• сабота, 22 февруари 2025

Tramp: Palestinezët do të kenë shtëpi të reja, por jo në Gazë

Tramp: Palestinezët do të kenë shtëpi të reja, por jo në Gazë

Uashington, 10 shkurt 2025 (MIA) – Presidenti amerikan Donald Tramp deklaroi se palestinezët nuk do të kenë të drejtë kthimi në Gazë si pjesë e planit të tij për zhvendosje. 

Në intervistë për “Foks njuz”, në pyetjen nëse palestinezët do të kishin të drejtë të kthehen në shtëpitë e tyre në Gazë, Trampi u përgjigj: Jo, nuk do të kishin të drejtë, sepse do të kishin vend shumë më të mirë për jetesë”, tha ai.

Ai shtoi se planifikon ndërtim të vendbanimeve të përhershme për të zhvendosurit, sepse “Gazës do t’i nevojiten vite të tëra që të bëhet përsëri e banueshme”. 

Trampi javën e kaluar, gjatë takimit me kryeministrin izraelit Benjamin Netanjahu në Uashington, paralajmëroi se SHBA-ja do ta marrë kontrollin ndaj Rripit të Gazës, do t’i rrënojnë ndërtesat e shkatërruara dhe do ta zhvillojnë rajonin ekonomikisht, me çka popullsia palestineze do të zhvendoset. Këto deklarata shkaktuan dënim nga shumë vende në botë. 

Trampi përsëriti se palestinezët mund të zhvendosen në Jordani ose Egjipt, edhe krahas kundërshtimit të atyre vendeve, si dhe vetë palestinezët, transmeton Bi-Bi-Si. 

Në intervistën, e cila në tërësi do të publikohet sonte, presidenti amerikan tha se SHBA-ja do të ndërtojë “bashkësi të shkëlqyera” për rreth dy milionë banorë të Gazës. 

“Ata do të mund të kenë pesë, gjashtë ose dy. Por, ne do të ndërtojmë bashkësi të sigurta, pak më larg se vendi ku gjenden, ku është i gjithë ai rrezik”, shtoi Trampi.

“Jam i përkushtuar në blerje dhe posedim të Gazës. Kur bëhet fjalë për rinovim të saj, do të mund t’ia japim vendeve të tjera në Lindjen e Mesme që të ndërtojnë pjesë të saj. Njerëz të tjerë do të mund ta bëjnë këtë nën udhëheqjen tonë. Por, ne jemi të përkushtuar që ta posedojmë, ta marrim dhe të kujdesemi që të mos kthehet Hamasi”, tha Trampi, pa sqaruar prej kujt do ta blejë Gazën dhe si SHBA-ja do ta posedojë territorin. 

Ai premtoi se “do të kujdeset për palestinezët”. 

“Do të kujdesemi që ata të jetojnë mirë në harmoni dhe paqe dhe të mos vriten mes vete”, tha Trampi, transmetoi Bi-Bi-Si.

“Ata nuk duan të kthehen në Gazë, ata kthehen vetëm sepse nuk kanë alternativë”, vlerësoi presidenti amerikan në intervistë për Foks Njuz. fc/

Fotografia: Arkivi

 

Остани поврзан