Thirrje për bojkot të dyqaneve në Kosovë më 10 shkurt
- Në rrjetet sociale në Kosovë janë paraqitur thirrje për bojkotimin e zinxhirit të shitjes me pakicë më 10 shkurt, në shenjë proteste ndaj çmimeve të larta.

Prishtinë, 3 shkurt 2025 (MIA) - Në rrjetet sociale në Kosovë janë paraqitur thirrje për bojkotimin e zinxhirit të shitjes me pakicë më 10 shkurt, në shenjë proteste ndaj çmimeve të larta.
Grupi “Bojkoto marketet” në Fejsbuk u bëri thirrje qytetarëve që atë ditë të mos blejnë asgjë nëpër markete. Bojkoti do të zgjasë 24 orë dhe organizatorët u bëjnë thirrje qytetarëve që të blejnë ushqime thelbësore nga tregjet e gjelbra dhe fermerët vendas.
“Më 10 shkurt nuk do të blejmë asgjë në markete dhe nëse zëri ynë nuk dëgjohet do të marrim masa të tjera”, thuhet në njoftimin për aktivitetin në Fejsbuk.
Organizatorët theksojnë se nuk janë të lidhur me asnjë parti politike, por janë të shqetësuar për rritjen e çmimeve dhe kërkojnë çmime të drejta dhe të përballueshme për qytetarët.
Grupi ndan statistika duke krahasuar shtrenjtimet në Kosovë me çmimet në vendet evropiane. Sipas të dhënave të platformës së kostos së jetesës "Numbeo", një litër qumësht në Kosovë kushton 1.35 euro, ndërsa në Portugali kushton 0.97 euro, në Gjermani 1.14 euro dhe në Belgjikë 1.17 euro.
Një krahasim tregon se çmimet e disa produkteve bazë në Kosovë dhe Poloni janë të ngjashme, edhe pse paga minimale në Poloni është 1725 euro, ndërsa në Kosovë 500 euro.
“As me para në dorë. As me kartelë. Me bojkot”, thonë organizatorët.
Foto: Fejsbuk