashingtonit të ndërmarrë hapa për të kufizuar kërkesën për droga.
Foto: EPA