Tramp paralajmëron përpjekje të re për bisedime me Kim Xhong-un
- Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, deklaroi se do të vendosë kontakte me liderin e Koresë së Veriut, Kim Xhong-un, duke hapur mundësinë e rinovimit të diplomacisë së tyre pesë vjet pas bisedimeve fillestare që tërhoqën vëmendjen globale, por që kontribuan pak për uljen e kërcënimit bërthamor nga Pheniani, shkruan Nju-Jork tajms.

Uashington, 24 janar 2025 (MIA) - Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, deklaroi se do të vendosë kontakte me liderin e Koresë së Veriut, Kim Xhong-un, duke hapur mundësinë e rinovimit të diplomacisë së tyre pesë vjet pas bisedimeve fillestare që tërhoqën vëmendjen globale, por që kontribuan pak për uljen e kërcënimit bërthamor nga Pheniani, shkruan Nju-Jork tajms.
“Ai më donte dhe ne shkuam mirë”, deklaroi Tramp gjatë një interviste me prezantuesin e Foks Njuz, Shon Haniti, duke shtuar se do të përpiqet të vendosë kontakte me Kim në mandatin e tij të dytë. Ai nuk është një fanatik fetar, ai është një njeri i zgjuar”, tha Tramp.
Kjo është hera e parë që Tramp ka shfaqur publikisht interes për rihapjen e kanaleve diplomatike me Kim xHong-un që nga marrja e detyrës të hënën. Në mandatin e tij të parë, Tramp dhe Kim mbajtën një samit historik, por marrëdhënia e tyre u prish pas negociatave të dështuara në vitin 2018 dhe 2019.
Nuk është e qartë se si Kim, i cili është i inkurajuar nga lidhjet e forcuara me Rusinë dhe përparimet ushtarake të vendit të tij, do të reagojë ndaj përpjekjes së re për negociata. Që kur u takuan për herë të fundit me Trampin, Koreja e Veriut ka përmirësuar ndjeshëm aftësitë e saj raketore dhe, sipas analistëve, mund të kërkojë lëshime më të mëdha për të bërë kompromise rreth programit të saj bërthamor, shkruan Nju-Jork tajms.
Tramp gjatë fushatës së tij shprehu respekt për Kim-in, duke thënë se "është mirë të shkosh mirë me dikë që posedon shumë armë bërthamore".
Autoritetet e Koresë së Jugut kanë shprehur shqetësimin se kthimi i Trampit mund ta tërheqë përsëri Gadishullin Korean në pasiguri diplomatike.
Në komunikimin e tyre të mëparshëm, Tramp dhe Kim shkëmbyen fyerje dhe kërcënime personale, por më pas u takuan tre herë midis vitit 2018 dhe 2019. Megjithatë, bisedimet përfunduan pa një marrëveshje për të reduktuar kapacitetet bërthamore të Koresë së Veriut ose për të hequr sanksionet ndaj vendit.
Ndërkohë, Koreja e Veriut ka forcuar lidhjet e saj me Rusinë, duke ndihmuar në luftën në Ukrainë me armë dhe trupa, ndërsa bashkëpunimi me Kinën vazhdon të luajë një rol të rëndësishëm në parandalimin e presionit amerikan ndaj regjimit të Kim.
Autoritetet e Koresë së Veriut deri më tani kanë heshtur për deklaratat e reja të Trampit, por Kim pritet të përgjigjet pas shqyrtimit me kujdes të synimeve të administratës së Trampit, thekson gazeta e Nju-Jorkut. ls/
Foto: Arkiv