• петок, 08 ноември 2024

Toshkovski: Kalim më i shpejtë përmes konceptit One Stop Shop në Qafasan-Qafë Thanë dhe bashkëpunim i shkëlqyeshëm me Shqipërinë në luftën me krimin

Toshkovski: Kalim më i shpejtë përmes konceptit One Stop Shop në Qafasan-Qafë Thanë dhe bashkëpunim i shkëlqyeshëm me Shqipërinë në luftën me krimin

Shkup, 4 tetor 2024 (MIA) - Ministri i Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski sot ndodhet për vizitë pune në Republikën e Shqipërisë, ku ka zhvilluar një takim pune me ministrin e Punëve të Brendshme të Shqipërisë, Ervin Hoxha.

MPB kumtoi se në takim u konstatua se bashkëpunimi i deritanishëm është në nivel të lartë profesional, me tendencë për avancim përmes lidhjes së marrëveshjeve dhe protokolleve për bashkëpunim.

"Me ministrin Hoxha kemi diskutuar tema që janë me interes të përbashkët për qytetarët tanë. Tema e parë ishte ngritja e një sistemi 'One Stop Shop' që do të mundësojë lëvizje më të shpejtë të udhëtarëve brenda vendkalimeve kufitare që kemi me Republikën e Shqipërisë. Ai sistem tashmë është në një fazë të avancuar të zbatimit me Republikën e Serbisë, si dhe me Republikën e Kosovës, me qëllim të përshpejtimit të qarkullimit të udhëtarëve në këto pika kufitare, me uljen maksimale të kohës së lëvizjes së udhëtarëve nga këto vende. Gjithashtu diskutuam mundësinë që shërbimet tona policore të vazhdojnë me vizitat e vazhdueshme që kemi gjatë sezonit të verës dhe policët shqiptarë që patrullojnë zonat turistike që kemi në Maqedoni, si dhe policët maqedonas që patrullojnë zonat turistike në Shqipëri, me qëllim përmirësimin e kushteve për qytetarët tanë. Natyrisht, takimin e kemi fokusuar edhe në aspektet operative të dy ministrive në luftën kundër krimit të organizuar transnacional, migrimit ilegal dhe kontrabandës me njerëz", theksoi ministri Toshkovski.

Ministri i Punëve të Brendshme i Shqipërisë, Ervin Hoxha theksoi projektin e përbashkët për rehabilitimin dhe rindërtimin e pikës kufitare Bllatë-Spas dhe menaxhimin e kufijve të dy vendeve duke finalizuar marrëveshjen e diskutuar dhe të hartuar tashmë për mirëmbajtjen e shenjve kufitare me vendin tonë.

"Dy ministrat konfirmuan gatishmërinë për thellimin e bashkëpunimit dypalësh dhe operacional mes dy ministrive, si dhe përkushtimin për promovimin e marrëdhënieve tradicionalisht të mira fqinjësore dhe bashkëpunimin rajonal, si dhe zbatimin me sukses të protokolleve të zbatimit të Konventës për Bashkëpunim Policor në  Evropën Juglindore dhe pjesëmarrja e përbashkët në nismat rajonale", kumtoi MPB. ab/

Foto dhe video: МРB

Остани поврзан