Tramp konfirmon: Kam pasur një bisedë të gjatë dhe produktive me Putinin
- Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Tramp tha se sot ka pasur një “bisedë telefonike të gjatë dhe shumë produktive” me presidentin rus, Vladimir

Uashington, 12 shkurt 2025 (MIA) - Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Tramp tha se sot ka pasur një “bisedë telefonike të gjatë dhe shumë produktive” me presidentin rus, Vladimir Putin.
Sipas Trampit, të dy liderët diskutuan për Ukrainën, Lindjen e Afërt, çështjet e energjisë dhe tema të tjera të rëndësishme.
Ai theksoi se gjatë bisedës iu referuan edhe "historisë madhështore të popujve tanë dhe faktit që luftuam me kaq sukses së bashku në Luftën e Dytë Botërore, duke kujtuar se Rusia humbi dhjetëra miliona njerëz dhe ne gjithashtu humbëm kaq shumë! Secili prej nesh foli për pikat e forta të kombeve tona përkatëse dhe përfitimin e madh që do të kishim një ditë duke punuar së bashku".
“Ne kemi rënë gjithashtu dakord që ekipet tona përkatëse të fillojnë negociatat menjëherë dhe do të fillojmë duke thirrur Presidentin (Volodimir) Zelenski, të Ukrainës, për ta informuar atë për bisedën, të cilën do ta bëj tani”, tha Tramp në një postim në rrjetet sociale.
"I kam kërkuar Sekretarit shtetëror Marko Rubio, drejtorit të CIA-s Xhon Retklif, Këshilltarit të Sigurisë Kombëtare Majkëll Vallc dhe ambasadorit dhe të dërguarit special Stiv Vitkof të udhëheqin negociatat që unë mendoj se fuqimisht do të jenë të suksesshme. Miliona njerëz vdiqën në një luftë që nuk do të kishte ndodhur nëse do të kisha qenë president, por ndodhi, kështu që duhet të marrë fund. Nuk ka nevojë të humben më jetë! Dua të falënderoj Presidentin Putin për kohën dhe përpjekjen e tij në lidhje me këtë thirrje”, shkroi Trump në një postim në rrjetin e tij social “Truth social”.
Më herët, rrjeti televiziv amerikan Si-En-En raportoi se liderët e dy vendeve patën një bisedë telefonike.
“Unë u informova se Presidenti Tramp foli me Presidentin rus Vladimir Putin këtë mëngjes”, shkroi një gazetar i Si-En-En në rrjetin social X.
Gazeta "Njujork post" transmetoi se Tramp ka deklaruar se me Putinin ka biseduar për zgjidhjen e konfliktit në Ukrainë.
Megjithatë, zëdhënësi i Kremlinit Dmitri Peskov, për agjencinë ruse të lajmeve TASS deklaroi se ai nuk mund "as të konfirmojë dhe as të mohojë" se një bisedë ka ndodhur mes Putinit dhe Trampit.
Tramp më parë falënderoi presidentin rus për lirimin e shtetasit amerikan Mark Fogel, i cili u dënua në Rusi për kontrabandim dhe posedim droge dhe më pas u kthye në SHBA. ls/
Foto: printskrin